Ndjekje penale Pjetrit, vërtetohet arrestimi në Itali

Prokuroria e Përgjithshme përfundoi verifikimet për ish-kryebashkiakun e Shkodrës Valdrin Pjetri. Nga një komunikatë zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se janë vërtetuar akuzat e ngritura për Valdrin Pjetrin, se  në vitin 2003 ai është arrestuar në Itali. “Në përfundim të verifikimeve të kryera është provuar se subjekti Valdrin Luigj Pjetri: Është arrestuar në flagrancë nga personeli i Policisë së Shtetit së Firences në datën 27.01.2003 së bashku me një shtetas tjetër shqiptar për shkelje të ligjeve mbi lëndën narkotike bazuar në ex art 73 DPR 309/90”.

Me vendimin penal Nr.474 të Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Luigj Pjetri është deklaruar fajtor për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe nga neni 73 paragrafi i 1 i Dekretit të Presidentit të Republikës të Republikës së Italisë, nr.309/90 dhe është dënuar me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj burgim dhe me gjobë  të barabartë me 2000 (dymijë) Euro, të zbritur për shkak të njohjes së rrethanave lehtësuese të përgjithshme, në 27 (njëzet e shtatë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.500 (njëmijë e pesëqind) Euro, e cila është zbritur për shkak të llojit të gjykimit në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.000 (njëmijë) Euro. Pezullim të dënimit dhe mospërmendje. Vendim i formës së prerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Më tej, Prokuroria sqaron se: “Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit më datë 03.02.2003 nga Kuestori i Firencës. Ndërsa është dëbuar nga territori Italian më datë 04.02.2003, masë e marrë nga Prefekti i Firences. Afati i dëbimit përfundoi më datë 24.07.2015”, thotë Prokuroria. Duke u bazuar në këto fakte, akuza shprehet më tej se Valdrin Pjetri ëshë subjekt i rivlerësimit.

“Mbi këtë bazë dhe referuar parashikimeve të ligjit Nr.138/2015, si dhe Vendimit të Kuvendit Nr.17/2016 është arritur në konkluzionet se: Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri, përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 pika 1 gërma “a” e ligjit Nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për shkak të dënimit nga Gjykata e Firences me vendim të formës së prerë”.

“Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri, përfshihet dhe në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, Kreu III-të, i Vendimit Nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mosdeklarimit prej tij në Formularët e Vetëdeklarimit të arrestit në flagrancë, ndjekjes penale ndaj tij në Itali, mosdeklarimit të dënimit penal të formës së prerë dhënë ndaj tij nga Gjykata e Firences dhe mosdeklarimit të masës së dëbimit nga shteti Italian”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në fund, Prokuroria shprehet se materialet e siguruara për Valdrin Pjetrin, ku vërtetohet akuza e mosdeklarimit në Formularët e Vetëdeklarimit i kalojnë Prokurorisë së  Tiranës për veprën penale “Falsifikim i Vulave, i stampave ose i formularëve”. “Në lidhje me mosdeklarimet prej subjektit në Formularët e Vetëdeklarimeve të fakteve të konstatuara materialet i kaluan për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kujtojmë se për shkak të akuzave të ngritura  nga Partia Demokratike në verën e këtij viti, pasi Valdrin Pjetri u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës në 30 qershor, ai nuk e bëri betimin duke dhënë dorëheqjen. Për këtë arsye, në Shkodër vijon të jetë kryetare e bashkisë Voltana Ademi.

Bushati: Valdrin Pjetri nuk u propozua nga PS

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati bëri një deklaratë të fortë ku tha se Valdrin Pjetri nuk është propozuar nga strukturat e PS së Shkodrës. Nga studio e emisionit ‘Real Story’ Bushati mohoi deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të PS, Taulant Balla që kishte bërë po në këtë studio më herët se “kandidati i Shkodrës ishte caktuar nga drejtuesi politik i qarkut Shkodër,” që në atë kohë ka qenë Ditmir Bushati.

