“Tundojmë perëndinë”, Rama: Kush mbeti pa çati, nuk do lihet pas dore

Kryeministri Edi Rama, zëvendësi i tij Erion Braçe dhe Imami Elvis Naçi vizituan një nga zonat më të prekura nga tërmeti i së martës, Thumanën. Ata ndoqën nga afër punën e kërkim-shpëtimit të personave të mbetur në rrënoja. Gjatë një prononcimi për mediat, Kryeministri Rama u shpreh se do punohet pa pushim për të gjetur zgjidhje për banorët, të cilët kanë humbur banesat nga tërmeti.

“Dje ka qenë dita e shokut, por edhe që duhet të nxirreshin nga thellësia e gërmadhave. Është bërë një punë kolosale e skuadrave tona. Në këtë jemi bashkë të gjithë. Do të krijojmë Komunitetin Kombëtar të Ndërtimit. Po fillon transportimi i disa familjeve nga fusha e Durrësit drejt hoteleve, sepse është bërë marrëveshja. Po bëhen një listë tjetër që çfarë ka ndodhur në zonën e Laçit, ku disa familje janë të rrezikuara nga lëkundjet e fundit. Po filloj shiu do të kemi një problem më shumë, një shqetësim më shumë. Po shfrytëzojmë çdo minutë që kemi. Shkop magjik nuk kemi, duhet të ndajmë të njomin nga i thati. Kush ka mbetur pa çati, si rezultat i kësaj pabesie të natyrës nuk do mbetet pas dorës”, tha Rama.

 Më tej ai garantoi qytetarët të cilët janë solidarizuar se të gjitha ndihmat e tyre do të shkojnë për personat e prekur nga tërmeti. Ndërsa nuk munguan as mesazhet për klasën politike. “Çdo një që vendosi gjithsecili do të shkojë tek ata që janë në nevojë, Të gjitha paratë, edhe ato të buxheti do të jenë bashkë dhe të gjithë do të marrin përgjegjësit e menaxhimit. Njerëzit të mos e diskutojnë faktin se po e çoj lekun, por s’di se ku do shkojë. Po vijnë ndihmat nga katër anët. Ne do të japim një shembull e të mësojmë prej njëri-tjetri. Me thënë të drejtën, e thashë edhe më parë: E tundojmë perëndinë duke bërë gama gam, duke prodhuar energji negative kush më shumë e kush më pak. Më urtë më butë, më qetë. Ka një kohë për të luftuar, ka një kohë për të heshtur. Ka një kohë për të fjetur dhe ka një kohë për t’u zgjuar”-tha ai.

Nga ana tjetër, Elvis Naçi,i cili ka marrë përsipër ndërtimin e pallateve të prishuara në Thumanë tha se nuk është koha për kritika dhe sulme politike, por për punë e silidaritet. “Populli shqiptar ka kaluar në traumë. Të jemi më afër se kurrë me afër me njëri tjetrin. Të jemi afër dhe të shtrijmë dorën e solidaritetit. Pastaj kemi kohë edhe ta shajmë dhe ta kritikojmë njëri tjetrin. Ne e kemi gjithmonë program të dhurojmë shtëpia. Jemi një situatë se sa më afër të jemi, aq me shpejt do ta kalojmë  këtë sprovë. Kjo ishte sprovë shumë e madhe”-tha Naçi.

Situata pas tërmetit, Xhaçka: Ende nuk ka kaluar rreziku

Gjatë konferncës për mediat ku publikoi listën e emrave të viktimave të tërmetit, Ministrja Olta Xhaçka foli edhe për solidaritetin e treguar nga njerëzit deri tani. “Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit. Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, eshte pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit. Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, sic jam e bindur edhe te gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen te ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive te tyre”, tha Xhaçka.

Më tej duke shprehur falenderimin për njerëzit e solidarizuar, Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se rreziku ende nuk ka kaluar.  “Por dua ta shfrytëzoj këtë rast per te përsëritur te njëjtin mesazh. Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua te përsëris thirrjen per qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat jane organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 ore ne ditet ne vijim”, shtoi ajo.

Xhaçka u bëri thirrje autoriteteve vendore që të përshpejtojnë procesin, pasi bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve të njerëzve. “Po ashtu dua tu bej thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara”, u shpreh Olta Xhaçka.

Sizmologu Koçi: Tërmeti ishte 5.2 ballë, pasgoditje e tërmetit të së martës

Një tjetër tërmet i fuqishëm tundi vendin. Magnituda e tërmetit ishte 5.2 ballë, ndryshe nga sa u raportua në fillim për 5.6 ballë. Në lidhje me situatën, sizmologu  Rexhep Koçi në një lidhje drejtpërdrejt me “News 24” tha se magnituda e pas-goditjes ka qenë 5.2 e jo 5.6 ballë Righter, ashtu siç u tha në fillim.

Po ashtu, sizmologu deklaroi se tronditjet e tokës janë pas-lëkundje të tërmetit të së martës.

