Suli çon në prokurori Mziun: Dha leje ndërtimi në zonën “Park Kombëtar”

Një javë pasi mori drejtimin e bashkisë së  Kamzës, Rakip Suli ka deklaruar se do të dërgojë në prokurori paraardhësin e tij, Xhelal Mziu. Shkak, sipas Rakip Sulit, është fakti se Mziu ka dhënë leje ndërtimi në një zonë e cila është planifikuar të bëhet Park Kombëtar. Gjatë një dalje për mediat të enjten pasdite, nga bregu i lumit të Tiranës, Rakip Suli ka sqaruar, sipas tij, shkeljet ligjore që ka bërë Xhelal Mziu.

“Kamza tani ka një mori problemesh, por do ti rendisim sipas problematikave dhe nga ato më emergjentet. Ish-kryebashkiaku ka dhënë një leje ndërtimi me datë 29.07.2019. Në bazë të një vendimi të nxjerrë në vitin 2013, e gjithë kjo pjesë është planifikuar për Park Kombëtar. Është menduar që kjo zonë të ishte një Park Kombëtar. Dhe mendohet se edhe bulevardi kryesor i Tiranës do të vijë këtu ku jemi. Është dhënë kjo leje ndërtimi, brenda këtij territori duke shkelur të gjitha ligjet. Ky është një vendim kriminal i miratuar me datë 29.07. 2019. Qytetarëve nuk u bëhet legalizimi dhe nga ana tjetër këto japim leje. Madje kjo është një pjesë me ujë. Jemi duke dhënë leje ndërtimi në shtratin e liqenit. Brenda muajit është marrë leja e ndërtimit. Këtu mendohet do të bëhet një park për të gjithë qytetarët e Kamzës. Do të ngrihet padi për këtë çështje dhe për të gjithë personat përgjegjës”, tha Suli.

Ai ka folur edhe për ndryshimet në administratë, duke u shprehur se nuk do të ketë largime të profesionistëve nga puna.  “Nuk më ka vajtur mendja për largim. Nga stafi im do të jenë njerëz profesionistë. Kjo nuk ka për të ndodhur, çdo person që ka qenë i përgjegjëshëm dhe ka arsimin përkatës do të vijojë rrugëtimin me Rakip Sulin”, deklaroi ai Rakip Suli mori detyrën rreth një javë më parë. Kjo Bashki drejtohet pas 12 vitesh nga socialistët, pasi në krye të saj ka qëndruar Xhelal Mziu.

Basha braktis Kamzën, Mziu i lëshon zyrën bosh Sulit

Bashkia e Kamzës, një bastion historik i Partisë Demokratike ka rënë dhe është lëshuar pa dhunë nga kryetari i saj 12 vjeçar Xhelal Mziu megjithëse ai nuk ka ia ka dorëzuar detyrën pasardhësit Rakip Suli sipas protokollit por i ka lënë një zyrë bosh brenda së cilës ndodhej vetëm një fotografi e presidentit Meta, që ishte lënë e përmbysur brenda katër mureve blu. Ashtu siç RealStory.al paralajmëroi, Basha dhe PD e braktisën Mziun në betejnë për moslëshimin e zyrës, ku të vetmit që bën pak rezistencë në orët e paradites së mërkurë ishin punonjësit e bashkisë dhe nënkryetari i saj.

Kjo i detyroi fituesit e 30 qershorit që konstituimi e këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri, Rakip Suli të realizohet në ambientet e e një shkolle në Kamëz.

Pas ceremonisë ata pak mbështetës të Mziut, që ndodheshin para bashkisë dhe paraljamëruan se nuk do i lëshonin zyrat u shpërndanë ndërsa drejt saj shkuan të zgjedhurit për këshillin bashkiak dhe kryetari Suli.

Pas orës 16:00, me përfundimin e orarit zyrtar të punës, këshilltarët e rinj bashkiakë kanë hyrën në ambientet e bashkisë, duke e hapur derën që ishte mbyllur me çelës. I pari që është paraqitur në derën e bashkisë ka qenë kryetari i këshillit bashkiak Hysen Koldashi, i cili ka hapur me forcë derën.  Në momentin kur militantë të PS dhe këshilltarët e rinj mbërritën në bashki, nuk ka pasur prani të militantëve të PD, por vetëm efektivë të policisë, të cilët ishin të pranishëm për të shmangur tensionimin e situatës. Pak minuta më vonë ka mbërritur edhe kryebashkiaku i ri Rakip Suli, i cili mori në dorë çelësat e zyrës që do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme.

