Zjarrfikësi italian: Ka ende shpresë, në Akuila kemi nxjerrë njerëz të gjallë 72 orë nën rrënoja

Njëri prej zjarrfikësve italianë të përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Durrës, ka deklaruar për A2news se po punohet me objektivin për të shpëtuar ende njerëz në banesën e familjes Lala, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga tërmeti i rëndë që goditi vendin.

“Jemi 160 zjarrfikës italianë, të specializuar në kërkimin poshtë rrënojave. Do të vijnë edhe të tjerë. Ka ende kohë, në Akuila kemi shpëtuar njerëz që kishin 72 orë nën rrënoja. Gjithmonë punojmë me objektivin për të shpëtuar njerëz”, deklaroi zjarrfikësi italian

Sipas tij, operacioni është i vështirë pasi “shtëpia është shembur e gjitha dhe të katër katet kanë përfunduar sipër njëri-tjetrit”.

Duhet pasur shumë kujdes kur gërmon nga njëri kat në tjetrin për të mos dëmtuar njerëzit që janë bllokuar poshtë.

Rama: Brenda 2020 do ndërtohen të gjitha shtëpitë! Pacolli: Gati për të kontribuar

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Durrës, ku ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti, është takuar me Ministrin e Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli.

Rama është shprehur se shpreson që brenda 2020 të gjithë shtëpitë e rrënuara nga tërmeti do të ndërtohen. “Është situatë shumë e vështirë, por besoj që do t’ia dalim. Ajo që nuk bëjmë dot është të kthejmë në jetë ata që humbën jetën. Kemi shumë të plagosur, pjesa më e madhe me plagë të lehta. Kemi gatishmëri për t’i çuar edhe jashtë. Është një super skuadër, janë të përgatitur të gjitha ekipet. Me njerëzit që janë jashtë kemi vendosur ti akomodojmë në hotele sepse nuk mund të rrinë në çadër në dimër. Në momentin kur ndodh krizë e tillë të gjithë mblidhen. Kemi shumë suport të gjitha vendet. Banda 2020 besoj do i kemi futur të gjithë në shtëpia”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Pacolli është shprehur se populli është solidarizuar me Shqipërinë. “Populli i Kosovës solidarizohet. Unë personalisht, ne të gjithë jemi duke punuar dhe besoj se që nga dje është bërë punë. Ne jemi të gatshëm t’ju vijmë në ndihmë të plagosurve, ata që kanë nevojë për shërim dhe ata që kanë mbetur pa strehim. Ne jemi gati dhe vetëm të koordinohemi”, u shpreh Pacolli.

Erdogan bën thirrjen e madhe: Shtetet islame të ndihmojnë Shqipërinë

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje shteteve islame që të ndihmojnë Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që Turqia ka qenë një ndër shtetet e para që ka dërguar ndihma për banorët e prekur nga tërmeti. Erdogan ka ka bërë të ditur se pas lajmit të tërmetit ka biseduar dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Erdogan theksoi se i ka dërguar ngushëllimet kryeministrit Rama dhe shtoi se Turqia ka dërguar ekipet e saj të kërkim-shpëtimit. “Gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë”, shtoi ai.

“Mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë në lidhje me ndërtesat e rrënuara, gjë e cila veçanërisht është detyra e Organizatës Islamike për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie, ka dobi në hedhjen e këtij hapi”, deklaroi Erdogan.

Ndërsa Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe koordinim, TIKA ka shpërndarë ushqime dhe pako me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Janë shpërndarë mbi 500 pako me ushqime dhe batanije në zonën e Thumanës, ndërsa në total Turqia ka dërguar mbi 3000 pako me ushqime dhe batanije që do vijojnë t’i shpërndahen familjeve të prekura nga tërmeti në Durrës e Thumanë.

Sizmologu Amato: Tërmet me një fuqi të tillë? Mund të kishte 300 viktima

Sizmologu Alessandro Amato, drejtues i Qendrës ‘Alert Tsunami’ të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve deklaron se një tërmet me një fuqi të tillë mund të kishte treqind viktima. “Nuk mund të thuhet se ‘shkoi mirë’, por sigurisht që mund të kishte qenë edhe më keq”, deklaroi Amato.