Ky tërmet nuk ishte 5.6, po 5.2 ballë i shkallës Righter. Ne kemi bërë vlerësim paraprak dhe del se kemi një tërmet të shkallës 5.2. Ne po përpunojmë materialin dhe nuk dimë sa ka zgjatur. Thellësia ishte 12 kilometër. Dimë se lëkundjet janë pas-goditje të tërmetit të së martës”, deklaroi sizmologu Koçi.

Anija me ndihma nga Italia ankoron në Durrës

Anija e nisur nga Italia me ndihma, mjete të specializuara dhe ekipe shpëtimi ka mbërritur në portin e Durrësit. Italia ishte një ndër vendet e para që u solidarizua me Shqipërinë në lidhje me dëmet shkatërruese të tërmetit me magnitudë 6.3.

“Pas goditjeve të tmerrshme, humbjeve njerëzore dhe dëmeve të mëdha vjen solidariteti i miqve Italianë. Sapo mbërriti në portin e Durrësit anija e guardia Costiera italiane CP940 LUIGI DATTILO që po sjell ekipe dhe mjete të specializuara në kërkim të mbijetuarve në ndihmë të Shqiptareve. Mirë se vini miq italianë në kohë të vështira” thuhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme Detare të Durrësit.

Tërmeti i orës 03:55 të mëngjesit të së martës shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe viktima në jetë njerëzore, numri i të cilëve pritet të rritet për shkak të personave të bllokuar nën rrënojat. Gjendja më kritike shfaqet në Thumanë dhe Durrës.

“Janë 9 persona në rrënoja”. Sizmologu Duni: Është realizuar skenari më i madh në Ballkan

Gazetarja e News 24, Klodjana Lala foli nga Durrësi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ajo konfirmoi se në qytetin e Durrësi janë ende 9 persona nën rrënoja, sipas autoriteteve, 6 prej të cilëve janë në vilën e familjes Lalaj.

“Janë ende 6 persona nën rrënoja në vilën e familjes Lalaj në Durrës. Nuk ka asnjë siguri për jetën e tyre. Autoritetit flasin dhe për të paktën 9 persona që mungojnë në apel, të raportuar nga familjarët e tyre”, tha gazetarja.  

Ndërkohë, në studio, sizmologu Llambro Duni tregoi se tërmeti pati një fuqi shkatërrimtare për shkak të kohëzgjatjes së tij. Duni u shpreh se ky tërmet ishtë më i madh se ai i vitit 1979. “Pjesa maksimale ka zgjatur 20 sekonda. Ishte më i madh në kohëzgjatje më të madhe se tërmeti i 21 shtatorit. Ky ishte tërmeti më i madh se ai i vitit 1979. Ai tërmet ka pasur 36 të vdekur”, tha Duni.

A rrezikojmë sërish apo jo? Kësaj pyetje, sizmologu iu përgjigj se në vazhdimësi do të ketë të tjerëa goditje të forta, por jo si ajo 6.4. “Me ndodhjen e kësaj ngjarje mendojmë se është realizuar skenari maksimal në Ballkan. Ndërkohë, ato që do vijnë më pas do jenë me intensitet të madh”, tha Duni.

Foto/ Qeveria publikon numrat e llogarive bankare ku mund të kontribuoni financiarisht

Qeveria publikoi mbrëmjen e të martës disa numrash llogarish banakre, nga ku qytetarët dhe ata që duan të japin kontribut financiar për familjet e prekura nga tërmeti mund të dhurojnë paratë e tyre.

Ndërkohë të mërkurën në mëngjes do të zhvillohet mbledhja e qeverisë. Foto e mëposhtme tregon dhe bankat me llogaritë nga ku mund të kontribuoni financiarisht.

Ministri grek viziton Shqipërinë, Dendias: Do t`ju ndihmojmë me çdo gjë

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikolaos Dendias vizitoi Shqipërinë këtë të martë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin. Ai takoi Presidentin Ilir Meta, duke shprehur solidaritetin e popullit grek për Shqipërinë dhe shqiptarët e prekur nga tërmeti i rëndë i së martës. Gjatë fjalës së tij, Dendias tha se Geqia do ta ndihmojë Shqipërinë me çdo gjë që ka nevojë.

“Ju falenderoj që më pritët, e di që janë çaste të vështira, kam ardhur këtu me kërkesë të kryeministrit për t’ju përcjellë ngushëllimet e popullit grek dhe për të ofruar ndihmesën tonë në ketë kohë nevoje. Fatkeqësisht Greqia ka një përvojë të gjatë nga tërmetet dhe ndërkaq dy ekipe të mbrojtjes dhe civil janë këtu për t’ju ndihmuar. Jemi gati t’ju ndihmojmë për çfarë do që të keni nevojë. Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e popullit shqiptar”, tha Dendias.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit tha se kjo është një situatë e jashtëzakonshme. “Ky tërmet është mjaft tronditës dhe mjaft tragjik dhe ky rrezik do t’i shërbejë sensibilizimit të më tejshëm të BE që ta përballojmë këtë situatë ta jashtëzakonshme që të reduktojmë maksimalisht pasojat në humbje njerëzish, por edhe dëmeve materiale”, përfundoi Meta.

