“Toyota Yaris”, Gjykata zbut masën për 6 të dyshuarit. Lirohen 4 të arrestuarit

Të premten pasdite, Gjykata e Tiranës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar për rastin e bujshëm të “Toyota Yaris”. Sipas Balkanëeb, ndonëse janë ende në arrati, Gjykata vendosi që dy kushurinjtë Elvis dhe Alfred Vladi të jenë nën masën “Detyrim paraqitje”, nga ajo “Arresti me burg në mungesë” që ishin më parë. Gjithashtu, “Detyrim paraqitje” do të kenë edhe katër personat e tjerë që ndodheshin në burg, dhe që u arrestuan gjatë kohës që u tentua të kaloheshin në mënyrë të paligjshme 3.4 milionë euro jashtë Shqipërisë nëpërmjet Portit të Durrësit.

Konkretisht, Alban Mollaymeri, Agim Çekaj, Klevis Cani dhe Edi Lika do të dalin nga paraburgimi duke pasur masën “Detyrim Paraqitje”. Ende nuk është zbardhur arsyetimi i gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë për 6 të dyshuarit. Ishte Prokuroria e Durrësit ajo që nisi hetimet fillimisht, pasi u bllokuan 3.4 milionë euro në dy mjetet “Toyota Yaris” që do kalonin jashtë vendit. Mirëpo, duke qenë se akuzat që u ngritën ishin për “grup i strukturuar kriminal”, dosja i kaloi ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Megjithatë, kjo prokurori, përpara se të shkrihej për t`i lënë vendin krijimit të SPAK, e dërgoi dosjen te Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi akuzat për “grup kriminal”.

Kështu, gjykata vendosi të zbusë edhe masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar, 4 prej të cilëve ishin në burg dhe dy të tjerë në arrati. Rasti i “Toyota Yaris” u denoncua fillimisht nga ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në paralament, i cili akuzoi se deputetë të Partisë Socialiste kishin lidhje me paratë që u kapën në makina. Megjithatë, këto akuza nuk u vërtetuan asnjëherë, ndërsa vetë Basha ndryshoi disa herë qëndrim në deklaratat e tij përpara prokurorëve. Për të njëjtën çështje nisi hetimi edhe nga Prokuroria e Belgjikës, e cila gjithashtu ka shpallur në kërkim dy kushurinjtë Vladi.

Ndërsa, dy prokurorë belgë gjatë vitit 2019 erdhën dhe në Shqipëri për të marrë në pyetje kreun e PD, Lulzim Basha. Hetimet për dosjen e bujshme “Toyota Yaris” u mbyllën në shtator të vitit të kaluar, ku ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela kërkoi nga prokurorët e çështjes të dërgonin dosjen në gjykatë, pasi sipas saj “po kalonin afatet” e masës “arrest me burg” për 4 personat e dyshuar. Megjithatë, në 29 tetor të vitit të kaluar, ishte Gjykata për Krimet e Rënda (aktualisht Gjykata e Posaçme), që ktheu për rihetim dosjen “Toyota Yaris”. Ndërsa të premten në datë 17 janar, Gjykata e Tiranës ndryshon përsëri masën e sigurisë për 6 personat e dyshuar, duke u dhënë lirinë 4 personave të arrestuar, por dhe dy të tjerëve që ndodhen në arrati. /Realstory.al/

Lala: Prela ndikoi te hetimi i “Toyota Yaris”

Gazetarja Klodiana Lala në lidhje direkte për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, deklaroi se Donika Prela shkeli ligjin me udhëzimin për të dërguar në gjykatë dosjen “Toyota Yaris”. Sipas gazetares, prokurorja Prela tejkaloi kompetencat duke ndikuar në hetimin e kësaj dosje. “Prokuroria e pranon vetë se nuk e di se kush janë pastruesit e parave. Ky udhëzim është urdhër, sepse jepet urdhër që çështja të shkojë në gjyq para datës 24 shtator. Zonja Prela ka vepruar kundër asaj që thotë ligji, më kanë thënë ish-prokurorë e njerëz që njohin ligjet”, tha Klodiana Lala.