Shqipëria, shpjegoi gjeologu dhe sizmologu Alessandro Amato, tashmë ishte tronditur që në muajin Shtator. “Zona ballkanike ka qenë tashmë aktive prej dy muajsh, siç ishte rasti i tërmetit të gushtit në Amatrice, në Itali me magnitudë 6.0, i cili u pasua nga ai i 30 tetorit me magnitudë 6.5 (si ai i Durrësit).

Apeninet dhe Alpet Dinarike janë dy anët e së njëjtës pllakë, pllaka e Adriatikut, një grup blloqesh gjeologjike që lëvizin drejt veriut dhe rrotullohen në të kundërt.

Ai shpjegon pse fërkimi mes tyre nuk shkaktoi tërmet edhe në Itali. “Pllakata përfshin 1.000 km, por është e përbërë nga disa blloqe. Tërmeti i vitit 2016 në Itali përfshiu një zonë prej rreth 830 km duke prekur zonën e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në 100 vitet e fundit ka pasur 7 tërmete me madhësi mbi 6 ballë. Më i forti, në vitin 1979 në Mal të Zi me magnitudë 6.9 me 135 viktima dhe 100 mijë persona të zhvendosur. Në Itali sistemi i goditjeve ndodhi edhe në Umbria në vitin 1997, L’Aquila në vitin 2009 dhe Umbria në vitin 2016”.

Sipas Alessandro Amato, drejtues i Qendrës ‘Alert Tsunami’ të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve: E keqja më e madhe kaloi. Do të ketë lëkundje që do të vazhdojnë me muaj, ndoshta dhe me vite. Kjo është normale. Me kalimin e kohës lëkundjet zvogëlohen në numër dhe madhësi.

Ditë zie kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë

Vetëm një ditë para festës kombëtare të Pavarësisë, Shqipëria dhe Kosova kanë shpallur 1 ditë zie për pasojat tragjike të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë. Të gjitha institucionet shqiptare kanë ulur flamurin kombëtar në gjysmështizë, ndërkohë që sipas shifrave deri mëngjesin e së mërkurës ka shkuar në 26 numri i viktimave, 45 persona janë nxjerrë gjallë nga rrënojat dhe 657 persona kanë mbetur të lënduar.

“Kjo ditë zie, duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare, na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë se sa një ditë zie. Do kishim dashur të ishin 3 ditë zie, duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie, që deri në momentin që flasim ka marrë 24 jetë njerëzish”, u shpreh Rama.

Po ashtu, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpall ditën e mërkurë ditë zie në Kosovë në nderim të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë “Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e mërkurë, 27 nëntor 2019, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmetit në Shqipëri, i cili la dhjetëra persona të vdekur dhe shumë të lënduar”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentit Thaçi.

Edhe në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO, u vendos që të ulet në gjysmështizë flamuri shqiptar në nderim të tragjedisë së tërmetit. Me anë të një reagimi në Twitter, NATO u shpreh se: “Flamuri i aleatëve tanë, Shqipërisë dhe Francës, u ulën në gjysmështizë në selinë e NATO, pas tërmetit që goditi Shqipërinë dhe në solidaritet me ushtarët francez të rënë në Mali”.

Binjakët 3-vjeçarë të familjes Lala ende nën rrënoja. Vijojnë kërkimet

Ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë operacionin për gjetjen dhe nxjerrjen nga rrënojat të familjes Lala në Durrës. Raportohet se nën rrënoja vijojnë të jenë 6 anëtarë të kësaj familje bashkë me dy binjakët 3 vjeçar.

Aktualisht ekipet e shpëtimit janë duke bërë kontrolle në katin e dytë të vilës së shembur në Durrës ku dyshohet se ndodhen binjaket 3-vjeçare të familjes Lala.

Dionis e Dionisa Lala, janë dy binjakët e kësaj familje, motra dhe vëllai i Amelias 6 vjeçe që u nxorr e pajetë gjatë të martës.

Ramë Lala, rreth 17 vjeç, pjesëtar i familjes Lala, ka arritur të shpëtojë. Ai u nxor të martën nga rrënojat, ndërsa motra e tij Griselda Lala ndodhet ende nën rrënoja.

Plani i qeverisë për familjet, Rama: Duhet të rindërtojmë banesat

Programin e rindërtimit të shtëpive, kryeministri Edi Rama e ka quajtur detyrimin kryesor të qeverisë. Ai tha se po punohet për një skemë financimi për banesat e dëmtuara e cila do të jetë një temë diskutimi edhe në Samitin e NATO-s.