“Valdrin Pjetri nuk është propozuar nga strukturat e PS së Shkodrës, por kjo ka pak rëndësi. Unë këtë e shoh si çështje politike. Duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, Unë i pari kam kërkuar ndjesë për këtë dhe kam kërkuar që dhe PS t’i kërkojë ndjesë Shkodrës. Valdrin Pjetri nuk ka ardhur nga karriera politike brenda PS. Tek ne ka çaluar procesi i karrierës.” tha Bushati

Ish ministri gjithashtu tha se kjo çështje duhet të zgjidhet dhe kjo do të bëhet përmes tre kritereve ku t’i jepet më shumë peshë strukturave të partisë, komunitetit por edhe të hapet gara brenda strukturave.

“ E para duhet t’i japim më shumë peshë socialistëve dhe jo ta thërrasim vetëm kur na nevojitet. E dyta duhet t’i japim më shumë peshë komunitetit pasi mund të kenë një shqyrtim më të mirë për kandidatë. E tretë gradualisht të vendosim garën brenda strukturave. Në këtë mënyrë i japim mundësi strukturës së partisë të gjallërohet dhe zgjerohet. Kjo është më e mirë për PS dhe komunitetin që ajo përfaqëson.” tha Bushati

Një bisedë për Valdrinin para 30 qershorit, me Ditmirin dhe Luanin

Nga Mero Baze

Para fushatës elektorale në Shkodër, kam pasur një bisedë të vështirë me dy deputetë socialistë të Shkodrës, të cilët nuk besonin se do të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor. Ishin Ditmir Bushati dhe Luan Harusha.  Ditmir Bushati nuk besonte se do të bëheshin zgjedhje, pasi kishte drojën se mijëra demokratë do vërshonin në qendra votimi dhe do t’i bllokonin, dhe se qeveria nuk mund të fuste popullin në burg. Ishte ajo çfarë në fakt thoshte opozita. Luan Harusha ishte pesimist se socialistët në Shkodër, ishin braktisur nga PS dhe nuk ishin të motivuar për të mbështetur kandidatin e tyre, pasi sipas Luanit, ishte i mbështetur në distancë nga njerëz të Doshit.

Ishte fjala për Valdrinin. Ditmir Bushati përpiqej t’ia hidhte poshtë rezervat ndaj kandidatit dhe e konsideronte të duhurin për PS, por fokusohej tek nevoja që PS duhet të bënte marrëveshje me PD para zgjedhjeve, ndryshe nuk kishte zgjedhje. Madje, për këtë s’më la gjë pa thënë dhe mua, që isha partizan i shkuarjes në zgjedhje me çdo çmim, duke më kujtuar që kisha marrë më qafë dhe Berishën me qëndrime të tilla dikur. Luani ishte pesimist për 30 qershorin nga fakti që socialistët e Shkodrës ishin lënë rrugëve dhe si pyeste askush. Ishte në fakt i pari debat që kam dëgjuar mes dy socialistëve shkodranë, që kishin arsye të ndryshme dhe përfundim të njëjtë pesimist për 30 qershorin në Shkodër.

Ishte aq pesimist debati mes tyre, sa mu krijua ideja se më shumë donin t’i mbushnin mendjen vetes, se mua, që nuk ka zgjedhje më 30 qershor. Në fund u thashë, “merreni qetë. Dhe nëse nuk ka zgjedhje më 30 qershor në Shkodër, meqë jeni kaq të frikësuar, bëhen pas dy javësh”. Në fakt, zgjedhjet u bënë dhe nuk dështuan as për arsyet që kishte Ditmiri, “frikën” nga revolucioni i Lulit, dhe as për arsyet që kishte frikë Luani, mërzitjen e socialistëve nga braktisja e PS në qendër.  Zgjedhjet e 30 qershorit në Shkodër u futën në krizë pas 30 qershorit, kur kandidatin që mbronte Ditmiri, dhe kundërshtonte Luani, për arsye të tjera, kishte një arsye më të fortë për ta hedhur në erë procesin, se ato që mendonin ata.

Në fakt, po e rikujtoj këtë debat pasi dëgjova Ditmir Bushatin sot, që me shumë të drejtë thotë se rasti i Valdrinit derdhi pikën e fundit të ujit. Tani nëse do gjykoja si Bushati, sot duhet të thosha që kam dëgjuar Bushatin ta mbrojë Valdrinin dhe në debat jo publik, dhe duhet të mbajë përgjegjësi, ashtu siç duhet të them që Luani ka arsye të jetë dhe më i mërzitur se Ditmiri, pasi edhe ata socialistë që kishte në punë, ja hoqi sot Edi Rama. Por është e padrejtë të them që Ditmiri mbronte një të inkriminuar, pasi as ai, as Luani, nuk e mbronin dhe kundërshtonin Valdrinin për atë që u bëri gjëmën, por për arsye të tjera.

