Marrëdhënia me Kosovën, Vuçiç: SHBA nuk është në anën tonë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se SHBA nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën dhe nuk do të kalojë kurrë në anën e Serbisë, ama është e gatshme të dëgjojë atë që mendon Serbia për këtë çështje dhe të jap ndihmën e saj për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo deklaratë e Vuçiç u bë para takimit me të dërguarin e presidentit Trump për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, Richard Grenellin. Vuçiç tha se Serbia duhet të bisedojë më hapur me partnerët amerikanë në lidhje me mendimet e tyre për çështjen e Kosovës.

“Pozita e Serbisë për çështjen e Kosovës është e vështirë dhe raporti i SHBA ndaj Kosovës është i kundërt nga ai i yni. Nuk them se tani Amerika do të kalojë në anën tonë, siç do të kishte menduar dikush, por janë të gatshëm të dëgjojnë se çfarë mendon Serbia për këtë çështje. Në këtë kuptim konsideroj se kemi hapur një derë pas të cilës mund të bisedojmë me partnerët amerikanë më hapët se më herët”, tha Vuçiç.

I dërguari i posaçëm i Trump do të vizitojë Beogradin, pas vizitës që bëri në Prishtinë, ku zhvilloi takime me Thaçin e Kurtin. Ai kërkoi heqjen e taksës 100 % për produktet serbe, ndërsa bëri thirrje për ndalimin e fushatës kundër pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Vuçiç di çfarë ka ndodhur në Reçak, por është si Millosheviçi”

Ish-shefi i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, Wiliam Walker akuzoi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç si politikan i llojit të Millosheviçit duke thënë se ai e di të vërtetën e asaj çka ka ndodhur gjatë luftës, sidomos në Reçak dhe është e kotë që ta mohojë.

“Nuk e di se ku bazohet ai. Më duket e çuditshme se si 21 vjet pas flasin ende për mua në Beograd. Në ato mënyra më ka përshkruar edhe Millosheviç. Por, 21 vjet më pas, presidenti i Serbisë ende të flasë ashtu… Ai e di të vërtetën që ndodhi Reçak. Besoj se ishte ministër i Informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviçit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviçit”, ka thënë Walker.

Vuçiç deklaroi se Masakra e Reçakut është e trilluar për të nisur bombardimet NATO ndaj Serbisë, ndërsa më vonë u shpreh për Euronews Albania se nuk i ka mohuar kurrë krimet e luftës, por askush nuk mund të detyrojë serbët të pranojnë këndvështrimet e të tjerëve.

Deklaratat e Vuçiç, reagon shefi i UNMIK: S`mund të shtrembërohen ngjarjet historike

Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka shprehur shqetësimin e tij për siç është shprehur “përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike”.

Kjo deklaratë e Tanin vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 5 dhjetor deklaroi se masakra e Reçakut është “trillim”.

Vuçiq i bëri këto komente pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, dënoi me dy vjet burgim ish-ministrin e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq, i cili në muajin mars, në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-ushtrisë jugosllave kishte thënë se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

“Tanin shpreh shqetësim serioz për përpjekjet për të shtrembëruar ngjarjet e dhimbshme historike. Ai gjithashtu thekson se është e nevojë e domosdoshme për një gjyqësor të pavarur pa paragjykime politike ose etnike. Tanin rikujton rëndësinë e të drejtës për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, siç përcaktohet në nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe thekson se kjo e drejtë e fuqishme nuk duhet të jetë në kundërshtim me përgjegjësinë politike të zyrtarëve që të kenë një diskurs që mbron besimin e ndërsjellë dhe respektin”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga misioni i UNMIK-ut.

Deklarata e presidentit serb Vuçiq nxiti reagime të zyrtarëve në Prishtinë, por edhe të zyrtarëve ndërkombëtarë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha se retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë “janë të papranueshme”, ndërkaq, Bashkimi Evropian tha se ngjarjet e vitit 199 në Reçak janë “të pamohueshme”.