Më tej, sipas saj, Donika Prela mund të nxirrte një udhëzim vetëm për të kërkuar shpejtim të hetimeve, ndërsa me udhëzimin për të çuar dosjen ne gjykatë, sipas Klodiana Lalës, Donika Prela, ndikoi në ecurinë e hetimeve.

“Zonja Prela do të ishte në rregull me ligjet nëse do kërkonte shpejtim kur ka mangësi. Prela ka diktuar mënyrën si kanë ecur hetimet. Me reformën në drejtësi, prokurorët duhet të punojë në mënyrë të pavarur. Me garanci dhe përgjegjësi maksimale iu konfirmoj se sot ka pasur debat të fortë në Prokurori të Krimeve të Rënda për këtë çështje. Prela në njëfarë mënyre ka pranuar gabimin që ka bërë. Vetëm prokurorët mund të çojnë çështjen në gjyq dhe jo drejtuesit e Prokurorisë. Akoma veprohet me mendësinë e vjetër. Dosja zyrtarisht ka mbërritr te Krimet e Rënda me firmë të Prelës”, u shpreh gazetarja.

Koldiana Lala solli në kujtesë, për analogji me rastin në fjalë, hetimet për dosjen e financimeve ruse të Partisë Demokratike. “Nëse ju kujtohet çështja e parave ruse, është akuzë zyrtare ndaj liderit demokrat Lulzim Basha, por çështja nuk ka shkuar në gjyq. Në rastin konkret ka cenuar haptazi punën e prokurorëve”, tha gazetarja Klodiana Lala. Megjithatë, në një reagim të bërë gjatë ditës së martë, Donika Prela u shpreh se “nuk kishte detyruar” mbylljen e hetimeve të kësaj dosje. Sipas drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, udhëzimin në një formë të tillë, ia lejon ligji.

“Toyota Yaris” i kthehet në bumerang Bashës, rrezikon të merret i pandehur

Në përpjekje për të dëmtuar imazhin e deputetit Balla, Manja dhe Cyrbja. Lulzim Basha po rrezikon të merret në akuzë për dëshmi të rreme në lidhje me çështjen “Toyota Yaris”.  Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit belg L.H. për denoncimin që bëri në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.

Në shpjegimet e dhëna nga Lulzim Basha rezulton se ai është tërhequr nga akuza e drejtëpërdrejtë për deputetet Taulant Balla, Ulsi Manja dhe Jurgis Cyrbja, por ka sjelle si provë të akuzës së tij në Parlament, informacionin për një udhëtim të tre deputeteve socialist jashtë Shqipërisë disa ditë përpara se ngjarja të ndodhte në Durrës raporton Tema. Basha, gjatë fjalës së tij në parlament, ka theksuar se Taulant Balla kishte qenë para disa ditësh në Gjermani, ndërsa përpara prokurorit belg ka thënë se Balla ka qenë jashtë Shqipërisë, pa specifikuar Gjermaninë.

Për këtë qëllim, prokurori belg dhe ata shqiptare kanë bërë verifikimet në sistemin TIMS dhe u rezulton se deputetet kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë, por në asnjë rast nuk kanë lidhje me deklarimet e Lulzim Bashës. Dosja “Toyota Yaris” është gati për të shkuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa Basha mund të merret i pandehur bazuar në nenin 305/b “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Lulzim Basha ka gjithashtu çështje të hapura me drejtësi, ku ai akuzohet për pastrim parash me rusët gjatë një lotimi në Amerikë, çështje e cila po hetohet si në Shqipëri, ashtu edhe në SHBA.

“Toyota Yaris”, Basha të enjten në “sitën” e prokurorëve belg

Të enjten në orën 09:00, Lulzim Basha është thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rëna, në lidhje me dosjen e njohur si “Toyota Yaris”. Basha do të duhet të dëshmojë para prokurorëve shqiptarë dhe katër të ardhur nga Belgjika, në lidhje me faktin se si e ka marrë informacionin, që në makinën “Toyota Yaris”, gjendeshin 3.4 milionë euro, tashmë të sekuestruara. Të martën, PD konfirmoi se Basha ishte i gatshëm të bashkëpunonte për këtë dosje, por nuk saktësoi nëse ai do të shkonte apo jo nëprokuri.

“Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes. Zoti Basha është në kontakt me autoritetet belge dhe mbetet ne pritje te rakordimit me to per menyren e bashkepunimit”, raportonte një media në vend, duke cituar burime brenda PD.

Megjithatë, ajo që mbeti e pakonfirmuar është pikërisht fakti nëse Basha do të shkojë apo jo në prokurori, për të dëshmuar, ku do të duhet të tregojë ato që ai di në lidhje me këtë çështje. 3.4 milionë eurot e gjetura në mjete “Toyota Yaris”, u sekuestruan në 24 qershor të 2018, pas një aksioni të policisë së shtetit në portin e Durrësit.

Ndërkohë, Lulzim Basha e denoncoi i pari në Kuvend çështjen. Hetimet për këtë dosje vijojnë paralelisht në Shqipëri dhe Belgjikë, pasi shteti belg ishte vendi nga kishin ardhur eurot në Shqipëri. Deri më tani janë arrestuar 4 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

“Toyota Yaris”, Basha i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorët belgë

Të enjten më 25 korrik kreu i PD-së Lulzim Basha do të merret në pyetje nga prokurorët belg për çështjen e “Toyota Yaris”. Mediat në vend kanë bërë të ditur se Basha është shprehur i gatshëm të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge.

Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e aferës së pastrimit të miliona eurove për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro.

Prokurorët belgë do të zhvillojnë takime me grupin që po kryen hetimet për dosjen, si edhe me prokurorë të Krimeve të Rënda, Doloresa Musabelliu dhe Ened Nakuci. Nuk dihet nëse ky grup prokurorësh belgë do të asistojnë gjatë marrjes në pyetje të kreut e PD-së por ato do të jenë prezent deri të enjten ën Shqipëri. Kryedemokrati Basha ishte personi që denoncoi në Kuvend çështjen e ‘Toyota Yaris’.

Dosja “Toyota Yaris”, Krimet e Rënda lënë në burg shoferin

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka hedhur poshtë kërkesën për lirimin e një prej të arrestuarve në lidhje me dosjen “Toyota Yaris”. Gjykata ka lënë në burg Agim Cekën, shoferin e karrotrecit në të cilin gjendej ‘Toyota Yaris’ ku ishin fshehur 3.4 milion euro.  Avokati i Agim Cekës i kërkoi Apelit lirimin e klientit të tij me arsyetimin se kishin mbaruar afatet hetimore, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë. Hetimet ndaj tij u shtynë deri më 24 shtator të këtij viti.

Sasia e madhe e parave prej 3.4 milionë euro që u gjetën në një makinë “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, është duke u hetuar jo vetëm në Shqipëri por edhe nga Belgjika. Prokuroria belge i ka kërkuar prokurorisë shqiptare të pyesë për llogari të saj kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nga e kishte mësuar informacionin për makinën me para.

Disa persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, 4 prej të cilëve në Shqipërisë, konkretisht: Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa të proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

“Toyota Yaris”, Belgjika letër porosi për Bashën

Sasia e madhe e parave prej 3.4 milionë euro që u gjetën në një makinë “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, është duke u hetuar jo vetëm në Shqipëri por edhe nga Belgjika.

Prokuroria belge i ka kërkuar prokurorisë shqiptare të pyesë për llogari të saj kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nga e kishte mësuar informacionin për makinën me para.

Prokuroria belge ka i ka kërkuar prokurorëve të çështjes që t’i bëjnë tre pyetje kreut të PD: Si u informua Basha për sasinë prej 3,4 milionë Euro? Cilat ishin informacionet ekzakte? Kush ia dha zotit Basha këtë informacion?

Kjo kërkesë vjen në Shqipëri, pasi në Belgjikë prej disa muajsh kanë nisur hetime për 12 persona për akuzën e pastrimit të parave. Personat e proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

Një ditë para se ngarkesa të kapej, kreu i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar, kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla si të përfshirë në këtë çështje, ndërsa ky i fundit i ka cilësuar akuzat si shpifje.

Skip to toolbar