E ashpër dhe e papërmbajtur është treguar Jozefina Topalli ndaj Lulzim Bashës, për atë që ajo e cilëson “vrasje mizore” të Partisë Demokratike, pas mospjesëmarrjes së PD-së në zgjedhjet e 30 qershorit. “Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është me as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”, shprehet Topalli.
Më tej ajo shton se pas ditës së diel, Basha i dhuroi në tavolinë Edi Ramës të gjitha bashkitë, duke e cilësuar këtë si vrasje mizore. “PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohë që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës. Partia Demokratike praktikisht nuk është më. Dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t`i bënte demokratëve”, shkruan Topalli.
Më tej, ish-deputetja demokrate, shprehet se e gjithë kjo është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha e bëri për karrigen dhe hallet e tij, ndërsa e cilëson Lulzim Bashën një eksperiment të pamerituar për demokratët dhe vendin.
“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik. Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhtia jote, do ta ngrejnë sërish në piedestalin që i takon, për t`i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. demokratët, shqiptarët do ia dalin”, shkruan Topalli, duke paralajmëruar se tashmë do të nis procesi “Basha Ik”.