“Familjeve në Thumanë duhet t’i rindërtojmë banesat, ato pallate që kishin, por që duhet të jenë shumë më të forta. Duhet të bazohemi tek buxheti i qeverisë, por nuk mjafton. Po punojmë për një skemë financimi që të na mundësojë një mbulim tërësor pa u mbuluar thjesht me anën tjetër. Me kolegët europianë unë kam folur. Po komunikoja me kryeministren e Danimarkës. Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër në Samitin e NATO për pak ditë do të bëjmë një adresim se si do trajtohet kjo plagë. Me presidentin e Turqisë kemi rënë dakord të organizojmë një tryezë me vendet e rajonit lindor. Të hënë që vjen vijmë me anti-KÇK por programi i rindërtimit është detyrimi ynë ndaj popullit shqiptar. Jam i bindur se duke punuar me të njëjtën frymë dhe me të njëjtin shpirt si 24 orët e para ne do t’i dalim të bëjmë një kapërcim historik në mënyrën e trajtimit të plagëve që ato të mos thahen nga dielli i harresës”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkë me Ministrinë e Turizmit po punohet me marrëveshje me të gjitha kompanitë e hotelerive në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për të strehuar të gjithë ata që kanë mbetur pa banesë. “Shpëtimi i jetëve mbetet prioritet i ditës së sotme. Më pas është akomodimi i atyre që janë pa çati. Mbrëmë i kemi sistemuar 1450 banorë në zonën e qytetit të Durrësit dhe 700 banorë në zonën e Thumanës pa llogaritur strukturat akomoduese në Tiranë. Nevoja e njerëzve për të mos qenë vetëm ka zbrazur një pjesë të madhe të këtyre tendave sepse janë hapur shumë dyer të afërmish, fqinjësh dhe të njohurish. Unë nuk ka ardhur nga krevati por nga ballkoni. Gatishmëria ka qenë shumë e madhe. Nuk mund të pranojnë që disa familje të kalojnë dimrin në tenda apo t’ia lëmë si barrë familjeve të tjerave. Nuk mund të kalojnë një kohë të gjatë me një barrë të tillë. Me ministrin e Turizmit po punojmë për një marrëveshje me kompanitë e hotelerive në Durrës, Kavajë dhe Vlorë për të akomoduar banorët pa shtëpi. Nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë. Të gjitha shtëpitë që kanë rezultuar të riparueshme, sot nuk janë më ashtu. Kemi filluar punën me ministren e infrastrukturës që të kemi një organizim të transportit për fëmijët që do shkojnë në shkollë dhe me ministren e Arsimit për të krijuar një asistencë për këta fëmijë”, tha Rama.

Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë këtë të mërkurë, një ditë pas tërmetit të një dite më parë, ku shkaktoi shumë viktima e qindra të plagosur. Duke bërë një përmbledhje të situatës, kreu i qeverisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për Tiranën dhe Durrësin.

“Është thënë se ne po shmangim gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona, pa e ditur fare se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që ka shpërthyer. Ne dje kemi folur me njëri-tjetrin vetëm në rrugë digjitale. Ministrja e Infrastrukturës është gdhirë në atë rrugicën e rrënojave që mbajnë ende brenda njerëz. Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni e thonë do jetë në perimetrin e vendeve që janë të prekura. Tiranës dhe Durrësit. Ne marrim vendim për gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk harrojmë se kjo është një ditë kur plagët janë aty”, tha Rama.

