Pas vendimit të parlamentit holandez për t’i kërkuar qeverisë rikthimin e vizave me Shqipërinë, ka reaguar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ai e ka cilësuar këtë vendim, një kambanë alarmi për politikën shqiptare dhe bën thirrje që të ketë reflektim dhe të merren masat në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga liberalizimi i vizave me vendet e BE-së.
“Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Në dijeninë time nuk ka ndodhur që më parë të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër të paktën të rajonit tonë. Është një kambanë alarmi për të gjithë ne për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe më të forta në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar që është një shqetësim jo vetëm për Holandën por edhe për disa vende të tjera të BE. Duhet të punojmë sa më ngushtë me Komisionin Evropian, me vendet e tjera që mos kemi një rast tjetër si rasti i Holandës që do të krijonte perceptim negativ për vendin tonë. Ky hap na kujton që janë disa arritje që nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, mund të cenohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej drejt akteve të tjera që mund të cenonin liberalizimin e vizave”, tha Meta në emisionin ‘Përballë’, me gazetarin Lutfi Dervishi.