Në moment e mbërritjes në zyrë, Suli ndërroi karrigen duke marrë një më të vogël, duke mos pranuar të ulet në karrigen që më parë qëndronte Xhelal Mziu. Gjatë fjalës së tij për mediat, Suli tha se atij nuk i interesojnë ngjyrat politike, por do të merret me zgjidhjen e halleve të gjithë qytetarëve të Kamzës, ndërsa ndodhej brenda katër mureve të lyera me ngjyrë blu nga Xhelal Mziu.

Në radhë të parë mua nuk më shqetësojnë ngjyrat, do të merrem me hallet dhe problemet që i shqetësojnë nga mëngjesi në darkë. Në këtë bashki shërbimet kanë munguar, por sikur e deklarova edhe në momentin e betimit do të jem kryebashkiak i të gjithëve, pasi fëmijët nuk e dinë për kë votoi prindi, por dua kopshtin, çerdhe, shkolla, etj.  Xhelal Mziu? Nuk e njoh se kush është ky person, e njoh si person që ka ndryshuar veten dhe jo Kamzën. Ndërsa unë kam ndryshuar veten ndërsa tani do të vij të ndryshoj Kamzën”.”- tha Suli

Qëndresës së demokratëve për të mos liruar bashkitë, në fakt u erdhi fundi duke u larguar në heshtje apo rezistenca minimale deri në mbarimin e orarit zyrtar të punës dhe përjashtim nuk bëri as Xhelal Mziu, i cili ka qenë gjithmonë i ashpër në deklarata për të mos u larguar nga zyra. Të braktisur nga lidershipi i PD-së, por edhe figurave kryesore të Partisë Demokratike, kalimi i Bashkisë nga demokratët tek socialistët u bë pa dhunë dhe pa incidente. Në mbështetje të Xhelal Mziut që drejtoi për 12 vite bastionin e PD-së nuk shkoi asnjë, duke e lënë atë vetëm në qëndresën e tij, që zgjati deri në orën 16:00.

Ish-kryetari i bashkisë së Kamzës për 12 vite, Xhelal Mziu ka reaguar vetëm pas betimit të kryetarit të ri, duke deklaruar se bashkia u vodh me forcë nga socialistët. Mziu kishte paralajmëruar më herët se nuk do e lëshonte zyrën, por që braktisja nga PD, duket se e ka detyruar të tërhiqet përfundimisht dhe të respektojë zgjedhjet et 30 qershorit. Tashmë i vetmi bastion ende i palëkundur ka mbetur Shkodra, ku kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi që mëngjesin e së mërkurës, një ditë pas takimit me Boschardt deklaroi se nuk do e lëshonte zyrën. Madje, ajo vijoi gjatë ditës të hedhë foto në profilet e saj në rrjetet sociale, si kryetare në detyrë, ndërsa ndiqte punimet e Bashkisë Shkodër. Por, edhe ajo duket se është braktisur përfundimisht në kauzën e nisur që para 30 qershorit, e cila u degradua nga dita në ditë me qëndrimet e lëkundura të kryetarit të PD, Lulzim Basha, i cili duket se po humbet edhe përkrahjen e aleatëve, që kohët e fundit, duke parë zhvillimet, që flasin negativisht për ta, kanë kërkuar që Basha të ulet në bisedime me Ramën. Por ky i fundit nuk ka pranuar dhe ka kërkuar të rikthehet në protesta. Nuk dihet nëse kjo “kryeneçësi” e Bashës do të vazhdojë dhe në shtator, por sigurisht që zhvillimet e reja mund të orkestrohen edhe pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të sqarojë edhe përplasjet e forta për 30 qershorin, i pranuar edhe nga ndërkombëtarët, por që e refuzoi opozita shqiptare.

Xhelal Mziu luan “gurin e fundit”, padi në Gjykatë për zgjedhjet e Kamzës

Ish-kryetari i bashkisë së Kamzës i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një padi. Xhelal Mziu kërkon që të mos njihen zgjedhjet e 30 Qershorit duke pretenduar se mandati i Rakip Sulit nuk është i ligjshëm.

“Ne do të veprojmë sipas dekretit të Presidentit. Jemi palë e interesuar për të mos njohur mandatin e Sulit” – thuhet ndër të tjera në padi. Kjo kërkesë vjen dy orë para zhvillimit të seancës ku pritet certifikimi i kryebashkiakut të ri nga radhët e Partisë Socialiste.

