“Vendimi i Holandës për rikthimin e vizave, një kambanë alarmi”

Pas vendimit të parlamentit holandez për t’i kërkuar qeverisë rikthimin e vizave me Shqipërinë, ka reaguar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai e ka cilësuar këtë vendim, një kambanë alarmi për politikën shqiptare dhe bën thirrje që të ketë reflektim dhe të merren masat në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga liberalizimi i vizave me vendet e BE-së.

“Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Në dijeninë time nuk ka ndodhur që më parë të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër të paktën të rajonit tonë. Është një kambanë alarmi për të gjithë ne për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe më të forta në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar që është një shqetësim jo vetëm për Holandën por edhe për disa vende të tjera të BE. Duhet të punojmë sa më ngushtë me Komisionin Evropian, me vendet e tjera që mos kemi një rast tjetër si  rasti i Holandës që do të krijonte perceptim negativ për vendin tonë. Ky hap na kujton që janë disa arritje që nuk janë  të dhëna njëherë e përgjithmonë, mund të cenohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej drejt akteve të tjera që mund të cenonin liberalizimin e vizave”, tha Meta në  emisionin ‘Përballë’, me gazetarin Lutfi Dervishi.

Holanda kërkon vendosjen e vizave, MPJ: Ja si do të veprohet

Ministria e Jashtme ka sqaruar për të gjithë shtetasit shqiptarë se çfarë do të ndodh pas mocionit të parlamentit të Holandës për heqje të përkohshme të vizave për Shqipërinë. Përmes në deklarate për mediat, Ministria e Jashtme sqaron se mocioni i Holandës për t’i kërkuar Bashkimit Evropian inicimin e procedurës për pezullimin përkohshëm të liberalizimit të vizave nuk ndryshon rregullat e lëvizjes drejt vendeve Shengen.

“Shtetasit shqiptarë do të vazhdojnë të lëvizin të lirë drejt vendeve shengen sipas praktikës të derisotme dhe duke plotësuar vetëm kushtet aktualisht në fuqi. Një shtet anëtar i BE mund t’i kërkojë Komisionit Evropian hapjen e procedurës së pezullimit të lëvizjes pa viza vetëm mbi bazën e kushteve të mirëpërcaktuara në legjislacionin e BE dhe asnjë kusht nuk plotësohet për paraqitjen e kësaj kërkese nga Holanda për Shqipërinë.” – shkruhet në deklaratë.

Megjithatë Ministria e Jashtme ka sqaruar se do të jetë Komisioni Evropian që do të shqyrtojë kërkesën dhe do t’i jap përgjigje Holandës, duke gjykuar objektivisht, në bazë të fakteve dhe shifrave zyrtare.

“Jemi besimplotë se rezoluta në fjalë nuk mund të gjejë mbështetje në Komisionin Evropian, pasi asnjë nga kriteret që do të çonin në aplikimin e mekanizmit të pezullimit të përkohshëm nuk është plotësuar në rastin e Shqipërisë.” thotë Ministria e Jashtme.

Vendosja e vizave nga Holanda, reagon opozita

Pas votimit të mocionit për heqjen e përkohshme të vizave për shqiptarët në Zonën Shengen në Parlamentin e Holandës, kanë qenë të shumtë edhe opozitarët shqiptarë që kanë reaguar ndaj këtij lajmi aspak të mirë për Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat ish Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha kërkoi nga ministri Cakaj, ministri Lleshja dhe kryeministri Rama të bashkëpunojnë me Holandën dhe të pastrojnë imazhin e Shqipërisë.

“Ky vendim i paprecedentë, të cilin e kam paralajmëruar shumë kohë më parë, që pas konkluzioneve të Këshillit në Qershorin e kaluar, po vendos në rrezik një të drejtë të qytetarëve tanë, të fituar 10 vjet më parë për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen. I bëj thirrje Ministrit të Jashtëm, të komanduar në mënyrë antikushtetuese të mos merret më me targat dhe pasaportat diplomatike, por në mënyrë urgjente të kërkojë dialog me palën holandeze për të frenuar këtë fenomen, që mund të marrë përmasa të papërshkrueshme në debatin e ardhshëm të Këshillit, pra të vendeve anëtare. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm të ndalë menjëherë arrestimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre, dhe të merret seriozisht me të gjitha instancat që ai drejton, për të luftuar krimin e organizuar që nuk ka destabilizuar tashmë jo vetëm Shqipërinë, por është prezent përtej kufijve tanë. I bëj thirrje të nisë urgjentisht bashkëpunimin me institucionet e rendit të Holandës dhe të vendeve të tjera anëtare, për të goditur në partneritet këtë fenomen që po cënon rëndë të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje Kryeministrit të ndalë arrogancën, memet, fyerjen dhe përçmimin që po i bën në mënyrë të përditshme Shqipërisë dhe shqiptarëve, të gjejë urgjentisht një rrugëdalje dhe zgjidhje për këtë vendim, i cili do të mbajë peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.” – ka thënë Gjosha

Ndërkohë nënkryetari i PD-së, Edi Paloka e cilësoi ngjarjen tepër të keqe dhe u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen dhe të mos lejojnë të rikthehen ditët e zeza të radhëve të gjata në nëpër ambasada.

