Lamtumirë për gruan dhe 3 fëmijët e Albertit. Ai niset për mjekim drejt Italisë

54-vjeçari Albert Cara i cili u arrit të shpëtohej nga rrënojat e pallatit në Thumanë, është dërguar të premten për mjekim të specializuar drejt Italisë. Vetë kryeministri Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë e kanë shoqëruar në aeroport. Albert Cara ka dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore.

#TiNukDoJeshKurrëVetëm😢👐🏿Albert Cara, 54 vjeç, i cili falë këmbënguljes së forcave të kërkim/shpëtimit u nxorr i gjallë, por me dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore, nga rrënojat ku humbi tërë familjen💔Po dërgohet për trajtim më të specializuar, në një ndër klinikat më prestigjioze të Italisë 🇦🇱🤝🇮🇹https://e-albania.al/dhuro/

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 29. November 2019

Ndërkohë që Alberti niset drejt Italisë, anëtarët e familjes së tij përcillen drejt banesave të fundit për t’i dhënë lamtumirën. Alberti humbi të gjithë familjen në rrënojat e pallatit.

Ai pësoi një tragjedi të vërtetë pasi humbi bashkëshorten Fatmirën, vajzën Erisa, djalin Hasan, Almirin dhe të fejuarën e tij Stela. Nën rrënoja mbetën të pajeta edhe Anthi Cara, nusja e xhaxhait të Albertit, dhe mbesa e saj Sadajana. Lindita Cara, vajza e xhaxhait të Albert Carës (nëna e Sadajanës) u shpëtua mrekullisht, teksa u nxor e gjallë kur mund të kishte mbi 15 orë nën rrënoja. Ajo tashmë po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjatë të premtes janë përcjellë për në banesën e fundit familjarët e Albertit. I pranishëm në ceremoninë e lamtumirës ka qenë vetë kryeministri Rama.

#TiNukDoJeshKurrëVetëm😢👐🏿Në ceremoninë prekëse të familjeve Cara dhe Gregu, Thumanë https://e-albania.al/dhuro/

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 29. November 2019

Alarm për cunam? Sizmologu: Është fals, arsyeja pse nuk shkakton cunam ky tërmet

Mijëra njerëz nga Durrësi, Tirana dhe zona të tjera që janë prekur nga tërmeti, kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të panikut dhe ankthit. Ndërkohë, shumë qytetarë kryesisht në Durrës kanë pasur frikë edhe për një cunami, duke qenë se tërmeti e kishte epiqendrën në Detin Adriatik. Megjithatë, në një intervistë për News 24, sizmologu Llambro Duni përjashtoi mundësinë për një rrezik të tillë. Ai u shpreh se alarami për cunami është fals.

“Ne kemi lidhje se të dhënat tona shpërndahen në të gjitha qendrat në botë (ne rastin kur alarmi u dha nga Instituti italian i tërmeteve). Të dhënat tona shpërndahen në kohë reale në të gjitha qendrat, në Amerikë dhe Europë. Ne kemi lidhje në kohë reale me këto vende, për të përcaktuar cunamet, nëse ato mund të gjenerohen në vendin tonë, mund të përdoren. Ata nxjerrin alarmin, që këto kanë nevojë të rishikohen. Jo çdo alarm që jepet është i vlefshëm”.

“Në e rastin tonë nuk i vlefshëm. Pasi madhësia 6.3 nuk është e atij niveli që të gjenerojë cunamet. Epiqendra e tërmetit nuk ka qenë në mes të Adriatikut, po në bregdetin shqiptar, ku nuk ka kolonë ujë. Është e pamundur që ky tërmet të shkaktojë cunam. Vatra e tërmetit ka qenë e thellë. Nuk ka pasur çarje që të ngrihet toka. Që të ngrihet, kërkohet spostim. Deri sa e kanë hequr alarmin, e kanë kuptuar që është fals.”, tha Duni.

Pas ushtrisë, SHBA, gati për ndihma humanitare në Shqipëri

Ambasada e SHBA njofton se do të vazhdojë përpjekjet për të dhënë ndihmë humanitare për Shqipërinë dhe shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në çdo hapësirë ku ka nevojë vendi ynë. Ambasada gjithashtu uron Ditën e Pavarësisë dhe shpreh keqardhjen për jetët e humbura si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

“Në këtë përkujtim solemn të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh keqardhjen më të thellë për shkatërrimin dhe jetët e humbura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri në krah të vendit tonë mik dhe aleat, Shqipërisë. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës humanitare dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo hapësirë tjetër në nevojë”, njofton SHBA.