Në vitin 1999, në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet që shënuan kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë./REL/

Vuçiç kritika ndërkombëtarëve: Mendoni dhe për ne, jo vetëm Kosovën

Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, tha se problemi me Kosovën duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, ndërsa ka kritikuar ndërkombëtarët të mos mbajnë vetëm anës e saj, por të kuptojnë edhe qëndrimet e serbëve. Gjatë fjalës së tij në samitin e OKB-së, Vuçiç deklaroi se pavarësisht veprimeve të njëanshme të Kosovës, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar.

Për problemin e Kosovës duhet zgjidhje e përhershme, e cila duhet të arrihet në atë mënyrë që asnjëra palë të mos fitojë gjithçka, por mjaftueshëm. Kemi filluar të luftojmë për një zgjidhje të përhershme dhe presim që bota t’i kuptojë qëndrimet dhe argumentet tona dhe të mos e mbështesë palën e kundërt, siç ka bërë nga viti 1999 deri më 2008. Në gjithë këtë kohë, Serbia ka reaguar në mënyrë të moderuar dhe me përgjegjësi ndaj veprimeve të njëanshme të Prishtinës, duke mos vendosur kundërmasa dhe duke bërë përpjekje të qetësojë situatën”, tha Vuçiç i cili iu referua edhe taksës 100 % ndaj produkteve serbe nga qeveria e Kosovës. Vuçiç tha se si pasojë e kësaj takse Serbia ka humbur 350 milionë euro si dhe ka vënë në rrezik jetën normale dhe të dinjitetshme të serbëve në Kosovë.

Pavarësisht thirrjeve të BE dhe SHBA për të hequr apo edhe pezulluar taksën, Ramush Haradinaj duket i palëkundur për ta hequr atë deri në njohjen reciproke nga Serbia.

Vuçiç i lodhur dhe i zhgënjyer nga ndërkombëtarët, heq dorë nga ndryshimi i kufijve

Duket se Serbia nuk e do e ketë aspak të lehtë me Kosovës dhe kjo gjë e ka lodhur presidenti Aleksandër Vuçiç. Pas takimeve të zhvilluara në SHBA, Vuçiç tha se Serbia do të ketë një dimër të vështirë me Kosovën, pasi Serbia është shumë e vogël për të ndryshuar “mendjen e të mëdhenjve” duke iu referuar ndërkombëtarëve.

Ne do të luftojmë në kushte të vështira, nuk do të jetë e lehtë. Sigurisht nuk presim ditë të lehta, as një vjeshtë të lehtë dhe as një dimër të thjeshtë për ne. Të presim që të rrjedh mjalti e qumështi , t’ju them që kam bërë punë fantastike, duke ndryshuar mendjen e tyre …  Ne jemi shumë të vegjël për të ndryshuar mendjen e të mëdhenjve. Ndonjëherë ndjehem i vetmuar, sepse të gjithë të tjerët i lajnë duart, edhe pse ishin shumë të përfshirë në krijimin e problemit.”- tha Vuçiç

Presidenti serb gjithashtu foli edhe për ndryshimin e kufijve duke treguar se Gjermania është kundër kësaj ndërsa SHBA e morën atë që deshën me Kosovën që në 2008 dhe nuk kanë më asnjë interes për këtë çështje.

BE, posaçërisht Gjermania, është kundër demarkacionit, ndërsa SHBA nuk janë të interesuar në lidhje me atë marrëveshje. Arsyeja pse nuk ju pëlqen ndryshimi i kufijve është sepse ata njohën Kosovën, duke mos u ndalur aty, por duke kërkuar njohjen e ndërsjellë ” theksoi Vuçiç.

Disa mediat të huaja raportojnë se kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i ka dhënë ultimatum presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që të pranojë qëndrimin gjerman për çështjen e zgjidhjes së problemit me Kosovën, pasi në të kundërt do të ketë pasoja të rënda. Merkel e ka përsëritur disa herë që korrigjimi i kufirit dhe ndarja e Kosovës nuk janë opsione dhe mesa duket kjo gjë e ka zhgënjyer Vuçiç, i cili duket se ka hequr dorë për sa i përket idesë për korrigjim të kufijve.