“Nuk ka kaluar shume nga koha kur në tentativë për të shkuar drejt perëndimit, qindra jetë shqiptarësh humben në ujërat e ftohta të detit apo rrëpirat e maleve. I kemi harruar! Kemi harruar radhët e gjata neper ambasada! Prindër qe prisnin me muaj për një vize sepse i kishte marre malli për fëmijët emigrant. Vize qe ne shumicën e rasteve as nuk arrinin ta merrnin ne se nuk paguanin sekserë e matrapazë jashtë e brenda ambasadave…” – shkruan Paloka

Çdo dite vetem lajme te keqija per shqiptaret, dhurate e nje qeverie dhe nje kryeministri qe jo vetem po shkatrron te…

Publiée par Edi Paloka sur Mardi 16 avril 2019

Ndërsa Petrit Vasili e konsideroi vendimin e Holandës si një tjetër ditë të zezë për shqiptarët nën qeverisjen Rama.

“Kryeministri dhe qeveria nuk e luftojnë krimin, por mbështeten tek ai dhe përdoren prej tij. Opozita po kërkon me forcë largimin e kryeministrit sepse çdo ditë që ai rri në karrige është ditë e zezë për shqiptaret. Sot shqiptaret morën lajmin më të keq qe mund te mendohej. Ka vetëm një fajtor, ai është kryeministri që po çon vendin drejt greminës. Asnjë hap pas për largimin e tij si shpëtimin e vetëm te Shqipërisë nga të tjera mënxyra dhe nga të tjera lajme të zeza”- shkruan Vasili.

Lajm shume i hidhur,Holanda,Parlamenti i saj votoi sot,qe shqiptareve tu vendosen vizat.Shqiptaret per shkak te…

Publiée par Petrit Vasili sur Mardi 16 avril 2019

Holanda i tha PO vizave për Shqipërinë, BE jep vendimin përfundimtar

Sot, parlamenti holandez ka miratuar një mocion për t’i kërkuar qeverisë holandeze që të kërkojë nga Komisioni Evropian që të aplikojë procedurën e “frenim emergjent” për të pezulluar lëvizjen pa viza të Shqipërisë për zonën Shengen. Vota jep një sinjal të fortë se Parlamenti holandez nuk është i impresionuar me përparimin e qeverisë shqiptare në trajtimin e krimit të organizuar.

Mocioni u propozua nga 4 deputetë holandez ndërsa u votua ditën e sotme në parlament.

Tashmë Holanda do ta dërgojë kërkesën e saj në BE, që do të ketë edhe fjalën përfundimtare të kufizimit të lëvizshmërisë pa viza për shqiptarët.

Megjithatë edhe nëse BE nuk e pranon këtë kërkesë, kjo jep një sinjal shumë të fortë se Holanda ka gjasa të votojë kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë në qershor. Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stef Blok konfirmoi në debatin parlamentar lidhur me mocionin se qeveria është kundër hapjes së negociatave:

“Parlamenti holandez konsideron se Shqipëria nuk është gati të fillojë negociatat e pranimit, sepse një numër i madh hapash duhet të bëhen për të arritur atje. Ky është pozicioni aktual i Holandës së bashku me një numër të vogël të vendeve të tjera evropiane”.

Holanda bën realitet kërcënimet, viza për shqiptarët

Pas debateve të shumta në parlamenti e tyre duket se Holanda do të bëjë realitet kërcënimet për vendosje të vizave për shqiptarët në Zonën Shengen.

Një mocion për anulim të përkohshëm të vizave për shqiptarët është paraqitur pranë parlamentit holandez nga 4 politikanë, Sekretarja e Grupit të Kristian-Demokratëve, Madeleine van Toorenburg, deputeti i partisë Konservatore-Liberale, Jeroen van Wijngaarden, deputeti socialist Jasper van Dijk si dhe Nico Drost nga partia Bashkimi-Kristian.
Do të jetë parlamenti holandez që do t’i propozojë Komisionit Evropian të iniciojë procedurën e “frenimit emergjent”, i cili mundëson pezullimin e udhëtimit pa viza.

“Rritja e konsiderueshme e aktivitetit kriminal nga mafia shqiptare në Holandë po abuzon me mundësinë e udhëtimit nëpër Evropë pa viza duke zgjeruar më tej rrjetin e tyre të kontrabandës. Ky mocion i bën thirrje qeverisë të paraqesë një kërkesë në Komisionin Evropian për të iniciuar procedurën e frenimit emergjent për të pezulluar përkohësisht liberalizimin e vizave të Shqipërisë.” – thuhet në mocionin e paraqitur nga 4 politikanët holandez.

Pezullimi i përkohshëm i vizave njihet me Rregulloren e BE-së 1289/2013 dhe e lejon këtë gjë të zbatohet për shtetasit e vendeve të treta në raste të veçanta që konsiderohen si “situata emergjente”. Pezullimi mund të miratohet me shumicën e thjeshtë të votave nga Komisioni Evropian.

Skip to toolbar