30 qershorin nuk e hodhën në erë paranojat e tyre, por ajo që ata nuk dinin për Valdrinin, si shumë të tjerë. Dhe ajo që ata nuk dinin ishte e shkuara e Valdrinit. Tani do të isha kurioz t’i takoja të dy përsëri dhe të më shpjegonin si dështuan në parashikimet për 30 qershorin, dhe akoma më shumë, si nuk patën fuqi të parashikonin atë që do t’u bënte Valdrini pas 30 qershorit. Në fakt për këtë të dytën nuk kanë pikë faji, por kur dëgjoj Ditmirin që thotë dikush ka faj  për të, më shkon mendja ta bëj dhe këtë pyetje

Situata në Shkodër, Balla: Kërkojmë falje për Pjetrin, s`jemi si PD që ushqente Mziun në burg

Ka zgjatur rreth dy orë mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila kishte në fokusin e saj, situatën e krijuar pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit si kryebashkiak i Shkodrës. Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, për mediat ka folur Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Numri dy i socialistëve ka folur për zhvillimet gjatë mbledhjes, duke u shprehur se në Shkodër do të ketë një reformim tërësor të partisë.  “Kishim një mbledhje kryesie të partisë që ishte e fokusuar te një axhendë pune intensive që lidhet me një ripërtëritje që paraprijnë procesin zgjedhor në PS. PS është e vetmja forcë politike në vend që është në proces të vazhdueshëm restaurimi. Në strukturën e bashkisë Shkodër do ndërmarrim një proces ringritje dhe rigjenerimi. Kemi marrë një vendim për të patur një vëmendje të veçantë procesin e riformatimit të PS në Shkodër. Jam shpresë plotë se do krijojmë një model. Brenda PS kemi gjithmonë diskutime”, tha Balla.

Më tej ai foli për rastin e Vladrin Pjetrit, duke e konsideruar një përgjegjësi personale të kryebashkiakut të dorëhequr të Shkodrës, ndërsa shtoi se për të mos lejuar më raste të tilla, do të ashpërsohet ligji i dekriminalizimit.   “Nisur për rastin e Valdrin Pjetrit i cili u votua nga shkodranët por për shkak të një përgjegjësie tërësisht personale të garantimit të pastërtisë së figurës solli pasoja. Kryeministri ka thënë sot se kjo përgjegjësi personale e personave që nuk deklarojnë të shkuarën e tyre, ne ta ashpërsojmë, dhe një person të ndëshkohet më ashpër. Sa më i fortë ligji aq më i fortë reagim. Kryeministri ka qenë shumë i qartë. PS do vazhdojë të jetë forca motor jo vetëm në reformimin e brendshëm të saj.

Në fund, Taulant Balla u shpreh se PS i ka kërkuar popullit të Shkodrës falej, ndërsa shtoi se kurrë nuk do të ushqejë në burg njerëz të inkriminuar, siç PD, sipas Ballës, ushqente Xhelal Mziun. “Do krijohet një platformë të një komunikimi në kohë reale brenda strukturave të PS ku do depozitohet CV dhe të gjitha të dhënat e tjera. Ditën e parë që është vërtetuar mospërputhshmëria e kandidaturës së Valdrin Pjetrit me pritshmëritë e Shkodrës i kemi treguar. Ne i kemi kërkuar popullit të Shkodrës falje, por përgjegjësia është personale. PS nuk ka bërë kurrë mburojë për askënd. Nëse PD ka ushqyer Xhelal Mziun në burg, ne kurrë nuk e kemi bërë këtë”, tha Balla.

I pyetur se kush do të jetë drejtuesi i qarkut pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Taulant Balla nuk dha përgjigje. Ndonëse në media ishin publikuar emrat e katër figurave të njohura të PS, për të marrë drejtimin e Shkodrës, ky proces mesaduket do të lihet për më vonë, deri sa të përfundojë formatimi i degës lokale të Partisë Socialiste në Shkodër.

