Situata pas tërmetit, Xhaçka: Ende nuk ka kaluar rreziku

AKTUALITET


Gjatë konferncës për mediat ku publikoi listën e emrave të viktimave të tërmetit, Ministrja Olta Xhaçka foli edhe për solidaritetin e treguar nga njerëzit deri tani. “Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit. Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, eshte pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit. Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, sic jam e bindur edhe te gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen te ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive te tyre”, tha Xhaçka.

Më tej duke shprehur falenderimin për njerëzit e solidarizuar, Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se rreziku ende nuk ka kaluar.  “Por dua ta shfrytëzoj këtë rast per te përsëritur te njëjtin mesazh. Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua te përsëris thirrjen per qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat jane organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 ore ne ditet ne vijim”, shtoi ajo.


Xhaçka u bëri thirrje autoriteteve vendore që të përshpejtojnë procesin, pasi bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve të njerëzve. “Po ashtu dua tu bej thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara”, u shpreh Olta Xhaçka.




Skip to toolbar