Pas dorëzimit të bashkive Devoll e Kavajë, pa luftën që kishte paralajmëruar PD, duket se kryebashkiakët e kësaj të fundit kanë ndryshuar taktikë duke mbajtur shpresë te drejtësia.

Por Mziu harron se dekreti i presidentit është cilësuar nul si nga KQZ, ashtu edhe nga Kolegji Zgjedhor, të cilët kanë certifikuar zgjedhjet e 30 qershorit dhe i kanë dhënë mandatet të zgjedhurve të rinj vendorë.

Kryebashkiakët e PD rrezikojnë një vit burg nëse nuk lirojnë zyrën

‘Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, ky është përcaktimi i nenit 249 të Kodit Penal, për “Kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij”. Ky nen parashikon qartë se çdo zyrtarë i lartë që ‘vijon të kryejë detyrën, pasi është vënë në dijeni të vendimit se funksioneve të tij u është dhënë fund”, përfundon në burg. Ky nen i Kodit Penal prek të gjithë zyrtarët publik, përfshirë këtu edhe kryetarët në ikje të bashkive në vend, që refuzojnë të lirojnë zyrat që kanë mbajtur për katër vjet. Në këto kushte, nga Devolli, në Kavajë, Kamëz, Shkodër, Selenicë, e ku do opozita ka drejtuar bashktië katër vitet që shkuan, kryetarët që largim janë subjekt i trajtimit të ligjit sipas këtij neni, nëse do të refuzojnë të lirojnë zyrat, apo thënë ndryshe, nëse do të vijojnë të ushtrojnë funksione shtetëror apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund.

Devolli ishte bashkia e parë, ku PD mati forcën duke mos lejuar hyrjen normale në zyrën e bashkisë të kryetarit të ri, Eduard Duro. I zgjedhuri i PD, Bledjon Nallbati, që drejtoi Devollin në katër vitet që shkuan, ditën që u bë betimi i të zgjedhurit të ri në krye të bashkisë, qëndroi në zyrë duke mos pranuar të largohej prej saj. Në këto kushte, Eduard Duro u detyrua që të hapte me forcë derën e bashkisë, duke u futur në zyrën e kryetarit të premten e javës së kaluar. Ndërkohë, prej ditësh, në Devoll PD vijon protestat duke mos lejuar, që Eduard Duro, të ushtrojë normalisht funksionet e tij ligjore si kryetar i bashkisë. Ndërkohë, ish-kryetari i PD-së, është shprehur se “do të zbatoj dekretin e presidentit, duke ushtruar detyrën time si kryetar në shërbim të qytetarëve”. E njëjta situatë u pa një ditë më parë edhe në qytetin e Kavajës.

Militantët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga ish-kryetari i bashkisë, Isa Sakja, penguan me forcë betimin si kryetar të ri të bashkisë të Redian Kralit. Megjithatë, i zgjedhuri në 30 qershor për të drejtuar Bashkinë Kavajë, bëri betimin në ambientet e prefekturës, por kur shkoi në bashki, derën e gjeti të mbyllur. U desh ndërhyrja me forcë për të hapur bravën e derës, në mënyrë që kryetari Redian Krali të futej në zyrën e tij si kryetar i ligjshëm i bashkisë së Kavajës. Këto skena, pritet të ndodhin kudo në bashkitë ku PD ka qeverisur për katër vitet që shkuan. Shkodra dhe Kamza, janë dy bashkitë ku kryetarët e zgjedhur nga PD, Voltana Ademi dhe Xhelal Mziu kanë paralajmëruar se nuk do të lirojnë zyrën. Radha e betimit të kryetarëve të rinj, Valdrin Pjetrit në Shkodër dhe Rakip Sulit në Kamëz, ende nuk ka ardhur për këto bashki, megithatë paralajmërimet e Ademit dhe Mziut të lën të kuptosh se nuk do të ketë një situatë normale./Realstory.al/

Në prag të largimit, Mziu i vendos një rruge emrin “Ramush Haradinaj”

Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu bën të ditur se i ka vendosur një rruge emrin Ramush Haradinaj pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Disa vite më parë Bashkia e Kamzës e ka shpallur kryetarin e AAK, “Qytetar Nderi”, ndërsa Bashkia e Kamzës vlerëson se me aktin e tij Haradinaj tregoi se është një burrë shteti dhe një patriot.

