Moshat e Shqipërisë, U17 pëson humbjen e dytë, tjetër barazim për U16

Dy ndeshje dy humbje për kombëtaren U-17 të Shqipërisë, e drejtuar nga Elvin Beqiri. 17-vjeçarët kuqezinj janë mundur dhe në takimin e dytë miqësor, që kanë luajtur kundër Maqedonisë së Veriut në stadiumin “Skënderbeu” në qytetin e Korçës. U-17 është mundur me rezultatin 0-2 në takimin e dytë, pas humbjes 1-0 që pësoi në ndeshjen e luajtur pak ditë më parë në Ohër.

Ndeshja ka filluar e qetë, me të dy skuadrat që në minutat e para kanë studiuar kundërshtarin. Maqedonasit gradualisht kanë marrë kontrollin e lojës dhe në minutën e 16-të, Borshe Gogov kaloi në avantazh fqinjët. Skuadra e Beqirit reagoi duke krijuar dy mundësi shënimi por nuk u finalizuan me sukses.

Në minutën e 40-të, Maqedonia e Veriut shënon dhe golin e dytë me anë të Filip Talakov, duke shkuar në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Në pjesën e dytë, kuqezinjtë janë hedhur në sulm për të ndryshuar rezultatin por mbrojtja kundërshtare ka qënë hermetike dhe nuk arritën të shënojnë.

Ndërkohë, kombëtarja U-16 e drejtuar nga Elvis Sina ka barazuar 1-1 me Dinamo Brest në turneun “Etlinger 2019”. Për kuqezinjtë e vegjël ky është barazimi i dytë pas rezultatit 2-2 ndaj skuadrës së SPAL. Kombëtarja jonë ka kaluar e para në avantazh në minutën e 4-t të pjesës së parë, falë golit të Adrian Nezirit, dhe me këtë rezultat është mbyllur fraksioni i parë i lojës.

Në pjesën e dytë përfaqësuesja jonë ka krijuar shumë raste por pa fat në portën e kundërshtarit. Dinamo Brest në minutën e 57-të e ka kapur në befasi U-16 dhe ka ekuilibruar rezultatin. 1-1 mbyllet ndeshja e dytë e turneut.

Miqësoret, Shqipëria U-19 mund vëllezërit në Kosovë, disfatë për 17-vjeçarët

Ekipi U-19 përfaqësues i drejtuar nga Nevil Dede ka mundur Kosovën, në ndeshjen e dytë miqësore, që është luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. 19-vjeçarët kuqezinj kanë triumfuar me rezultatin 4-1 ndaj vëllezërve kosovarë.

Sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat, dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Chelsea, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0. Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës duke shënuar edhe 2 gola të tjerë.

 Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyqin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gol që vulos dhe rezultatin i cili nuk do të ndryshoj deri në fund. Më datë 3 Qershor, vetëm dy ditë më parë, në Drenas u luajtur miqësorja e parë që u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 3-1, falë një dopiete të Muçit dhe golit të Brojas.

U-17 mundet nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja U-17 është mundur nga bashkëmoshatarët e saj të Maqedonisë së Veriut me rezultatin minimal 1-0, në ndeshjen e parë miqësore, që kuqezinjtë e drejtuar nga Elvin Beqiri kanë zhvilluar ndaj fqinjëve tanë.

Ndeshja e luajtur në Ohër përfundoi me vetëm një gol, shënuar nga një 17-vjeçar shqiptar, që aktivizohet në ekipet zinxhir të shtetit fqinj. Maqedonia e Veriut kaluan në avantazh në minutën e 2-të falë një penalltie të shënuar nga Behar Feta. Kombëtarja jonë ka krijuar disa raste por pa mundur të ndryshojë rrjedhën e miqësores.

Skip to toolbar