Më herët ambasada Amerikane bëri me dije se Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë kanë mbërritur dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet pas tërmetit.

“Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nga Njësia për Mbështetjen Civile dhe Ushtarake në Kosovë mbërritën dje në Shqipëri, për të mbështetur operacionet ndihmuese pas tërmetit të 26 nëntorit. Shqipëria është një vend partner, aleat dhe mik dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë punën e përbashkët për të ndihmuar popullin shqiptar në këtë kohë të vështirë për të”, njoftoi ambasada e SHBA.

Nxirret nga rrënojat një 54-vjeçar, shkon në 41 numri i viktimave

Forcat e shpëtim kërkimit në Durrës kanë gjetur dhe nxjerrë një tjetër person nga rrënojat e hotel “Mira Mare”. I pajetë është nxjerrë trupi i pajetë i një 54-vjeçari, i cili deklarohet se ishte punonjës në këtë hotel. 54-vjeçari ndodhej nën rrënoja që prej mëngjesit të së martës, kur vendi u trondit nga tërmeti vdekjeprurës. Në momentin e nxjerrjes së trupit të pajetë, nipi i tij që po ndiqte operacionin, ka pësuar gjendje të fikëti dhe është transportuar për në urgjencë për në spitalin rajonal të Durrësit.

Ndërkohë kujtojmë se në Thumanë janë ndaluar kërkimet pasi janë nxjerrë trupat që kishin mbetur nën rrënoja. Në Durrës forcat e shpëtim kërkimit vijojnë ende punën, pasi ka ende persona të pa gjetur.

Me nxjerrjen nga rrënojat të 55-vjeçarit numri i viktimave ka shkuar në 41 persona.

Pak më herët, Roza Meçja ishte nxjerrë e pajetë nga gërmadhat e godinës 6katëshe pranë Kryqit të Kuq në Durrës. Në ato çaste dramatike ka qenë i pranishëm edhe bashkëshorti i saj Ajeti, i cili ka shpërthyer në lot sapo ka parë bashkëshorten e pajetë. Ajeti humbi edhe Dienën 8 vjeçe që ndërroi jetë nën rrënojë.

Numri i lartë  viktimave është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka publikuar edhe emrat e 41 viktimave, ku deri tani 17 viktima janë shënuar në Durrës, 23 në Krujë dhe 1 në Mamurras.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Franca, Kroacia dhe gjithë rajoni e Evropa vijojnë pa ndërprerë aksionet nën rrënojat e Durrësit.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, përkatësisht rreth orës 04:00, ata kanë nxjerrë nga rrënojat e Thumanës tre trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar numrin e tragjedisë në 39 viktima. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në Thumanë operacioni i kërkim-shpëtimit është ndërprerë, pasi nuk ka informacion për trupa të tjerë nën rrënoja. Ndërsa rreth orës 8:30 të mëngjesit, në Durrës është nxjerrë nga rrënojat viktima e 40-të.

Në Durrës, 17 viktima:

1.         Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç, gjetur në L 13 .