Unë e di se nuk ka asgjë nga korrigjimi i kufirit. Sepse nuk kishte njerëz të guximshëm dhe racional që t’i kuptonin interesat serbe. Unë nuk jam në favor të pavarësisë së Kosovës brenda kufijve aktual, që i ka njohur Rada Trajkovic e Angela Merkel. Por idetë e mia kanë dështuar se populli ynë mendonte ndryshe bashkë me shumicën e botës”, tha Vuçiç.

Ndërhyrja e SHBA, tërhiqet Vuçiç: Bisedimet me Kosovën nisin në dhjetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të nisë në dhjetor. Kjo deklaratë e tij ka ardhur pas takimit që ka zhvilluar në New York me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pomepo. Duket se SHBA-të ia arritën qëllimit dhe bënë që Serbia tërhiqej nga kushti i saj për të mos vijuar me dialogun derisa Kosova të hiqte taksës 100% për mallrat serbe.

“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu”, ka thënë Vuçiç për televizionin serb, Prva.

Presidenti serb tha se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha, “një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”.

Megjithatë, Vuçiç pas kësaj deklarate ka shtuar se edhe Kosova duhet tërhiqet dhe të heqë taksën për mallrat serbe.

 “Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe informues për mua. Më duket se unë e kuptoj më mirë dhe më shumë pozicionin e SHBA-së, ankthet dhe frikën e tyre. Por, siç më duket mua, edhe ata e kuptojnë frikën dhe ankthet tona shumë më mirë”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu tha se SHBA-ja nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por siç tha, “ata po i hapin disa dyer dhe e kuptojnë nevojën dhe domosdoshmërisë e arritjes së një marrëveshjeje në të cilën Serbia nuk do të degradohej dhe interesat e Serbisë nuk do të prisheshin”.

Ndërkohë pas takimit që kishte me presidentin Vuçiç, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi përmes një postimi në Twitter, se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojnë stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

Rusia modernizon ushtrinë serbe, por Vuçiç nuk pranon të tregoj si i solli

Në Serbi mbërriti kontigjenti i parë i ndihmave ushtarake nga Moska me tanke dhe mjete të blinduara, të cilat Rumania nuk i lejoi javën e kaluar të kalonin tranzit në territorin e saj për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës. Presidenti serb Aleksander Vuçiç falenderoi sot homologun rus Vladimir Putrin për modernizimin e ushtrisë së vendit të tij, por nuk pranoi të tregonte se si kishin mbërritur pajisjet ushtarake.

“Do ta përsëris për ata që nuk e dinë: armët janë dhuratë, mjete plotësisht moderne nga Rusia. Ne nuk kemi paguar për to. Rusia ka paguar për modernizimin e forcave dhe unë i falenderoj. Kjo e shton dukshëm aftësinë tonë ushtarake. Për ne është e rëndësishme që respektuam ligjet ndërkombëtare dhe arritëm të sillnim pajisjet ushtarake në territorin tonë. Si dhe në çfarë mënyre e bëmë, është puna jonë”. – tha Vuçiç

Ndihmat ushtarake nga Rusia për Serbinë kanë shkaktuar shqetësime në Perëndim se mund të rrezikojnë paqen e brishtë në Ballkan.

Vuçiç: Dorëheqja e Haradinajt, mashtrim politik. Pozicioni i serbëve do të jetë edhe më i vështirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar të shtunën në një deklaratë për mediat në lidhje me dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilën e ka cilësuar një mashtrim politit.

Vuçiç u shpreh se ky akt i Haradinajt nuk ka vend për eufori ndërkohë që Serbia duhet të përgatitet dhe të shohë pasojat që do vijnë pas kësaj.

