Policia e Shtetit ka liruar 3000 m2 plazh publik në Velipojë dhe Pogradec, i zaptuar në mënyrë të paligjshme nga biznese private. Në kuadër të aksionit “Plazhi i lirë”, që nisi në Ksamil tre ditë më parë, policia e shtetit ka nisur procedimin penal për 12 pronarë subjektesh, 9 në plazhin e Velipojës dhe 3 në Pogradec, të cilët akuzohen për veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dhe “Zënia e hapësirës publike”.
Konkretisht, Policia e Shkodrës në bashkëpunimin me FNSH Shkodër, liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 3000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë arsye janë proceduar penalisht 9 pronarë subjektesh në Velipojë, nga të cilët: 8 pronarë të subjekteve tregtare për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 shtetas për veprën penale “Zënia e hapësirave publike”.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të adhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve” shtetasit me inicialet: E. E., Gj. Rr., P. N., K. M., K. Gj., N. R., N. U. dhe L. F., të cilët në plazhin publik Velipojë kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme. Po në vijim të operacionit u procedua penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, shtetasi Gj. F., pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se ky shtetas kishte zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.
Operacioni ka vijuar dhe në Pogradec, ku janë proceduar penalisht për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 3 shtetas, të cilët ushtronin aktivitetin privat të tyre, pa dokumentacionin përkatës.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim e zbatim të planit të masave për evidentimin, ndëshkimin e paligjshmërisë dhe konkretisht goditjen e rasteve kundër informalitetit, proceduan penalisht shtetasit me inicilaet: E.M., 31 vjeç, A.M., 46 vjeç dhe SH.R., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë ushtruar në aktivitetet e shtetasve të lartpërmendur (plazhe private), në Pogradec, janë konstatuar një pjesë e shezlongëve pa dokumentacionin përkatës.