2.         Amelia Lala, 8 vjeç, gjetur në L.17.

3.         Sadik Qato, 85 vjeç, gjetur në L 13 .

4.         Isah Abazi, 29 vjeç, banues në L.13  

5.         Esiela Karanxha, 8 vjeçe, gjetur në L. 18.

6.         Flatar Zenelaj, 64 vjeç, gjetur në L. 13

7.         Eviola Broshka, 28 vjeçe, gjetur në L. 18

8.         Kristi Reçi, 24 vjeçe, gjetur në L. 18

9.         Sehadete Lala, 79 vjeçe, gjetur në L. 18

10.       Diana Karanxha, gjetur në L. 18

11.       Eduart Reçi, gjetur në L. 18

12.       Shemsedin Abazi, gjetur ne L. 13

13.       Dolora Reçi, 49 vjeçe, gjetur në L. 18

14.       Klaus Reçi, vjeç 21 vjeçe, gjetur në L. 18

15.       Griselda Lala 22 vjeçe, gjetur në L. 17

16.       Roza Meçja

17.       Një burrë 53-vjeçar, ende i paidentifikuar

Në Krujë, 23 viktima

1.         Bukurije Leka

2.         Erisa Cara

3.         Ariela Lala, 4 vjeçe

4.         Fatmira Cuka, 44 vjeçe

5.         Selvie Lala, 77 vjeçe

6.         Saimir Greku

7.         Kristjan Preçi, 26 vjeç

8.         Sardi Cuka, 18 vjeç

9.         Hajrie Vata, 65 vjeçe

10.       Klevis Çupi (Aliu), 34 vjeç

11.       Drita Cakoni

12.       Pëllumb Greku, 57 vjeç

13.       Çelike Grupieku, 57 vjeçe

14.       Hajredin Çupi, 66 vjeç

15.       Kastriot Cakoni, 58 vjeç,

16.       Fatmira Cara, 54 vjeç

17.       Hasan Cara, 16 vjeç.

18.       Roledi Vata, 3 vjeçe

19.       Suada Hysa, 18 vjeçe.

20.       Ankthi Cara, 65 vjeç

21.       Adelina Kabili, 20 vjeç

22.       Almir Cara, 26 vjeç

23.       Stela Zvergeci, 20 vjeç, e fejuara e Almir Cares, nga Korça.

Në Mamurras, 1 viktimë

1. Ersid Agim Hoxhalli, 32 vjeç (i aksidentuar)

Pamjet heroike, Adriatiku del gjallë nga rrënojat në “Mira Mare”, pritet me duartrokitje

Zjarrëfikësit e Mallakastrës kanë bërë të mundur nxjerrjen gjallë nga rrënojat e hotel “Mira Mare” në Durrës të 33 vjeçarit Adriatik Bode. Siç shihet nga pamjet filmike Adriatiku është pritur me duatrokitje nga të pranishmit në vendngjarje ndërsa duket se është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Momente nga shpëtimi nga rrënojat e hotelit Mira Mare i 33 vjeçarit Adriatik Bode nën drejtimin e komandatit të stacionit MZSH Mallakastër Jonus Murataj dhe efektivëve Hysland Aliaj, Ardit Sulaj, Sokol Kodheli, Zamir Hoxha”, shkruhet në postimin në facebook të videos në fjalë.

33-vjeçari Adriatik Bode u shpëtua dy ditë më herët nga rrënojat e hotelit në Durrës, ku ekipet e shpëtimit ende vijojnë operacionet e kërkimit për trupa të tjerë të mbetur nën rrënoja.

Momente nga shpetimi nga rrenojat e hotelit Mia Mare i 33 vjecarit Adriatik Bode nen drejtimin e komandatit te stacionit MZSH Mallakaster Jonus Murataj dhe efektiveve Hysland Aliaj, Ardit Sulaj, Sokol Kodheli,Zamir Hoxha.

Gepostet von Zjarrfikësja Mallakastër am Mittwoch, 27. November 2019

Histori shprese, njerëzit kanë dalë të gjallë nga rrënojat edhe pas 17 ditësh

Lëkundja e fortë e orës 03:56 të mëngjesit të së martës ka kthyer në gërmadha disa ndërtesa në Durrës dhe Thumanë, ku kërkimet vijojnë ende.

Ndërkohë që nuk dihet sa është numri i të pagjeturve, koha që kalon i zbeh shpresat për të mbijetuar.

Më shumë se 48 orë pas lëkundjes shkatërruese dhe në kushtet e rënies së temperaturave, mundësitë për mbijetesë vijnë duke u ulur.

Situata ideale në të cilën një person nën rrënoja mund të mbijetojë është kur pozicioni në të cilin ndodhet ia lejon furnizimin me oksigjen, nuk është i plagosur dhe ka mundësi të pijë ujë.

Në vitin 2005, tre djem i mbijetuan një tërmeti shkatërrues në Pakistan. Ata u nxorën nga rrënojat e shkollës së tyre pesë ditë pas tërmetit. Ata u gjetën të shtrirë në shpinë, pranë njëri-tjetrit, ndërsa tavani u prekte hundën. Skuadrave të shpëtimit iu desh t’ua mbulonin sytë kur i nxorën, për t’i mbrojtur nga drita e diellit.

Mjekët që kanë asistuar në situata të tilla thonë se të plagosurit nga tërmeti mund të vuajnë nga sindroma e shtypjes. Kjo ndodh kur indi kompresohet dhe vdes.

