Rama ‘shkrin’ drejtorët e Shkodrës, të mërkurën caktohet pasuesi i Pjetrit

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama u ka dhënë fund pushimeve zyrtarisht. Pas refuzimit të mandatit si kryebashkiak i Shkodrës nga Valdrin Pjetri, Rama e ka nisur punën me një takim me strukturat e Partisë Socialiste të qarqeve veriore të vendit.  Takimi është mbajtur të martën rreth mesditës në Shëngjin të Lezhës, aty ku mësohet se Rama ka takuar drejtuesit e qarqeve veriore të vendit. Sipas raportimeve, mësohet se shefi i qeverisë është ndalur  kryesisht te puna e kryebashkiakëve të rinj, që kanë nisur punën pas betimit dhe futjes në zyrë.

Rama u ka përsëritur kryebashkiakëve të rinj që të mos “largojnë njerëzit nga puna”, ndërsa nuk dihet ende se çfarë është diskutuar për drejtimin e Shkodrës, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Gjatë mbledhjes së zhvilluar të martën në Lezhë, Rama, sipas Report Tv, ka dhënë urdhër që drejtuesit rajonal të institucioneve në Shkodër, do të shkarkohen të gjithë nga detyra. Nuk dihen ende arsyet e këtij vendimi. Megjithatë, mësohet se të mërkurën kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim pasdite me drejtuesit e institucioneve rajonale në Shkodër, ndërsa më pas do të ketë një mbledhje kryesie për të caktuar drejtuesin politik të këtij qarku.


Pak ditë më parë, Realstory.al publikoi një dokument të mbledhjes së Kryesisë së Partisë së Shkodrës, ku shfaqej pakënaqësia e socialistëve të këtij qyteti, jo vetëm me kandidaturën e Valdrin Pjetrit si kryebashkiak, por edhe me emra të tjetër të propozuar, siç ishte rasti i kryetares së re të këshillit bashkiak.

Në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, Rama mori drejtimin politik të katër qarqeve të veriut të vendit, Taulant Balla ato të Shqipërisë së mesme, ndërsa Gramoz Ruçi në jug të vendit.  Ky takim i Edi Ramës me drejtuesit e qarqeve të veriut të vendit, vjen në një moment kur opozita ka sulmuar disa të zgjedhur vendor, që sipas saj, kanë dosje të hapura me drejtësinë brenda dhe jashtë vendit.  




Skip to toolbar