“Dorëheqja e Ramush Haradinajt është një mashtrim politik që ai mund të fitojë edhe më shumë popullaritet në të cilin ai bëhet një hero që lufton për një Kosovë dhe Metohi unike. Ne e kuptojmë që ka një lloj kënaqësie të serbëve për shkak të thirrjes së Ramush Haradinajt në Hagë, por nuk ka arsye për eufori. Duhet shohim të gjitha faktet dhe pasojat që vijnë pas aktit të dorëheqjes së Hardinajt. Pozicioni i serbëve do të jetë edhe më i vështirë se sa ishte sot”, u shpreh Vuçiç.

Të premten pasdite, Ramush Haradinaj njoftoi se ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës për shkak të një ftese të marrë nga Gjykata Speciale e Hagës për krimet e luftës në Kosovë. Ai tha në deklaratë se do të shkojë të përballet me këtë akuzë dhe do të dalë i pastër, ndërkohë që bën të ditur se Kosovës po i bëhet presion i padrejtë nga ndërkombëtarët për të hequr taksën ndaj mallrave serbe. Sipas Haradinajt, kjo taksë dhe tregtia e lirë me Serbinë, duhet të shërbejnë si çmim i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Sipas burimeve serioze mediatike në Prishtinë, realstory.al ka mësuar se me gjasë gjithçka lidhet me qëndrimin e prerë dhe të ndryshëm të Haradinajt ndaj një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë. Qëndrimi i tij mori jehonë në takimin e Berlinit, ku u bënë publike dhe replikat e tij të ashpra me presidentin Macron, por edhe me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.

Haradinaj prej muajsh po i reziston presionit të ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë heqjen e taksës mbi mallrat serbe. Por qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që kjo taksë do të hiqet kur Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

Meta njëlloj si Vuçiç, merr Luanin e Artë në Venecia

Përmes një postimi në facebook presidenti Ilir Meta njofton se është nderuar me çmimin Luani i Artë në Venezia për kontributet e tij në demokraci. Rezulton se këtë çmim e ka marrë disa muaj më parë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Motori i kërkimit google ofron disa artikuj për Vuçiç dhe nderimin e tij me Luanin e Artë të Venecias për paqen, por çuditërisht nuk ofron asnjë informacion për presidentin Meta.

Vetë presidenti Meta thotë se falë demokracisë ka mbajtur postet: Deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës.

“Unë kam lindur 50 vite më parë në diktaturën më të errët që Europa ka njohur. 

Falë demokracisë unë, një student i ri, u bëra deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës, ndaj ky çmim i dedikohet demokracisë, si sistemi i vetëm që mund të ndryshojë të ardhmen për të rinjtë dhe qytetarët e një vendi.

Ky është një çmim, që u dedikohet gjithashtu udhëheqësve të moderuar të rajonit, të cilët falë pjekurisë, dialogut, kanë bërë që vendet e Ballkanit, që sillnin vetëm krizë e luftë, sot janë më afër Europës e më afër paqes mes popujve”, tha Meta.

Kujtojmë se aktet e fundit të presidentit Meta me dekretimin dhe zhdekretimin e zgjedhjeve  ndezën revolta në vend dhe sulme ndaj KZAZ-ve ndërsa veprimet e tij janë cilësuar antikushtetues nga parlamenti në vend, i cili ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Meta.

SHBA: Kosova dhe Serbia të njohin njëra-tjetrën, ulni tonet ekstremiste

Amerika i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të lënë mënjanë retorikën ekstremiste, dhe të ulen për të arritur një marrëveshje, që do të finalizohej me njohjen e ndërsjelltë mes tyre. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të përfundimit të operacionit të NATO-s, që i dha fund spastrimit etnik të Kosovës nga Serbia, është shprehur:

“Prishtina dhe Beogradi duhet të dyfishojnë përpjekjet për të punuar drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke dhe të heqin menjëherë pengesat ndaj përparimit.”

“E vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë është një dialog midis fqinjësh që të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe t’i hapë rrugën Serbisë dhe Kosovës të kenë vendin e tyre të ligjshëm brenda komunitetit euroatlantik,” tha zëdhënësi.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë gjatë gjithë këtij procesi, por i takon Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapat e ardhshëm,” thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të veprojnë tani e të mos ua lënë punën brezave të ardhshëm.

Skip to toolbar