Kjo shkakton dhimbje, tronditje dhe dëmtim të veshkave, nëse i plagosuri nuk merr ndihmën mjekësore.

Të qenit i bllokuar në një hapësirë të mbyllur nënkupton gjithashtu rritjen e temperaturës dhe nivelit të dioksidit të karbonit, i cili nëse arrin në një nivel shumë të lartë, mund ta çojë të lënduarin në vdekje.

Ekipet e kërkim-shpëtimit monitorojnë rritjen e niveleve të dioksidit të karbonit në ndërtesë. Nëse ka CO2 të shtuar do të thotë se dikush është i bllokuar brenda dhe po merr frymë. Kur nivelet e CO2 ndalojnë, shanset për të gjetur të mbijetuar janë të vogla.

Një njeriu të bllokuar në këto kushte mund t’i ndodhë të bjerë pa ndjenja ose në gjumë, prandaj ekipet e kërkimit vijojnë punën.

Nëse një person nën rrënoja nuk është lënduar fizikisht, furnizohet me oksigjen dhe ndodhet në një hapësirë të përshtatshme – sado e vogël – domosdoshmëria tjetër mbetet uji.

Pyetja që lind në këto kushte është sa mund të mbijetojë pa ujë një njeri? Mesatarja është 3-7 ditë. Kjo varet nga temperatura e mjedisit ku ndodhet, sa lëngje nxjerr nga trupi nëpërmjet djersës, sa i shëndetshëm është dhe sigurisht, edhe mosha është faktor me rëndësi. Në situata të tilla, bebet janë ato që mbijetojnë më gjatë.

Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ndikon në mbijetesë është vullneti. Bluzat e bardha të Mjekëve pa Kufij, që janë përballur me situata të tilla të panumërta, thonë se shumë prej atyre që ia dalin të mbijetojnë janë njerëz që e pranojnë se janë të bllokuar, ruajnë qetësinë dhe presin ndihmë.

Në maj të vitit 2013, një grua u nxorr nga rrënojat e një fabrike në Bangladesh 17 ditë pas shembjes së saj.

Pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010 në Haiti, një burrë mbijetoi 12 ditët nën rrënojat e dyqanit. Të paktën 200 mijë njerëz vdiqën nga ai tërmet.

Një rast tjetër mbijetese të jashtëzakonshme është ai i një gruaje 40-vjeçare, e mbijetuar e tërmetit të vitit 2005 në Pakistan. Ajo u nxorr nga kuzhina e shtëpisë së saj, e kthyer pothuajse në gërmadhë, plot 40 ditë pas tërmetit. Gruaja mbijetoi në një hapësirë aq të vogël saqë nuk mund të lëvizte./TEMA

Sizmiologu: Forca e pasgoditjeve është në rënie, nuk ka vend për panik

Sizmiologu, Rexhep Koçi shpjegon se tërmetet që pasojnë tërmetin e madh të 26 nëntorit janë një aktivitet normal sizmik që po vijnë në rënie dhe për të cilat njerëzit nuk duhet të kenë frikë. Sipas tij këto pasgoditje janë normale pasi aktiviteti sizmik po vijon por nuk ka vend për panik, pasi shkalla e këtyre lëkundjeve është rënie.

 “5.1 rihter ishte tërmeti i fundit. Ishte i pritshëm për shkak se janë pasgoditje dhe janë normale që pasojnë tërmetin e madh të 26 nëntorit. Nuk parashikohen. Por magnituda nuk ka qenë afër tërmetit të parë.

Vetëm tre goditje kanë qenë 5, ndërsa të tjerët kanë qenë më të vegjël. Ajo zonë është ende aktive dhe do të gjenerojë ngjarje sizmike.

Nuk ka vend për panik. Magnituda ka qenë shumë larg asaj të parë, kjo është normale. Është e vërtetë që shkakton stres. Por nuk është e thënë se do të ketë gjithmonë dëme. Tirana nuk është e rrezikuar”, është shprehur sizmiologu Rexhep Koçi.