“Ramush Haradinaj me dorëheqjen e djeshme tregoi të qenit një shtetar i vërtetë, pasi që është një patriot dhe atdhetar këtë e ka treguar çdo ditë të jetës së tij. Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës për gjithë shqiptarinë. Me dorëheqjen prej një burri të vërtetë shteti tregoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se sa herë të kërkohet do të shkojë para drejtësisë jo si kryeministër i Kosovës por si Ramush Haradinaj.

Bashkia Kamëz ka nderin që një rrugë të qytetit tone t’i vendosë emrin e tribunit të lirisë dhe atdhetarisë Ramush Haradinaj me vendim të Këshillit Bashkiak.

Jemi me ty Ramush, të bindur në pafajësinë tende dhe misionin tënd për lirinë e Kosovës dhe shqiptarisë. Askush nuk ka mundur të gjunjëzojë sado që ka tentuar. Ti Ramush ke ditur t’ia dalësh me karakterin tënd fisnik dhe pastërtinë e figures tënde. Ti je një shtetar i vërtetë ndaj qëndro siç ke ditur t’ia dalësh pabesive. Jemi me ty”, njofton Bashkia e Kamzës.

Kujtojmë se Xhelal Mziu duhet të lërë zyrën e kryebashkiakut të Kamzës për shkak se nuk është më kryebashkiak sepse nuk mori pjesë në garën e 30 qershorit, ku fitues doli kandidati socialist për këtë bashki.

Mziu “braktis” zyrën, por jo Bashën: Andej iki, nga PD jo

Ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ka vendosur të mos e mbajë zyrën e tij peng, ndryshe nga urdhri i dhënë nga kryedemokrati Basha, i cili u ka bërë thirrje kryebashkiakëve të djathtë të qëndrojnë në zyrë, pavarësisht zgjedhjeve të 30 qershorit.

Deri dje Mziu bashkë me Voltanën e Shkodrës ishin të vendosur për të qëndruar në zyrë dhe për të mos ia liruar atë kryebashkiakëve socialistë të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ku PD nuk mori pjesë.

Por Mziu megjithëse thotë se mbështet dekretin e Metës dhe nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, thekson se mandati i tij nuk është për të krijuat luftë.

“Kemi një dekret dhe zgjedhjet janë në datën 13 tetor. Deri në këto momente, ne flasim në zbatim të dekretit të Presidentit. Gjykata Kushtetuese është ajo që do të vendosë. Mandati im dhe i kolegëve të mi nuk është për të krijuar luftë, për të krijuar vrasje. Në finale ne nuk jemi ata që do ta mbajmë zyrën peng”, u shpreh Xhelal Mziu.

I pyetur për marrëdhëniet me kreun e PD-së, Bashën, Mziu tha se këto marrëdhënie janë më shumë se politike dhe se ai nuk do ta braktiste kurrë PD.

“Është si ajo pjesa e mediave pranë qeverisë. Po ju them që lidhjet e mija me PD janë që në nëntor 1990. Marrëdhëniet e mija me Lulzim Bashën janë më shumë se politike. Ishte një mënyrë e partisë- shtet sot për të shantazhuar disa nga eksponetët e PD, midis tyre isha dhe unë dhe filluan thashethemet që unë doja të dilja te LSI. Jo vetëm që nuk kam dashur, por në asnjë lloj rrethane unë nuk i ndryshoj bindjet për t’u larguar nga PD. Nuk e ndryshoj partinë për asnjë lloj interesi personal”, shtoi Xhelal Mziu.

Ditët e fundit Basha ka ndërmarrë një tur takimesh në degët e PD-së në rrethe ku u ka dalë në krahë kryebashkiakëve të djathtë të cilët nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit duke mbetur pa asnjë pushtet. Ky tur takimesh i Bashës është parë si një përpjekje e tij për të mbajtur afër kryebashkiakët e djathtë të cilët i nxorri në rrugë dhe për të zbutur zërat kritikë kundër tij në PD. Ndërsa të martën pas takimit që zhvilloi me presidentin Meta, Basha për herë të parë doli në mbështetje të dekretit për të zhvilluar 3 procese zgjedhore në 13 tetor. Një tjetër taktikë e tij për të mbajtur me shpresa të vetët se së shpejti do të jenë pjesë e pushtetit. Por dekreti i 13 tetorit është nul, njëlloj si ai për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe s’ka gjasa të ketë zgjedhje në këtë datë.

