Korça me “fat”, tërmet në fushatë. Qeveria do ndërtojë gjithë shtëpitë…

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti në fshatin Flloq të Korçës. Banorët prej disa ditës ndodhen të strehuar nëpër çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura, ndërsa vetë ministrja theksoi se po punohet për t’i mbështetur të prekurit nga tërmeti me ushqime, veshje, ilaçe dhe strehim.

“Ministria e Mbrojtjes do të japë ndihmë edhe në rimëkëmbjen e shtëpive dhe do të dëmshpërblehet çdo banor i prekur nga tërmetet. Në sensibilizim të ngjarjes, aksionit të Ministrisë së Mbrojtjes i janë bashkuar edhe struktura vullnetare.” – tha Xhaçka nga çadrat e banorëve.

Aktualisht shumë banorë janë strehuar përkohësisht në qendra sociale, spitale dhe çadra, pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmeteve. Prej disa ditës Korça vijon të lëkundet nga tërmetet, duke i lënë banorët në gjendje paniku. Lajmi i “mirë” në këtë tragjedi, eshte se ajo ndodhi në fushatë dhe qeveria pritet ta zgjidhe qesen shpejt…

Shfaqet Salianji nën gërmadha: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Ish deputeti demokrat Ervin Salianji, duke e cilësuar emergjente situatën në qytetin e Korçës, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe përqendrimin e të gjitha burimeve në këtë bashki për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

Në një postim në facebook, Salianji akuzon qeverinë që i ka lënë, sipas tij banorët, nëpër çadra pa asnjë kusht, ndërsa shton se kjo situatë nuk zgjidhet me foto në facebook.

“Situatë më emergjente se çdo emergjencë, shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, dëmshpërblimi për çdo pronë të dëmtuar dhe përqëndrimi i gjithë burimeve në bashkitë Korçë, Devoll dhe Kolonjë, kryesisht në Floq, Qafzez dhe Vidohovë në zonat e shkatërruara nga tërmeti!

Fëmijë të vegjēl, gra, të moshuar dhe burra të gjunjëzuar dhe me lot dhimbje për mundin e gjithë jetës te shkuar dëm dhe për pamundësinë për të ndihmuar familjet që flejnë me keq se bagëtitë në kasolle apo çadra skandaloze pa asnjë kusht.

Nuk është kërkesë për përfitim politik, ështē kerkese njerëzore përcveçse detyrim ligjor për të ndihmuar qindra familje që vuajnë në mes të rrugëve! Nuk zgjidhet situata me facebook dhe me parada por me përqëndrim të çdo burimi në zonë, ka nevojë emergjente për ushqime, ilaće, batanije dhe më shumë se keto kanë nevojën të sigurohen që prona dhe jeta e tyre do të rindërtohen!

Turpi i mbuloftë gjithë ata punonjës administrate që e ndajnë për të majte dhe jo për votuesit e PD dhe pakon e makaronave që nevojitet për të mbajtur frymen e banorëve!”, shkruan Salianji.

Prej disa ditësh, Emergjencat Civile, ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë janë angazhuar në qarkun e Korçës për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmetet duke i siguruar atyre, fjetje, ushqim dhe shërbim shëndetësor gjatë 24 orëve.

Situatë më emergjente se çdo emergjencë, shpallja e gjendjes se jashtëzakonshme, dëmshpërblimi për çdo pronë të dëmtuar…

Gepostet von Ervin Salianji am Dienstag, 4. Juni 2019

180 banesa të dëmtuara nga tërmeti, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike disa nga të dhënat në lidhje me dëmet materiale që kanë ndodhur në Korçë si pasojë e lëvizjeve sizmike të vazhdueshme. Sipas Emergjencave Civile 230 banorë në Korçë, pjesa më e madhe në fshatin Floq, e kanë kaluar natën jashtë në çadrat që u ngritën nga Forcat e Armatosura pas tërmetit 5.3 ballë të ditës së shtunë.

“Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafëzes. Në Floq funksionon shërbimi shëndetësor në 24 orë. Deri më tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmetet, 7 prej të cilave të riparuara.” thuhet në deklaratë

Aktualisht banorëve ju është siguruar ushqimi, krevate dhe batanije, por frika për rikthimin në banesat e tyre është ende e madhe. Një pjesë e madhe e banorëve kanë mbetur në qiell të hapur, pasi banesat e tyre janë shkatërruar plotësisht.

Korça vijon të lëkundet edhe gjatë natës nga tërmeti

Qyteti i Korçës nuk ka gjetur qetësi as gjatë natës nga lëkundjet e tërmetit duke i lënë banorët të frikësuar dhe të pasigurt në shtëpitë e tyre. Gjatë natës janë raportuar disa lëkundje të tjera tërmeti por me magnitudë deri në 3.5 ballë.

Në fshatin Floq, ku shkatërrimi i shtëpive dhe dëmi material ishte më i madh, banorët e kanë kaluar natën në çadrat e ndritura nga Forcat e Armatosura. Ditën e shtunë Korça regjistroi lëkundjen më të fortë, 5.3 ballë, duke dëmtuar me dhjetëra banesa dhe plagosur 4 persona.

Tërmeti në Korçë, Basha: Të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për familjet e prekura

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për tërmetin e sotëm, që preku rajonin juglindor të vendit. Bashak ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të ndihmuar familjet e goditura nga lëkundjet e tokës.

“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për ndihmë ndaj familjeve të goditura nga tërmeti ne Korcë. Qindra banesa janë dëmtuar nga tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit rajonin e Korçës. Shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur dhe qindra të tjerë janë në panik se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre. Gjithçka kishin ndërtuar me sakrificë të madhe është shkatërruar”, shkruan Basha.

Më tej, Basha shkruan se duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duhen dedikuar fonde për shtëpitë e dëmtuara. Ai shprehet se nuk duhet humbuar asnjë çast për shkak të lojrave politike. “Duhet shpallur menjëherë gjendja e jashtëzakonshme në zonën e goditur dhe duhen dedikuar urgjent fonde për shtëpitë e dëmtuara”.

“Familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve dhe në gjendje tronditje dhe pamundësie totale shteti duhet t’ju ofrojë menjëherë ndihmë financiare dhe ushqim e strehë. Nuk duhet humbur asnjë çast për shkak të  paaftësisë apo lojrave politike, por duhet vepruar menjëherë dhe me veprime konkrete për të ndihmuar banorët e goditur”, shkruan Lulzim Basha.

Tërmeti në Korçë, reagon Meta: Të merren masa, vëmendje për banorët e prekur

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar duke shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Korçë dhe në fshatrat përreth që u prekën në tërmetet e natës së të premtes.

“Presidenti Meta u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të ndjekin me shumë vëmendje dhe të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi. Presidenti Meta u uron shërim të shpejtë qytetarëve të lënduar”, njofton presidenca.

6 tërmete, më i forti me magnitudë 5.3 prekën gjatë natës Korçen dhe fshtrat përreth, duke shkaktuar dëmtime në rreth 70 banesa, shumica të pabanuara dhe duke lënduar 4 qytetarë të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Skip to toolbar