Vetëvendosja në Tiranë, kundër “Mini-Shengenit” me Serbinë

AKTUALITET


“Duhet patur kujdes nga Vuçiç”, u shpreh të enjten në mbrëmje Albin Kurti në intervistë për Sokol Ballën në Real Story ku u pyet për takimin e “mini Shengenit të Ballkanit”. Ndërsa të premten zyra e Vetëvendosjes në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë zyrtare për mediat ku bën të qartë qëndrimin e saj kundër “Mini Shengenit” duke theksuar se kjo nismë është një përpjekje e Serbisë për të dominuar ekonomisht Rajonin. Vetëvendosja shkruan se nuk është asnjëherë vonë që Tirana zyrtare të tërhiqet nga kjo marrëveshje.

“Ajo çka e bën më të rëndë situatën është edhe fakti se Tirana zyrtare nuk ka nxjerrë mësime këto vite në lidhje me Serbinë, e cila nuk i ka ndryshuar politikat e saj ekspansioniste ndaj shqiptarëve, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për të shkuarën e vet kriminale, dhe vazhdon të mos e njohë dhe ta luftojë shtetin e Kosovës. Sakaq, realiteti politik në Kosovë ka ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare që i kanë hapur rrugën koalicionit të ri qeveritar LVV – LDK të qeverisë Kurti. Të dy këto subjekte e kanë bërë të qartë gjatë fushatës zgjedhore se do të kërkojnë e do të vendosin masa recipriciteti të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Tani që këto subjekte kanë fituar zgjedhjet dhe janë në prag të formimit të qeverisë së re Kurti e kanë bërë të qartë publikisht se këto masa reciprociteti do të jetësohen, pasi Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon duke iu përulur ekspansionit të saj. Tirana zyrtare e ka ditur këtë gjë por nuk është asnjëherë vonë të tërhiqet nga marrëveshje që dëmtojnë interesat kombëtare. Shqipëria dhe Kosova kanë nëvojë ta unifikojnë politikën e tyre të jashtme dhe atë tregtare në dobi të interesave dhe ekonomisë kombëtare drejt bashkimit dhe zhvillimit të prodhimit vendas”, shkruhet në deklaratën e Vetevendosjes ndërsa më tej theksohet se kjo lëvizje mban “qëndrim kritik dhe kundërshtues ndaj kësaj iniciative”.


Sipas Vetvendosjes Tirana zyrtare nuk duhet të normalizojë marrëdhëniet në sferën ndërkombëtare me Serbinë para se ky shtet të njohë të shkuarën e tij, të njohë krimet, të kryej dëmshpërblimin e viktimave në Kosovë dhe të bëjë procesin e demillosheviçizmit.

“Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten. Duhet që Serbia të njohë të shkuarën e vet, të ballafaqohet me të dhe të nisë “demillosheviçizimin”. Ajo duhet të kërkojë falje për krimet, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat dhe të njohë Kosovën. Këto janë kërkesa minimale që çdo pushtet që në Tiranë ka parasysh interesat kombëtare duhet t’i çojë përpara ndërkombëtarisht sa herë që mundet.

Iniciativat e tilla, të tregtisë së lirë, nuk janë formale. Ato kanë pasoja ekonomike. Nuk duhet që në emër të shtetit të nënshkruhen marrëveshje, pa u bërë më parë një analizë e hollësishme e përfitimeve dhe e kostove, si dhe pa u konsultuar në mënyrë transparente me grupet e interesit, që në këtë rast janë prodhuesit vendas në Shqipëri e Kosovë.

Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojnë e zbatojnë sa më parë marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke krijuar një treg të përbashkët, ku prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës mbrohen e drejtohen për të zhvilluar avantazhe në sektorë strategjik me potencial ekonomik.

Përfaqësuesit e qeverisë Rama që e mbrojnë “mini-Schengenin” me pretendimin se qëllimi përfundimtar është heqja e barrierave kufitare edhe mes Serbisë e Kosovës janë duke shtrembëruar të vërtetën, aq më shumë kur bëjnë referenca historike si në rastin e Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, barrierat kufitare janë hequr pasi ka ndodhur njohja e pasi janë pranuar dëmshpërblimet e luftës. Historia na mëson se kjo duhet të jetë rruga edhe mes Shqipërisë e Kosovës, nga njëra anë, dhe Serbisë, nga ana tjetër”, shkruhet në qëndrimin e zyrës së Vetëvendosjes në Tiranë.

“Mini-Schengen”, emri i ri i sferës së Serbisë në BallkanJavën e kaluar në Serbi u mbajt një takim i kryeministrave të…

Gepostet von Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri am Freitag, 18. Oktober 2019



Skip to toolbar