Kryeministri Edi Rama mblodhi përsëri qeverinë në mbledhje të jashtëzakonshme për situatën pas tërmetit. Ai lajmëroi se të dielën do të mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit, ndërsa paralajmëroi një konferencë informimi publik. Kjo konferencë do të shërbejë për qëllime informimi, ku njerëzit të kenë mundësi të evidentojnë dëmet nga tërmeti.
“Kemi grupe inspektorësh që kanë ardhur, grupe që po vijnë dhe është me shumë rëndësi të garantohet organizimi i plotë i punës. Këta ekspertë janë të përgatitur për këto situata. Unë i kam kërkuar të gjithëve dje dhe kemi filluar punë për të filluar sa më shpejt një konferencë informimi publike që të ekspozojnë fotografi, fakte nga puna e tyre me shpjegime teknike që njerëzit të dallojnë mes godinave të krisura dhe godinave të rrezikuara. Pamja e jashtme e godinave nuk është tregues i një situate të rrezikshme. Sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit’, tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se sot do të aktivizohet fondi prej 10 milion lekësh. “Fondi prej 1 milion lekësh te reja do të aktivizohet sot. Reagimi i parterëve është inkurajues. Mos harroni se është edhe një familje në Kosovë që duhet kontaktuar dhe duhet marrë këtë fond. Fëmijët do marrin bursën prej 15 mijë lekësh që do ta kenë deri në fund të shkollës së tyre, gjimnaz apo dhe universitet. Sot mblidhet Komiteti Kombëtar i Rindërtimit dhe me rëndësi është organizimi i punës”, tha Rama.
Ndërkohë, shefi i qeverisë paralajmëroi se arsimi mund të pezullohet edhe për një javë. Ai tha se mësimi në shkolla duhet të kalojë në plan të dytë në këtë situatë. “Duhet që në këto ditë mësimi të kalojë në plan të dytë. Duhen organizuar biseda, lojëra, shtëtitje të përbashkëta. Do kemi kohë të rikuperojmë orët e mësimit dhe kjo është koha për të bërë sa më shumë në këtë aspekt. Çdo klasë në zonat e prekura ka nevojë për këtë asistencë njerëzore”, tha Rama