Çështja Pjetri, Bushati: Nuk trajtohet me largime masive, të kërkohet falje

Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, Ditmir Bushati, ka dalë i pari pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Bushati është ndalur duke mbajtur një komunikim për mediat, duke folur me tone të zbutura, por pa lënë mënjanë kritikat për rastin e Shkodrës. Fillimisht, Bushati u shpreh se nuk ishte nevoja të merrej masa për të kryer shkarkime masive si ajo në rastin e drejtorëve  të institucioneve në Shkodër.

“Natysisht nuk është një cështje që trajtohet në mënyrë ligjore, apo dhe me shkarkime në masë të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me situatën e krijuar. Kjo i kalon muret e organizatës politike”, tha Bushati. Më tej, Bushati ka komentuar situatën e krijuar në Shkodër, duke u shprehur se për rastin në fjalë duhe të kërkohej falje. Ndërsa tregon se PS duhet t`i nënshtrohet një reforme të thellë brenda vetes, në mënyrë që të parandalohen gabime të së shkuarës.

“Rrënjët e këtij fenomeni kanë nevojë për një reformë brenda organizatës politike, për të sjellë kulturë të re brenda organizatës politike. Ne na takon të njohim realitetin, të njohim përgjegjësinë politike, dhe të themi dhe më fal për komunitetet e caktuara. Unë po flas vetëm çështje të cilat kam adresuar, jam i bindur dhe nga kontaktet që kam pasur me njerëz të zakonshëm, ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta trajtuar dhe shfarosur këtë fenomen. Unë besoj se PS është partia e intelektit, ato gabime që kemi bërë në të shkuarën, i përjashtuam nga radhët tona, u përshëndetën dhe nga SHBA”, tha ndër të tjera Bushati.

Rama ‘shkrin’ drejtorët e Shkodrës, të mërkurën caktohet pasuesi i Pjetrit

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund pushimeve zyrtarisht. Pas refuzimit të mandatit si kryebashkiak i Shkodrës nga Valdrin Pjetri, Rama e ka nisur punën me një takim me strukturat e Partisë Socialiste të qarqeve veriore të vendit.  Takimi është mbajtur të martën rreth mesditës në Shëngjin të Lezhës, aty ku mësohet se Rama ka takuar drejtuesit e qarqeve veriore të vendit. Sipas raportimeve, mësohet se shefi i qeverisë është ndalur  kryesisht te puna e kryebashkiakëve të rinj, që kanë nisur punën pas betimit dhe futjes në zyrë.

Rama u ka përsëritur kryebashkiakëve të rinj që të mos “largojnë njerëzit nga puna”, ndërsa nuk dihet ende se çfarë është diskutuar për drejtimin e Shkodrës, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar të martën në Lezhë, Rama, sipas Report Tv, ka dhënë urdhër që drejtuesit rajonal të institucioneve në Shkodër, do të shkarkohen të gjithë nga detyra. Nuk dihen ende arsyet e këtij vendimi. Megjithatë, mësohet se të mërkurën kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim pasdite me drejtuesit e institucioneve rajonale në Shkodër, ndërsa më pas do të ketë një mbledhje kryesie për të caktuar drejtuesin politik të këtij qarku.

Pak ditë më parë, Realstory.al publikoi një dokument të mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Shkodrës, ku shfaqej pakënaqësia e socialistëve të këtij qyteti, jo vetëm me kandidaturën e Valdrin Pjetrit si kryebashkiak, por edhe me emra të tjetër të propozuar, siç ishte rasti i kryetares së re të këshillit bashkiak.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, Rama mori drejtimin politik të katër qarqeve të veriut të vendit, Taulant Balla ato të Shqipërisë së mesme, ndërsa Gramoz Ruçi në jug të vendit.  Ky takim i Edi Ramës me drejtuesit e qarqeve të veriut të vendit, vjen në një moment kur opozita ka sulmuar disa të zgjedhur vendor, që sipas saj, kanë dosje të hapura me drejtësinë brenda dhe jashtë vendit.  

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit në tavolinën e Metës, a do i jap fund krizës?

Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja i ka dërguar presidentit Ilir Meta dokumentin e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit duke e lajmëruar atë zyrtarisht se kjo bashki është pa kryetar.

