Lazio udhëton sot drejt Milanos, aty ku nesër do të përballet me Milanin në ndeshjen e radhës të Serisë A. “La Gazzetta Dello Sport”, më shumë se sa ndeshjes që është e rëndësishme për të dyja ekipet, Milan dhe Lazio, i ka kushtuar vëmendje të veçantë portierit shqiptar, Thomas Strakosha. Ky i fundit kthehet përsëri në stadiumin dhe qytetin ku nisi debutimin në Serinë A në 20 shtatorin e vitit 2016.
Në atë ndeshje portieri i parë, Marchetti mungon, ndërsa Inzagi vendos t`i besojë një vend titullari Thomas Strakoshës, duke anashkaluar portierin e dytë Vargic. Një besim i tepruar i Inzagit, por që do të shpërblehej në vijim.
Ndonëse atë takim, Lazio e humbi me rezultatin 2-0 për Milanin, Thomas Strakosha nuk u vu në bankën e të akuzuarve. Që prej asaj dite filloi rritja, duke e bërë atë numrin një të Lazios. Ai nuk ka humbur asnjë minutë në ndeshjet e kampionatit të këtij sezoni, duke u bërë një element kryesor i ekipit të Inzaghit.
Humbja ndaj Spal dhe barazimi ndaj Sassuolos, kanë ngadalësuar ritmin e Lazios për të arritur zonën e Europës, duke lënë në hije performancën e ekipit, përfshirë dhe portierin. Megjithatë, në ndeshjen e dy javëve më parë kundër Interit në “San Siro”, Strakosha ishte ndër lojtarët kryesor në një sukses shumë të rëndësishëm jo vetëm për renditjen.
Strakosha ka bërë mirë në disa ndeshje në këtë stadium, përfshi këtu dhe në kualifikimin e Lazios në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Interit, ku tashmë do të përballet me Milanin më 24 prill, po në “San Siro”.
Dita e nesërme do të synojë t`i japë vazhdimësi Strakoshës me ndeshjet pozitive të lidhura me stadiumin ku ka bërë debutimin e tij në Serinë A. Perspektiva për të arritur Ligën e Kampionëve duke mundur Milanin, është në duart e tij. Në “San Siro”, strakosha bëhet një siguri shtesë, Inzaghi tani kërkon një konfirmim të ri.