Në prag të largimit, Mziu i vendos një rruge emrin “Ramush Haradinaj”

AKTUALITET


Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu bën të ditur se i ka vendosur një rruge emrin Ramush Haradinaj pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Disa vite më parë Bashkia e Kamzës e ka shpallur kryetarin e AAK, “Qytetar Nderi”, ndërsa Bashkia e Kamzës vlerëson se me aktin e tij Haradinaj tregoi se është një burrë shteti dhe një patriot.


“Ramush Haradinaj me dorëheqjen e djeshme tregoi të qenit një shtetar i vërtetë, pasi që është një patriot dhe atdhetar këtë e ka treguar çdo ditë të jetës së tij. Haradinaj tregoi se sakrifikon nga vetja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës për gjithë shqiptarinë. Me dorëheqjen prej një burri të vërtetë shteti tregoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se sa herë të kërkohet do të shkojë para drejtësisë jo si kryeministër i Kosovës por si Ramush Haradinaj.

Bashkia Kamëz ka nderin që një rrugë të qytetit tone t’i vendosë emrin e tribunit të lirisë dhe atdhetarisë Ramush Haradinaj me vendim të Këshillit Bashkiak.

Jemi me ty Ramush, të bindur në pafajësinë tende dhe misionin tënd për lirinë e Kosovës dhe shqiptarisë. Askush nuk ka mundur të gjunjëzojë sado që ka tentuar. Ti Ramush ke ditur t’ia dalësh me karakterin tënd fisnik dhe pastërtinë e figures tënde. Ti je një shtetar i vërtetë ndaj qëndro siç ke ditur t’ia dalësh pabesive. Jemi me ty”, njofton Bashkia e Kamzës.

Kujtojmë se Xhelal Mziu duhet të lërë zyrën e kryebashkiakut të Kamzës për shkak se nuk është më kryebashkiak sepse nuk mori pjesë në garën e 30 qershorit, ku fitues doli kandidati socialist për këtë bashki.




Skip to toolbar