Në letrën dërguar Metës cilësohet se sipas ligjit për ‘pushtetin vendor” këshilli i ri bashkiak me 51 anëtarë është konstituuar, por Bashkia Shkodër ka një vend vakant atë të kryetarit të saj. Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së 19 gushtit pranoi dorëheqjen e Pjetrit dhe njoftoi me shkrim institucionet përkatëse.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit i hap rrugë zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër, duke e futur atë në një ngërç të ri. Por a do ta thellojë Meta më shumë këtë krizë politike? Pas bërjes publike të dorëheqjes së Pjetrit, presidenti Meta nuk pranoi të dekretojë një datë të re për zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, pasi për atë zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe këmbëngul që zgjedhjet në mbarë vendin të zhvillohen më 13 tetor.

Zgjidhja duket se vjen përmes Kodit Zgjedhor. Kryetarja e re e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia deklaroi më herët se ky ngërç do të zgjidhet sipas Kodit Zgjedhor, i cili përmes nenit 161 mund ta nxjerrë jashtë loje presidentin Meta. Ky nen në pikën 6 të tij thuhet se “është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit të përsëritjes së tyre.”

Madje zgjedhjet e pjesshme në Shkodër mund ta fusin sërish PD-në në jetën politike duke e shpëtuar nga izolimi që i bëri vetes.

Megjithatë fillimisht duhet që presidenti Meta të jap deklaratën e tij zyrtare se çfarë qëndrimi do të mbajë në këtë situatë të re politike, do jap një zgjidhje për krizën apo do e thellojë më shumë atë?

PD, kërkesë prokurorisë për verifikim: Agim Kajmaku i Vorës, i arrestuar në Greqi

Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Vorës se ka qenë i arrestuar dhe i dëbuar nga Greqia. Për të vërtetuar këtë, PD i ka dërguar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë sa më parë procesin e verifikimit të Kajmakut, bazuar në ligjin për dekriminalizimin.

Shkresa e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është dërguar prokurorisë së përgjithshme dhe për dijeni ambasadës Amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe të gjitha ambasadave të tjera të huaja.

PD pretendon se Kajmaku për 12 vite me radhë nuk ka udhëtuar drejt Greqisë, ndërkohë që ka jetuar atje me një emër tjetër, Jorgo Toro dhe ka qenë i arrestuar, fakt të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut, që mban.

Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh.

“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”, – thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Publikimi më herët i dokumenteve nga PD që vërtetuan se Valdrin Pjetri i Shkodrës kishte qenë i dënuar disa vite më parë në Itali, bëri që Pjetri të dorëhiqej nga posti dhe të mos kryente betimin si kryebashkiak i Shkodrës, duke shkaktuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie. PD synon të shkarkojë edhe kreun e Bashkisë së Vorës, në rast se akuzat e saj rezultojnë të vërteta.

Epoka pas Valdrinit, debat i fortë në PS Shkodër

Një ditë para mbledhjes së këshillit të ri bashkiak të Shkodrës, të dielën më 18 gusht, dega lokale e Partisë Socialiste e këtij qyteti ka zhvilluar një mbledhje, ku është diskutuar rreth zhvillimeve në bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Mbledhja e drejtuar nga ish zëvendës kryeministrja Senida Mesi, dhe me praninë e deputetëve të PS në Shkodër, është shoqëruar nga debate të forta. Realstory.al ka siguruar procesverbalin e kësaj mbledhje, ku shihet se disa anëtar të kryesisë së PS në Shkodër shprehin zhgënjimin e madh për situatën e krijuar, duke thënë se ndihen ‘të turpëruar’. Pas fjalës hapëse të mbajtur nga Senida Mesi, që propozon emrin e Brisela Kadia si kryetare të re të këshillit bashkiak të Shkodrës, ka reaguar ashpër anëtarja e kryesisë, Tereze Brigja, që shprehet se socialistët e Shkodrës “nuk janë dele”.

“Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhra. Së pari të vini e të kërkoni falje për Kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e soli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin”.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Bledian Nika, duke kërkuar që Valdrin Pjetri të kërkojë falje. “Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po..po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë ma shumë vota se secili në këtë sallë…Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet”.

Më tej debati është ashpërsuar, kur Tereze Brigja ka kërkuar që në mbledhje duhet të ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ndërsa thotë se me Valdrinin i është bërë gropa socialistëve të Shkodrës.

