Basha ndryshoi, pasi Cutillo tha në “Real Story”: S`jemi palë me asnjë parti

Pasi dështoi në të gjitha mënyrat dhe format për të larguar qeverinë apo për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit, opozita ka nisur të kërkojë rrugën e daljes nga kriza ku është vetë futur. Një ditë më parë, pas takimit me strukturat në Berat (lexo këtu), Lulzim Basha së bashku me Monika Kryemadhin dhe disa drejtues të tjerë të partive opozitare, u nisën drejt Vienës, ku të mërkurën kanë pasur një takim me Sekretarin e Përgjithshëm te OSBE, z. Thomas Greminger. Ky zhvillim vjen në një kohë kur opozita ka humbur çdo pushtet, ndërsa Lulzim Basha pranoi zyrtarisht njohjen e 13 tetorit si datë për zgjedhjet, duke e cilësuar atë si një mundësi për zgjidhjen e krizës.

Kjo tërheqje e opozitës, në krahun tjetër ka marrë edhe sinjale pozitive nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shtrirë dorën e dialogut. Në këtë pikë, palët duket se kanë arritur dakordësimin e parë. Por opozita ende nuk është e bindur në atë që kërkon, qoftë në kanale private komunikimi me qeverinë, në lidhje me pikat që do të diskutohen në dialog, qoftë edhe për mënyrën se si do ta prezantojë në publik, uljen në tryezën e dialogut, duke pasur parasysh retorikën që ka përdorur  deri tani. Një nga aleatët e PD-së, Dashamir  Shehi është shprehur, sipas disa mediave, që Basha duhet të ulet në tryezë me Ramën, duke pasur garanci ndërkombëtare.

Pra, në këto kushte, vetë opozita duket se po kërkon një përfaqësi ndërkombëtare, për të bërë ndërmjetësimin e tryezës së dialogut. Në fakt, kjo nuk është diçka e re, pasi e njëjta situatë u krijua dhe në 2017. Por, lëvizja e radhës e opozitës, takimi urgjent në Vienë me përfaqësuesit e OSBE dhe pranimi i 13 tetorit, vjen menjëherë pas deklaratave që ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, bëri të hënën në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla.

Cutillo, një prej diplomatëve që ka ndjekur nga afër zhvillimet në vend gjatë muajve të fundit, pavarësisht qëndrimit të tërhequr që ka mbajtur, u shpreh se palët duhet të ulen në një tryezë të gjerë dialogu, pse jo edhe me praninë e një përfaqësuesi ndërkombëtar, që mund të jetë ish-kryeministri Massimo D`alema.

Gjithashtu, po në studion e “Real Story”, ambasadori Cutillo bëri dhe një tjetër deklaratë të rëndësishme, duke përgënjeshtruar Bashën, në thëniet e tij se “ambasadorët kanë mbajtur anën e Qeverisë”. Alberto Cutillo u shpreh se kjo nuk është e vërtet, dhe se roli i tij dhe gjithë ambasadorëve në Shqipëri, është të ndihmojnë në rritjen e bashkëpunimit mes vendeve. Këto deklarata, pavarësisht se s`mund ta themi me siguri, kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në kthesën e opozitës.

Së pari, Basha mund të jetë zhveshur nga paragjykimet për ambasadorët dhe ndërkombëtarët, duke i pranuar ata si miq dhe jo si rivalë, dhe e dyta dhe më e rëndësishmja, Basha dhe opozita, po kërkojnë një përfaqësues ndërkombëtar, me qëllim që të ulen në tryezë e dialogut  me Ramën. Tashmë mbetet të presim se çfarë do të  thonë krerët e opozitës, pas takimeve në Vienë.

Skip to toolbar