Vetëvendosja kallëzon penalisht kërcënuesin e Albin Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje bëri kallëzim penal ndaj anëtarit dhe kandidatit për deputet të partisë “Nisma”, Haxhi Hoti, i cili kërcënoi Albin Kurtin. Në një reagim të orëve të vona të së shtunës, Vetëvendosja shkrun se kallëzimi penal u bë në Policinë e Prishtinës. “Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Më tej, VV shprehet se policia duhet të sqarojë nëse kërcënimi ishte i porositur apo i nxituar. Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje thotë se Haxhi Hoti, kërcënuesi i Albin Kurtit, është pjesë e koalicionit PAN, i “njohur për keqqeverisjen e Kosovës”.

“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.

Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës.

Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.

I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit. Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Mini-Shengeni, Vetëvendosja protestë kundër vizitës së Vuçiç në Tiranë

Të premten dhe të shtunën (20 dhe 21 dhjetor) në Tiranë do të mbahet takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet për krijimin e Shengenit Ballkanik. Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri lajmëroi një ditë përpara mbajtjes së këtij samiti, se do të zhvillojë një tubim përpara hotelit ku do të qëndrojë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në deklaratën për mediat, Lëvizja Vetëvendosje e quan Vuçiç një “kriminel lufte”, që po vjen në Shqipëri të “pozojë si bamirës”.

“Shqiptarët e dinë se presidenti i Serbisë ka qenë Ministër i Informacionit gjatë kohës kur regjimi i Milosheviçit ka kryer masakra të shumta në Kosovë. Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, kanë vjedhur artefaktet kulturore e fondin pensional, kanë shkatërruar mbi 50% të traktorëve dhe të bagëtisë në Kosovë, dukë bërë që Serbia t’i ketë borxh kombit shqiptar mbi 20 miliardë euro si dëmshpërblime lufte”.

“Qeveria Vuçiç vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës dhe punon pa u ndalur kundër interesave të kombit shqiptar. Sot që Kosova njëzëri refuzon të marrë pjesë në një takim ku ministri i Milosheviçit paraqitet si bamirës, interesi kombëtar na thotë se të njëjtin qëndim duhet të mbante edhe qeveria e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Kryetari i Borit të Vetëvendosjes në Shqipëri, Enis Sulstarova.

Të premten në orën 17:00, në lulishten “Qemal Stafa” do të mbahet dhe një tubim simbolik i kësaj lëvizje kundër vizitës së Aleksandër Vuçiç në Shqipëri dhe kundër “mini-shengenit Ballkanik”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga kjo lëvizje.

“Akuzat për Astirin, hap politik i Vetëvendosjes”

Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e Astirit ka qenë pjesë e diskutimeve në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në News 24. Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku komentoi reagimin e Lëvizjes vetëvendosje për dhunë dhe përplasjet e ndodhura në zonën e Astriti duke iu drejtuar me një shprehje tiranase “graj gamorin tat” duke i treguar se duhet të merret me punët e saj dhe se reagimi i sotëm ishte i pavend.

“Tironsit kanë një shprehje të bukur ‘graj gamorin tat’  që në thelb ka që secili të shoh punën e tij. Ndërhyrja e sotme e Vetëvendosjes nuk ishte e përshtatshme.’

Ndërsa për analistin Alfred Lela , Vetëvendosja ka ardhur në Tiranë që të ketë “gomarin” e vet në politikën e Tiranës. Lela tha se pavarësisht statusit të saj OJF në fakt synon që në të ardhmen të jetë pjesë e jetës politike të Tiranës

“Vetëvendosja do të ketë “gomarin” e vet në politikën e Tiranë. Edhe pse e regjistruar si OJF që nuk është gjë tjetër veçse parapërgatitja e tyre e futjes në jetën politike të Tiranës. Kemi parë edhe Bushatin që është rrugës për t’u bërë Vetëvendosës. Synimi i Vetëvendosjes është politika. Ardhja e Vetëvendosjes, nuk shqetëson Ramën, Berishën apo Metën, por më të shqetësuarit janë Erion Veliaj dhe Lulzim Basha” tha Lela.

Ndërsa për analistin Agron Gjekmarkaj ardhja në skenën politike të një force tjetër është një gjë e mirë. ‘Nuk ka asgjë të keqe që në skenën politike në vend të shfaqet dhe një forcë tjetër politike.”

Eduard Zaloshnja nga ana tjetër tha se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosja për Astirin ishte politike. “Qëndrimi i Vetëvendosjes ishte politike. Kjo tregon që ata kanë “vendosur shishen e qumështit” për të qenë në radhë.”