“Ne jemi në demokraci, dhe nuk pranojmë të komandohemi kështu. Do doja shumë të ishte Edi rama këtu, ti them si më dhemb shpirti për këtë gjendje ku është katandisë PS Shkodër. Na bëri gropën me atë kandidat, që siç e pamë as në zonë të vet në Rrenc nuk fitoi. Nuk pat aftësi me njohtë kandidatin…si merr përsipër me na detyru prap figurë tjetër… Flas se kam kontribut në vite…kam derdhë djersë. A e dini ju ça do me thanë me drejtu njerëz me votu deri në maje të Dukagjinit, nëpër një shteg rruge ku kanë vdekë mbi 75 vetë?? Nuk e dini…se nuk ka të ngjashëm në qytet kjo sforco…Nuk kam më besë ndër njerëz me u kërku votë…se jena malsorë e kena besë! Keni bërë gabim fatal, dhe tani vini prap na komandoni! Të zhytur në turp”.

Ndërkohë debati ka vijuar edhe për emrin e kryetares së këshillit bashkiak, e cila nuk ka gjetur dakordësinë e kryesisë së PS në Shkodër. “Pse na vendosni gisht për të zgjedhur një femër? Ça lidhje ka? Nuk e thotë ligji! Po qe për ashtu kemi Aurora Dibrën”, ka thënë Diana Muriqi. Por Senida Mesia është shprehur se ajo është propozim politik. “Ne kemi urdhër politik për këtë emër. Dhe mos më tregoni mua procedurën e Këshillit Bashkiak”./Realstory.al/

Dorëheqja e Pjetrit, Hajdari: Sistem i kalbur, shqetësuese mungesa e alternativës

Vetëm pak pas njoftimit në Facebook të Valdrin Pjetrit, që njoftonte se jepte dorëheqjen nga marrja e detyrës si kryetar i Bashkisë Shkodër, ka reaguar kryetarja e grupit parlamentar të deputetëve të djathtë, Rudina Hajdari. Në një reagim në rrjetet sociale, Hajdari shprehet se “faji nuk është i individit, por i drejtuesve partiakë që i promovojnë në pozicione të larta drejtuese”.  “Çështja e Valdrin Pjetrit vërteton për të disatën herë se sa i korruptuar dhe i dështuar është sistemi ynë politik. Një individ me të kaluar kriminale vendoset si përfaqësues i Partisë Socialiste për të marrë postin e Kryetarit të Bashkisë në qytetin e Shkodrës. Problemi nuk qëndron tek individi, sa tek liderat partiakë që promovojnë figura të pista në pozicione të larta drejtuese apo sistemi i kalbur politik që lejon pseudo-liderat partiakë të tallen me qytetarët shqiptarë”, shkruan Rudina Hajdari.

Sipas saj, problemi më shqetësues në vend është mungesa e alternativës për qytetarët, një figure politike që t`i besojnë, pasi sipas Rudina Hajdarit, qytetarët kanë krijuar mendimin se “të gjithë janë njësoj”.  “Ajo që është akoma dhe më shqetësuese është se nuk ekziston një alternativë për qytetarët, një figurë politike që t’i besojnë, pasi fatkeqësisht u është mbushur mendja se të gjithë janë njësoj. Kanë humbur besimin tek kjo kastë politike që sheh vetëm interesin personal, duke e lënë në harresë interesin publik. Qytetarët shqiptarë janë të distancuar komplet dhe nuk reagojnë edhe kur ndodhin ngjarje të tilla absolutisht të papranueshme, për një vend që aspiron futjen në BE, pasi u ka vdekur shpresa”.

Në përfundim të komentit të saj, Rudina Hajdari shprehet se opozita parlamentare do të vijojë luftën kundër sistemit. Ajo thotë se opozita do të kërkojë Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi të përfaqëzohen nga individë me figurë të pastër. “E vetmja zgjidhje është ndryshimi i këtij sistemi politik e zgjedhor që po fundos Shqipërinë përditë e më shumë. Opozita Parlamentare do të vijojë luftën kundër këtij sistemi akoma dhe më e vendosur me Reformën Zgjedhore, në mënyrë që shqiptarëve t’u jepet mundësia të jenë të përfaqësuar nga individë me figurë të pastër, si nga ana ligjore ashtu edhe nga ana etike”, përfundon Rudina Hajdari.

Skip to toolbar