Nga ana tjetër, ai ka falënderuar të gjithë strukturat shtetërore dhe vullnetare për angazhimin e tyre për pasojat e tërmetit.  “Në fund të një 24 orëshi që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen respektin dhe falënderimin e të gjithë trupave të angazhuara në vijnë e parë të frontit duke u përballur me një fatkeqësi të jashtëzakonshme. Kanë rrezikuar jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur në ndihmë të personave që janë prekur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. “Duhet të shpreh mirënjohje të pakufishme për reagimet vërtetë thellësisht ngushëlluese të ambasadave të BE dhe SHBA që në çastet e para janë vënë në lëvizje për të na shprehur gatishmërinë e tyre. Për Presidentin e Kosovës, Kryeministrin e Italisë, i cili ndër miqtë dhe partnerët e këtij vendi ka qenë ai që ka çelur serinë e komunikimeve të drejtpërdrejta duke u predispozuar për t’i ardhur në ndihmë njerëzve. Kryeministri i Greqisë, i cili përveç të tjerave ka sjellë menjëherë duke devijuar programin, ministrin e Jashtëm me një delegacion të gjerë në Tiranë, presidentin e Francës i cili pasi kemi komunikuar disa herë edhe pse është përballur me një fatkeqësi të madhe për Francën, ka vënë në lëvizje ministrin e Brendshme të Francës, presidentin e Turqisë që ka komunikuar në fillim gjatë dhe pastaj edhe në mesnatën e ditës së djeshme duke konfirmuar vijimësisht gatishmërinë për të bërë gjithçka që është e nevojshme në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti, kabinetin e kancelares, presidentin e Serbisë që ka dërguar një mision special, kryeministrin e Kroacisë dhe dua të shtoj një shprehje të posaçme nga CDU të cilët jo vetëm kanë dërguar një seri impresionuese mesazhesh nga anëtarë të grupit të Bundestagut, por kanë shprehur gatishmërinë për të bërë çdo gjë. Falënderoj edhe qeveritë e Rumanisë dhe Zvicrës dhe princin e Kurorës së Arabisë Saudite. Një numër i konsiderueshëm i medias italiane kanë dërguar shumë mesazhe duke shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në dhënien e ndihmës dhe solidaritetit. Trupat janë përfshirë në terren dhe kanë marrë lidershipin e operacioneve, duke zotëruar një ekspertizë shumë më domethënëse se e jona që janë fillestare në këtë fushë sepse nuk jemi hasur me tërmetet për shumë dekada. Trupat speciale të Kosovës kanë mbërritur të parat dhe kanë shfaqur një kapacitet domethënës në mbështetje të trupave tona”, u shpreh Rama.

Rritet bilanci, 24 të vdekur dhe 44 numri i të shpëtuarve. Mbi 650 të lënduar

Shkon në 24 numri i personave që humbin jetën nga tërmeti i së martës në mëngjes. Në orët e mbrëmjes u bë nxjerrja nga rrënojat e një nga dy vëllezërve kosovarë që humbën jetën në këtë tërmet. Ndërkohë, u konfirmua dhe vdekja e një të riu në Thumanë, i cili në fakt dukej në gjendje të mirë gjatë ditës.

Mbrëmjen e të martës u shpëtua dhe një tjetër person i mbetur në rrënoja. Ajo është një 30-vjeçare, e cila kishte mbetur në rrënojate  një pallati 6-katësh pranë shkollës së “Mjeshtërisë”. Shpëtimi i 30-vjeçares u bë i mundur nga forcat speciale RENEA e cila është dërguar më herët në spital për ndihmë mjekësore. Më herët Renea nxorri  edhe vajzen e saj të mitur 8-vjeçare e cila kishte humbur jetën. Megjithatë, 30-vjeçarja nuk ka mundur t`i mbijetojë plagëve pasi ka humbur jetën në spital.

Më herët, gjithashtu një 35-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat e hotel “Mira Mare” në Durrës. Shtetasi Adriatik Boti nga Dibra është një nga personat me fat që arritën të mbijetonin nën rrënojat e banesave nga lëkundjet e forta të tërmetit me magnitudë 6.3 Rihter.

Nga rrënojat e hotel “Mira Mare” janë nxjerrë deri më tani dy trupa të pajetë, ndërsa i tretë, 35-vjeçari, fatmirësisht është nxjerrë i gjallë.

Dëmet më të mëdha të tërmetit janë shkaktuar në Durrës dhe Thumanë, ku disa banesa dhe objekte u shembën duke bllokuar nën rrënojat e tyre njerëz që ndodheshin aty. 44 persona raportohet se janë shpëtuar nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë, ndërsa të paktën 24 të tjerë konfirmohen të vdekur, ndërsa mbi 650 janë të plagosur. Ndërkohë operacioni për shpëtimin e personave të mbetur në rrënoja do të vijojë edhe gjatë natës.

Tirana lëkundet nga tërmeti 3.6 ballë

Qyteti i Tiranës u lëkund nga një tërmet me magnitudë 3.6 ballë në orën 10:10 të së dielës. Epiqendra e tërmetit ishte 15 km larg Tiranës, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe në qytetin e Durrësit. Deri më tani nuk dihet nëse ka dëme materiale në zonat pranë epiqendrës.

Lëkundjet kanë krijuar panik te qytetarët, pasi rreth dy muaj më parë, më 21 shtator Tirana u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 5.8, që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.

Skip to toolbar