Gruaja e mbijetuar nuk e di që i ka vdekur burri dhe vajza, kërkon t’i takojë

Manjola Cakoni është një nga të mbijetuarat e tërmetit, por që tragjedia në familjen e saj është shumë e madhe, pasi ka humbur vajzën adoleshente dhe burrin e saj. Motra e saj, Saimira Baçi tregon se ajo nuk e di se ka humbur njerëzit më të dashur të saj dhe nga spitali, ku po kurohet, ajo kërkon t’i takojë.

“Varrimi bëhet sot në orën 1 por ajo nuk di gjë. Jemi shumë të vrarë dhe motrës nuk i kemi thënë gjë, gjendja e saj është kritike. Ne nuk i kemi treguar motrës asgjë. Motra ka një djalë dhe një vajzë tjetër në Angli, ata po qajnë ditë e natë dhe nuk durojnë dot dhimbjen e motrës dhe babait që kanë humbur”, tregon ajo. Motra e Manjolës tregon se fëmijët e saj në Angli janë pa letra dhe nuk kthehen dot. “Manjola në mëngjes kërkoi vajzën dhe i kanë thënë se po është mirë do të sjellin mjekët. Ndërsa djali tjetër i Manjolës që është në spital nuk di asgjë. I thanë që s’ka ndodhur gjë”, shpjegon motra e saj, Saimira Baçi.

Trupa shtesë nga Kosova në zonat e goditura nga tërmeti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një bisede telefonike këtë mëngjes me Kryeministrin Rama, ka njoftuar se Kosova do të dërgojë trupa shtesë të FSK-së në përkrahje të autoriteteve shqiptare për eliminimin e pasojave nga tërmeti.

Thaçi ka thënë se ka dëgjuar me vëmendje mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe konstatimin e gjendjes nga kryeministri Rama, dhe se tani është nevoja urgjente për përballimin e pasojave që të mos rrezikohet asnjë jetë e njerëzve.

Ai në shkrimin  e bërë në “Facebook” ka thënë se kthimi i njerëzve nëpër shtëpi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar vetëm pas konstatimit real që shtëpitë dhe banesat të jenë të sigurta dhe të mos ndodhin fatkeqësi të tjera.

“Tërmeti bashkon ish armiqtë. Kosovarë, serbë e shqiptarë, bashkë në kërkime”

Prestigjozja italiane Corriere Della Sera i ka kushtuar një artikull kërkimeve për shpëtim në Shqipëri pas tërmetit me pasoja tragjike, ku shkruan se kjo ka bërë bashkë disa shtete që kanë qenë armiq mes tyre, duke gërmuar nën rrënojat e Durrësit dhe Thumanës në kërkim të mrekullisë, shpirtrave të gjallë.

“Saktësisht njëzet vjet pas luftës në Kosovë, për herë të parë pas shpërbërjes së saj të përgjakshme dhe spastrimit etnik, ish Jugosllavia e dikurshme duket se është ringritur, por me qëllimin e saj më të mirë. Në emër të solidaritetit, Ballkani është bashkuar, qoftë edhe vetëm për disa ditë, në përpjekje për të shpëtuar jetët e goditura nga tërmeti që goditi bregdetin shqiptar dhe rrethinat e kryeqytetit natën midis të hënës dhe të martës”, shkruan Corriere.

Që prej ditës së djeshme, ekipet e shpëtimit të dërguara nga Prishtina, Beogradi, Tirana, Zagrebi dhe Shkupi, kanë formuar një zinxhir njerëzor shpëtimtarësh.

Zjarrfikësit, ushtarët, njësitë e qenve, ekipe me uniforma me stema dhe flamuj të ndryshëm, dikur armiqësorë me njëri tjetrin, janë në garë për të rikuperuar të gjallë dhe viktima. Ata mund të mos vëllazërohen, por kanë bashkuar forcat për një qëllim të përbashkët.

Në Thumanë, një njësi serbe nga Nishi, e përbërë nga rreth 20 zjarrfikës, mbërriti dje dhe iu përvesh punës për të gërmuar nëpër rrënojat e një ndërtese trekatëshe të shembur pjesërisht.

Pak metra më tutje vazhdojnë punë zjarrfikës nga Prishtina dhe një grup ushtarësh me emblemën e Republikës së Kosovës, të qepur në mëngët e uniformës.

“Askush nuk ka pasur probleme – sigurojnë ata – në fakt, mbase kjo është koha për t’u bërë miq”. Ata shprehen se  “Ndonjëherë jemi të burgosur nga paragjykimet tona”.

Skip to toolbar