Vetëvendosja, marshim për bashkim kombëtar apo për pushtet?

Pasi fitoi zgjedhjet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka intensifikuar prezencën e saj edhe në Tiranë, ku duket se po kërkon faktorizim në opinionin publik, duke organizuar aktivitete gjithëpërfshirëse, por duke ngritur të njëjtat teza si opozita shqiptare. Një i tillë është edhe marshimi që ka njoftuar me rastin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor në Tiranë për bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës, një projekt i hershëm i saj, por që vetë kreu i VV, Albin Kurti deklaroi pasi fitoi zgjedhjet në Kosovë se mbetet në planet e saj, por në një kohë më të vonshme.

Me një status të gjatë në “Facebook”, qendra e Vetëvendosjes në Tiranë thekson se shqiptarët nuk kanë luksin ta shohin 28 nëntorin thjesht si festë, pasi sipas saj, ky është një projekt që nuk është zbatuar siç e kanë ëndërruar dhe dashur heronjtë e kombit shqiptar. Një tjetër plagë që përmendet nga Vetëvendosja është edhe ajo e largimit të shqiptarëve nga vendi. “Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se në gjykatë, aktualisht nuk është regjistruar si forcë politike, por si një OJF, në njoftimin e saj të gjatë, ka mbajtur qëndrime edhe për çështjet politike të vendit, duke filluar që nga drejtësia, sovraniteti, kriza politike dhe PPP-të, duke nënkuptuar kështu ndoshta fillimin e një aksioni politik me qëllim konkurrimin si alternativë edhe në Shqipëri me objektiv marrjen e pushtetit.

“Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulëta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës”, thuhet ndër të tjera në qëndrimin e Vetëvendosjes, ku duket qartë oponenca e ndërmarrë prej saj, duke ngritur të njëjtat teza si opozita në Tiranë. Realstory.al

Vetëvendosja në Tiranë, kundër “Mini-Shengenit” me Serbinë

“Duhet patur kujdes nga Vuçiç”, u shpreh të enjten në mbrëmje Albin Kurti në intervistë për Sokol Ballën në Real Story ku u pyet për takimin e “mini Shengenit të Ballkanit”. Ndërsa të premten zyra e Vetëvendosjes në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë zyrtare për mediat ku bën të qartë qëndrimin e saj kundër “Mini Shengenit” duke theksuar se kjo nismë është një përpjekje e Serbisë për të dominuar ekonomisht Rajonin. Vetëvendosja shkruan se nuk është asnjëherë vonë që Tirana zyrtare të tërhiqet nga kjo marrëveshje.

“Ajo çka e bën më të rëndë situatën është edhe fakti se Tirana zyrtare nuk ka nxjerrë mësime këto vite në lidhje me Serbinë, e cila nuk i ka ndryshuar politikat e saj ekspansioniste ndaj shqiptarëve, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për të shkuarën e vet kriminale, dhe vazhdon të mos e njohë dhe ta luftojë shtetin e Kosovës. Sakaq, realiteti politik në Kosovë ka ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare që i kanë hapur rrugën koalicionit të ri qeveritar LVV – LDK të qeverisë Kurti. Të dy këto subjekte e kanë bërë të qartë gjatë fushatës zgjedhore se do të kërkojnë e do të vendosin masa recipriciteti të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Tani që këto subjekte kanë fituar zgjedhjet dhe janë në prag të formimit të qeverisë së re Kurti e kanë bërë të qartë publikisht se këto masa reciprociteti do të jetësohen, pasi Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon duke iu përulur ekspansionit të saj. Tirana zyrtare e ka ditur këtë gjë por nuk është asnjëherë vonë të tërhiqet nga marrëveshje që dëmtojnë interesat kombëtare. Shqipëria dhe Kosova kanë nëvojë ta unifikojnë politikën e tyre të jashtme dhe atë tregtare në dobi të interesave dhe ekonomisë kombëtare drejt bashkimit dhe zhvillimit të prodhimit vendas”, shkruhet në deklaratën e Vetevendosjes ndërsa më tej theksohet se kjo lëvizje mban “qëndrim kritik dhe kundërshtues ndaj kësaj iniciative”.

Sipas Vetvendosjes Tirana zyrtare nuk duhet të normalizojë marrëdhëniet në sferën ndërkombëtare me Serbinë para se ky shtet të njohë të shkuarën e tij, të njohë krimet, të kryej dëmshpërblimin e viktimave në Kosovë dhe të bëjë procesin e demillosheviçizmit.

“Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten. Duhet që Serbia të njohë të shkuarën e vet, të ballafaqohet me të dhe të nisë “demillosheviçizimin”. Ajo duhet të kërkojë falje për krimet, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat dhe të njohë Kosovën. Këto janë kërkesa minimale që çdo pushtet që në Tiranë ka parasysh interesat kombëtare duhet t’i çojë përpara ndërkombëtarisht sa herë që mundet.

Iniciativat e tilla, të tregtisë së lirë, nuk janë formale. Ato kanë pasoja ekonomike. Nuk duhet që në emër të shtetit të nënshkruhen marrëveshje, pa u bërë më parë një analizë e hollësishme e përfitimeve dhe e kostove, si dhe pa u konsultuar në mënyrë transparente me grupet e interesit, që në këtë rast janë prodhuesit vendas në Shqipëri e Kosovë.

Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojnë e zbatojnë sa më parë marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke krijuar një treg të përbashkët, ku prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës mbrohen e drejtohen për të zhvilluar avantazhe në sektorë strategjik me potencial ekonomik.

Përfaqësuesit e qeverisë Rama që e mbrojnë “mini-Schengenin” me pretendimin se qëllimi përfundimtar është heqja e barrierave kufitare edhe mes Serbisë e Kosovës janë duke shtrembëruar të vërtetën, aq më shumë kur bëjnë referenca historike si në rastin e Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, barrierat kufitare janë hequr pasi ka ndodhur njohja e pasi janë pranuar dëmshpërblimet e luftës. Historia na mëson se kjo duhet të jetë rruga edhe mes Shqipërisë e Kosovës, nga njëra anë, dhe Serbisë, nga ana tjetër”, shkruhet në qëndrimin e zyrës së Vetëvendosjes në Tiranë.

“Mini-Schengen”, emri i ri i sferës së Serbisë në BallkanJavën e kaluar në Serbi u mbajt një takim i kryeministrave të…

Gepostet von Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri am Freitag, 18. Oktober 2019

Votat “helm” të Serbisë, VV: Të hetohen, janë të paligjshme

Lëvizja Vetëvendosje reagoi të dielën pasdite në lidhje me helmimin e 26 personave, që shfaqën shqetësime shëndetësore pasi po numëronin zarfat e votave të ardhur nga Serbia. Në deklaratën për shtyp, Vetëvendosje kërkon nisjen e hetimit për zbardhjen e shkaqeve të helmimit. “Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, shkruhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Më tej, subjekti fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, shprehet se fletëvotimet nuk kanë ardhur me postë, siç e përcakton ligji, por janë sjellë nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Ndaj, Vetëvendosja kërkon që këto fletëvotimi të shpallen të paligjshme. “Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen”.

Në fund, Vetëvendosja bën thirrje për numërimin e vletëve të votimit të dërguara nga emigrantët që jetojnë jashtë vendit.  “Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, përfundon deklarata.

VV: Humbësit duan shpëtim

Lëvizja Vetëvendosja e ka cilësuar si një kërkesë shpëtimi për partitë që nuk morën mbështetjen e duhur nga qytetarët, kërkesën e PDK, NISMA dhe LDK për rinumërimin e votave. Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk ka asnjë për t’u shqetësuar me këtë kërkesë, pasi në qendrat e numërimit kanë personat përgjegjës që do të ruajnë vullnetin e qytetarëve.

 “Që nga mëngjesi, kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata nga qytetarë, miq e familjarë. Janë të shqetësuar lidhur me ndonjë tendencë për manipulim votash pas kërkesës për rinumërim. Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor. Vullneti i tyre do të jetësohet” thotë Vetëvendosja.

NISMA një nga partitë që ka kërkuar rinumërim të votave, në fakt nuk po arrin të kalojë pragun e 5 % që është i nevojshëm për hyrjen në Kuvend, ndërsa PDK mori një rezultat prej 24,82%, jo shumë të kënaqshëm për të.

Ndërsa LDK kërkon me rinumërim të votave për një përmbysje rezultati, pasi diferenca mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është tepër e ngushtë.

Albin Kurti pavarësisht se doli fitues i zgjedhjeve i duhet një koalicion për të krijuar qeverinë. Ai deklaroi se do të ftojë LDK në koalicion qeverisës, ndërsa Isa Mustafa po pret të numërohet edhe vota e fundit për të vendosur në lidhje me të.

Skip to toolbar