Dy tërmete të forta shkundin sërish vendin, panik në Thumanë

Lëkundjet sizmike vijojnë të godasin sërish vendin me një magnitudë të lartë. Në harkun kohor të vetëm 3 minuta, zona e Tiranës, Durrësit dhe Thumanës u goditën nga dy tërmete të njëpasnjëshme me magnitudë 4.7 dhe 3.7 të shkallës Rihter, përkatësisht në orën 18:06 dhe 18:09.

Kjo ka ngjallur edhe më shumë panik te banorët, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit në Thumanë janë ndalur për pak minuta për shkak të lëkundjeve. Paniku dhe frika vijojnë të jenë prezente, ndërsa ekipet e shpëtimit janë larguar për disa minuta pas dy tërmeteve nga pallatet e shembura nga tërmeti i rënë në orën 03:55 me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter.

Bota e sportit solidarizohet me të prekurit nga tërmeti

Bota e sportit dhe kryesisht futbollit është solidarizuar me tragjedinë që preku Shqipërinë, pas tërmetit të së martës. Klube, bashkime tifozerish brenda dhe jashtë shqipërisë, drejtues ekipesh, trajner e personalitete të ndryshme, kanë shprehur solidaritetin e tyre me këtë tragjedi të rëndë. Presidenti i FSHF, Armand Duka, duke shprehur solidaritetin në emrin e tij, ndau dhe një mesazh publik mesazhet e solidaritetit që kishte marrë nga drejtues të federata homologe apo drejtues të UEFA.

“Miqtë e FSHF dhe Shqipërisë solidarizohen me ne, në këtë ditë të vështirë! Mora telefonata, mesazhe dhe propozime për ndihmë konkrete nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, Zv/Presidenti Sándor Csányi, Presidenti i Federatës Italiane Gabriele Gravina, trajnerët De Biasi, Panucci, Reja e shumë miq të tjerë. Biseda vëllazërore lidhur me situatën e krijuar nga tërmeti pata edhe me homologët e mi, Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi dhe Presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, të cilët shprehën solidaritetin dhe mbështetjen e tyre. Mirënjohje!”, shkruan Duka

Me një reagim në rrjetet sociale, ish-trajneri i kombëtares Giani de Biassi, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërs inkurajon Shqipërinë të përballojë këtë tragjedi me forcë.  “Me gjithë zemrën time shpreh afërsinë, dhimbjen time, për viktimat dhe për të gjithë popullsinë e goditur nga tërmeti në Shqipëri. Shpresoj shumë që të ktheheni në normalitet sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe se ka një ndihmë thelbësore për njerëzit që kanë humbur shtëpinë e tyre! Ngushëllime për ata që kanë humbur të dashurit në këtë përvojë të dhimbshme. Guxim dhe shumë forcë reagimi”, shkruan De Biassi.

Ndërkohë, grupime tifozësh, me Tifozat Kuq e Zi, “Dardanët”, “Plisat” dhe shumë grupime të klubeve në Shqipëri, kanë shprehur solidaritet dhe kanë nisur punën për të mbledhur ndihma të cilat më pas do të dërgohen në zonat e prekura nga tërmeti. Ndërkohë, klubi i Tiranës ngriti një minikamp në stadiumin “Selman Stërmasi” për tu ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në Tiranë.

“I përgjigjemi kombit mik”, Franca dërgon ndihma për Shqipërinë

Franca është një nga vendet që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, duke u shprehur se do të dërgojë në total rreth 100 persona të trajnuar për të përballuar emergjencën e krijuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin mëngjesin e të martës. Me anë të një komunikate zyrtare, Ministri i Brendshëm Christopher Castaner dhe Sekretari i Shtetit Laurent Nunez, shprehën solidaritetin e thellë me njerëzit e prekur nga tragjedia dhe Qeverinë shqiptare.

Më tej, Franca shprehet se solidaritetin nuk e shpreh vetëm me fjalë, por me vepra. Sipas komunikatës, brenda 24 orëve nga Franca do të vijnë rreth 100 veta personel civil dhe ushtarak për të ndihmuar forcat shqiptare për kërkim-shpërtimin e personave që ndodhen nën rrënoja. Pasditen e të martës, një aeroplan i shërbimit civil mbërriti në Tiranë për plotësuar nevojat logjistike të autoriteteve për të përballuar katastrofën.

Në mbrëmje, 44 ushtarë nga Njësia e Trajnimit dhe Reagimit për Mbrojtjen Civile do të niset nga Marsje për në Tiranë, me 15 tonë pajisje. Ndërkohë, mëngjesin e të mërkurës pritet të mbërrijnë dhe 50 zjarrfikës francez. Franca shprehet se nëpërmjet këtyre forcave, kërkon t`i përgjigjet përballimit të tragjedisë së një kombi mik.

Skip to toolbar