Ndjekje penale Pjetrit, vërtetohet arrestimi në Itali

#NËRADAR


Prokuroria e Përgjithshme përfundoi verifikimet për ish-kryebashkiakun e Shkodrës Valdrin Pjetri. Nga një komunikatë zyrtare e Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se janë vërtetuar akuzat e ngritura për Valdrin Pjetrin, se  në vitin 2003 ai është arrestuar në Itali. “Në përfundim të verifikimeve të kryera është provuar se subjekti Valdrin Luigj Pjetri: Është arrestuar në flagrancë nga personeli i Policisë së Shtetit së Firences në datën 27.01.2003 së bashku me një shtetas tjetër shqiptar për shkelje të ligjeve mbi lëndën narkotike bazuar në ex art 73 DPR 309/90”.

Me vendimin penal Nr.474 të Gjykatës së Firences, subjekti Valdrin Luigj Pjetri është deklaruar fajtor për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal Italian dhe nga neni 73 paragrafi i 1 i Dekretit të Presidentit të Republikës të Republikës së Italisë, nr.309/90 dhe është dënuar me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj burgim dhe me gjobë  të barabartë me 2000 (dymijë) Euro, të zbritur për shkak të njohjes së rrethanave lehtësuese të përgjithshme, në 27 (njëzet e shtatë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.500 (njëmijë e pesëqind) Euro, e cila është zbritur për shkak të llojit të gjykimit në 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim dhe me gjobë të barabartë me 1.000 (njëmijë) Euro. Pezullim të dënimit dhe mospërmendje. Vendim i formës së prerë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.


Më tej, Prokuroria sqaron se: “Valdrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit më datë 03.02.2003 nga Kuestori i Firencës. Ndërsa është dëbuar nga territori Italian më datë 04.02.2003, masë e marrë nga Prefekti i Firences. Afati i dëbimit përfundoi më datë 24.07.2015”, thotë Prokuroria. Duke u bazuar në këto fakte, akuza shprehet më tej se Valdrin Pjetri ëshë subjekt i rivlerësimit.

“Mbi këtë bazë dhe referuar parashikimeve të ligjit Nr.138/2015, si dhe Vendimit të Kuvendit Nr.17/2016 është arritur në konkluzionet se: Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri, përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2 pika 1 gërma “a” e ligjit Nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, për shkak të dënimit nga Gjykata e Firences me vendim të formës së prerë”.

“Subjekti deklarues Valdrin Luigj Pjetri, përfshihet dhe në përcaktimet e pikës 3, gërma “ç”, Kreu III-të, i Vendimit Nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mosdeklarimit prej tij në Formularët e Vetëdeklarimit të arrestit në flagrancë, ndjekjes penale ndaj tij në Itali, mosdeklarimit të dënimit penal të formës së prerë dhënë ndaj tij nga Gjykata e Firences dhe mosdeklarimit të masës së dëbimit nga shteti Italian”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në fund, Prokuroria shprehet se materialet e siguruara për Valdrin Pjetrin, ku vërtetohet akuza e mosdeklarimit në Formularët e Vetëdeklarimit i kalojnë Prokurorisë së  Tiranës për veprën penale “Falsifikim i Vulave, i stampave ose i formularëve”. “Në lidhje me mosdeklarimet prej subjektit në Formularët e Vetëdeklarimeve të fakteve të konstatuara materialet i kaluan për kompetencë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kujtojmë se për shkak të akuzave të ngritura  nga Partia Demokratike në verën e këtij viti, pasi Valdrin Pjetri u zgjodh kryebashkiak i Shkodrës në 30 qershor, ai nuk e bëri betimin duke dhënë dorëheqjen. Për këtë arsye, në Shkodër vijon të jetë kryetare e bashkisë Voltana Ademi.




Skip to toolbar