Mini-Shengeni, Vetëvendosja protestë kundër vizitës së Vuçiç në Tiranë

AKTUALITET


Të premten dhe të shtunën (20 dhe 21 dhjetor) në Tiranë do të mbahet takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet për krijimin e Shengenit Ballkanik. Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri lajmëroi një ditë përpara mbajtjes së këtij samiti, se do të zhvillojë një tubim përpara hotelit ku do të qëndrojë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në deklaratën për mediat, Lëvizja Vetëvendosje e quan Vuçiç një “kriminel lufte”, që po vjen në Shqipëri të “pozojë si bamirës”.

“Shqiptarët e dinë se presidenti i Serbisë ka qenë Ministër i Informacionit gjatë kohës kur regjimi i Milosheviçit ka kryer masakra të shumta në Kosovë. Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, kanë vjedhur artefaktet kulturore e fondin pensional, kanë shkatërruar mbi 50% të traktorëve dhe të bagëtisë në Kosovë, dukë bërë që Serbia t’i ketë borxh kombit shqiptar mbi 20 miliardë euro si dëmshpërblime lufte”.


“Qeveria Vuçiç vazhdon ta luftojë pavarësinë e Kosovës dhe punon pa u ndalur kundër interesave të kombit shqiptar. Sot që Kosova njëzëri refuzon të marrë pjesë në një takim ku ministri i Milosheviçit paraqitet si bamirës, interesi kombëtar na thotë se të njëjtin qëndim duhet të mbante edhe qeveria e Shqipërisë”, tha ndër të tjera Kryetari i Borit të Vetëvendosjes në Shqipëri, Enis Sulstarova.

Të premten në orën 17:00, në lulishten “Qemal Stafa” do të mbahet dhe një tubim simbolik i kësaj lëvizje kundër vizitës së Aleksandër Vuçiç në Shqipëri dhe kundër “mini-shengenit Ballkanik”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga kjo lëvizje.




Skip to toolbar