Pasi dogjën shkollat, ‘punëtorët’ Voltana e Mziu, asfaltojnë rrugët një muaj para largimit

Pas “kërcënimeve” se nuk do të lirojnë zyrën për bashkiakët e rinj të PS, drejtuesit në ikje të PD-LSI, që drejtojnë aktualisht disa bashki në vend, kanë ‘haruar’ kërcënimet dhe janë kujtuar të punojnë. Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, të disa prej bashkiakëve të PD-LSI, Voltana Ademit në Shkodër, Xhelal Mziut në Kamëz, Miranda Rrirës në Prrenjas dhe Altin Toskës në Cerrik, shikon se pas protestës së 8 korrikut, kanë harruar postimet politike duke i zëvendësuar me ato të punëve publike.

Voltana, që u bë e famshme në Shkodër para zgjedhjeve për molotovin dhe heroizmin për të shkatërruar materialet zgjedhore në KZAZ-të të ndryshme të Bashkisë që drejton, ka nisur të postojë në facebook  foto të shoqëruara me tekste ku prezanton disa nga punët e saj publike, që janë duke u bërë këto ditë të korrikut.

Madje, kryebashkiakja e Shkodrës, na prezanton disa investimet që po kryhen në Velipojë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, madje bën mirë që po punon duke asfaltuar rrugët që të çojnë në plazhin e Velipojës, por nuk do të ishte më mirë që gjithë kohës që u mor me politikën e PD-së dhe dhunën ndaj KAZA-ve, ta shfrytëzonte për të asfaltuar rrugët e Velipojës, për të shmangur punimet në klumin e sezonit turistik?! Gjithsesi, e rëndësishme është  që znj.Ademi ka kuptuar se roli i saj është të kujdeset për punët publike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të bashkisë që drejton.

Të njëjtën gjë prezanton dhe Xhelal Mziu në facebook e tij, punë në disa rrugë të lagjeve të bashkisë që drejton. Edhe dy kryebashkiakët e LSI, Altin Toska dhe Miranda Rira, gjithashtu, pas protestës së fundit të opozitës, kanë nisur të publikojnë në rrjetet e tyre sociale disa investime që po kryejnë për komunitetin.  Për më tepër, shihni fotot në Realstory.al, ku shfaqen bashkiakët e PD-LSI, që i rikthehen detyrës së tyre funksionale, një muaj para se të largohen nga zyra që kanë.

Bardhi zbulon skemën e PD: Ja si do qëndrojë në zyrë Voltana dhe Xhelali

Partia Demokratike, po mundohet të gjejë çdo mënyrë, për të delegjitimuar 30 qershorin. Pas kërkesës së dërguar KQZ-së nga Gazmend Bardhi, ku të martën i kërkonte materialet zgjedhore për zgjedhjet, të mërkurën PD ndërmerr një tjetër hap. Është Gazmend Bardhi ai që tregon një tjetër mënyrë, se si PD do të veprojë për të mos njohur zgjedhjet. Sipas sekretarit të përgjithshëm të PD, janë dy mënyra për të bërë të paligjshme mandatet e kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një Kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve. Gjyqtarët, ku kandidatët e votimeve të shfuqizuara me dekretin e Presidentit, do të paraqiten për të marrë mandatin e paligjshëm, kanë dy mënyra për të mbrojtur shtetin e së drejtës nga sundimi mafioz i një personi të vetëm. Gjyqtarët të mos vërtetojnë si të vlefshëm mandatet, ose të pezullojnë gjykimin derisa dekreti i presidentit të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Gazmend Bardhi.

Megjithatë, kjo duket se do të jetë karta e fundit që opozita do të përdor, përpara se kryebashkiakët e PD dhe LSI të detyrohen të lirojnë zyrën deri më 12 gusht. Në fakt, Bardhi ka lënë të kuptohet, se kjo do të jetë lëvizja e fundit dhe e vetme, duke pamundësuar njohjen e mandateve të bashkiakëve të rinj në rrugë ligjore, por, gjithsesi pengim me forcë të futjes në zyrë të kryebashkiakëve të rinj nuk do të ketë. “Kjo është pengesa e fundit institucionale mes demokracisë dhe diktaturës!

