31 të arrestuarit në lidhje me dosjen “Tërmeti” në zonat e Vorës, Farkës dhe Kasharit, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh kanë dëshmuar të premten për 7 orë në Gjykatën e Tiranës. Seanca filloi në orën 12:00 dhe përfundoi në orën 19:00 të së premtes, ndërsa nuk u arrit të merrej një vendim përfundimtar duke e shtyrë atë për ditën e shtunë. Gjykatësja Vjollca Spahiu tha se vendimi do të jepet në orën 10:00, ndërsa prokuroria kërkoi “arrest me burg” për 13 të akuzuarit, “detyrim paraqitje” për 5 prej tyre dhe “arrest shtëpie” për 13 të tjerët. Mes të akuzuarve për të cilët prokuroria kërkoi “arrest me burg” janë edhe dy ish-kryetarët e komunave Kashar dhe Farkë, Besnik Fuçia dhe Fatbardh Plaku.
Të arrestuarit akuzohen se kanë lejuar ndërtimet pa leje të godinave dhe objekteve si dhe kanë fshehur abuzimet që janë bërë me to në strukturë, dëme që dolën në pah nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Prokuroria, e cila nisi hetimet për tërmetin që në datën 27 nëntor të vitit 2019, ka dokumentuar dhe evidentuar të gjitha banesat e shpallura të pabanueshme nga tërmeti dhe personave përgjegjës për këtë në zonat e Vorës, Kasharit dhe Farkës duke arrestuar 31 persona, ndërsa 11 të tjerë janë ende në kërkim.
Ata akuzohen se kanë favorizuar ndërtime jashtë kritereve apo lejeve të lëshuara, për ndërtime të një cilësie të dobët, duke ndërhyrë në strukturë me hollimin e bazamenteve mbajtëse të tyre.
Pas Vorës, Kasharit dhe Farkës, hetimet do të vijojnë për bashkinë e Kamzës dhe të ish-komunës së Dajtit, ku prokuroria do të marrë në dorë të gjitha dosjet e objekteve të shpallura të pabanueshme nga tërmeti në këto zona.