Është pengesa e fundit institucionale që Edi Rama të marrë nën kontroll të plotë, me votime të paligjshme, edhe hallkën e fundit të pushtetit në vend, pushtetin lokal. Ne nuk kemi për ta lejuar kurrë që kjo të ndodhë, por mënyra për ta ndaluar me sa më pak kosto për vendin është që gjyqtarët t’i binden ligjit dhe të bëjnë drejtësi përmes ligjit”, shprehet Bardhi, duke hequr dorë nga dhuna, dhe përdorur hapësirat ligjore për të nxjerr të pavlefshëm mandatet e bashkiakëve të rinj të zgjedhur më 30 qershor.

Basha krah Xhelalit në Kamëz: Hajdeni të rrëzojmë Edi Ramën

Lulzim Basha është shfaqur krah Xhelal Mziut pasditen e të dielës, kryebashkiakut të Kamzës në detyrë, që ka kërcënuar se nuk do të lirojë zyrën për kryetarin e ri, i zgjedhur në 30 qershor. Nga një njoftim i shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, mësohet se Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e Kamzës, të cilët i ka ftuar të marrin pjesë në protestën e 8 korrikut.

“I shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, Basha i ftoi qytetarët e Kamzës, që ashtu siç kanë bërë edhe në 9 protestat e tjera kombëare, të jenë në krye të lëvizjes kombëtare për ndryshim, per largimin e Edi Rames dhe krijimit te nje qeverie qe garanton zgjedhje te lira e te ndershme. Gjate takimeve informale qe nisi dje ne Kavaje dhe Elbasan dhe, sonte, ne Kamez e Vore, kreu i opozites synon te percjelle ftesen per protedte, tek sa me shume qytetare qe refuzuan ne 30 Qershor regjimin kriminal dhe te korruptuar te Edi Rames”, shkruhet në njoftimin e PD-së.

Dy ditët e fundit, Lulzim Basha ka zhvilluar takime informale me militantët e PD-së në Kavajë, Elbasan, Kamëz dhe Vorë, qytetet më të afërta me Tiranën, të cilat mesaduket Basha shpreson që të sjellin sa më shumë njerëz në protestën e 8 korrikut. Ndërkohë, Tiranën ia ka lënë në dorë LSI, pasi ka qenë kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi, që dy ditët e fundjavës, ka zhvilluar takime me militantët dhe ka kërkuar angazhim maksimal për të pasur sa më shumë njerëz në protestë.

Pas Kamzës dhe Vorës, Lulzim Basha ka shkuar në Durrës, ku sipas PD-së, është shprehur se nesër shqiptarët duhet të jenë bashkë për të treguar  se do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Ndërkohë, po sipas këtij njoftimi të ardhur nga zyra e shtypit të PD, Basha mësohet të ketë thënë se 30 qershori ishte dita që shënoi fillimin e fundit real të Edi Ramës.

Kërcënon Xhelal Mziu: Nuk e lëshoj karrigen në Kamëz

Kamza ka qenë një nga bashkitë më të rëndësishme të drejtuara nga Partia Demokratike dekadën e fundit. Kryebashkiaku i kësaj bashkie Xhelal Mziu, pas një periudhe të gjatë të drejtimit të këtij bastionit të djathtë, tashmë do të largohet. Por, gjatë kësaj të diele, Mziu ka “kërcënuar” duke u shprehur se nuk “e liroj karrigen”, pasi sipas tij zgjedhjet janë farsë.

“Na kthejnë në kohët më të errëta të komunizmit. Rezultati nuk do çertifikohet, Rama mori goditjen e merituar nga qytetarët. Qytetarët tashmë e dine se e keqja e vendit është qeveria, Rama vulosi fundin e tij”.

“Nuk do e liroj karrigen e bashkisë për një pseudo kandidat qe nuk merr as 7 përqind te votave, zgjedhjet legjitime janë më 13 tetor. Jam i gatshëm të përballem në garë reale, postin e kryebashkikut e lë vetëm me votë të lirë”, është shprehur Mziu, për Ora News.

Xhelal Mziu bëhet kryebashkiaku i parë i djathtë në detyrë që kërcënon se nuk do të lirojë karrigen e bashkisë së Kamzës, pas zgjedhjeve të kësaj të diele. Sipas tij, postin e bashkiakut do e lirojë vetëm kur të ketë votë të lirë. Në fakt, nuk dihet nëse PD dhe drejtuesit e zgjedhur prej saj, që tashmë do të duhet të largohen nga postet që mbajnë, do të kenë një plan tjetër për të penguar ardhjen e detyrë të bashkiakëve të rinj që dalin pas zgjedhjeve të kësaj të diele.

Skip to toolbar