Zaev jep dorëheqjen, pritet të krijohet qeveria teknike

Mëngjesin e të premtes Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit. Kështu, duke firmosur dorëheqjen, ai i hap rrugë krijimit të qeverisë teknike, që do të drejtojë vendin në zgjedhjet e parakoshhme. Nga ana tjetër, Kuvendi deri në mesnatë duhet të votojë edhe Qeverinë teknike të kryesuar nga ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski.

“Këtë mëngjes në orën 8.30 ishim në Qeveri. Nënshkrova dorëheqjen time, në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës dhe në bazë të Ligjit për Qeverinë. Besoj se dokumenti do të arrijë në Parlament shumë shpejt, në mënyrë që procedura të fillojë gjatë ditës për të mundësuar miratimin e qeverisë teknike”, tha Zaev.

Ndërsa dje VMRO -DPMNE-ja doli me kandidat të ri për për ministër teknik të Punëve të Brendshme pas mos pëlqimit të LSDM-së për kandidatin e parë, Dragan Kovaçkin. Bëhet fjalë për Naqe Çulev, i punësuar në Agjencinë për Zbulim, propozim ky i pranueshëm për LSDM-në dhe BDI-në.

“Me këtë propozim të VMRO-DPMNE-së nuk shkelet Kushtetuta, pasi nuk bëhet fjalë për person ushtarak dhe të uniformuar dhe nuk është nën hetim. Me këtë plotësohen kushtet që propozimi të shkojë në votim në Kuvend, bashkë me Qeverinë teknike, e cila duhet t’i realizojë zgjedhjet e 12 prillit”, thanë nga LSDM.

Samiti i Ohrit, konkluzionet e takimit të tre liderëve

Të dielën u mbajt takimi i dytë për krijimin e Shengenit Ballkanik. Megjithatë, para se Rama, Vuçiç dhe Zaev të flisnin publikisht, se çfarë arritën të diskutonin në samitin e Ohrit, mediat kanë zbardhur disa nga pikat. Sipas “Danas”, që citon kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, së pari është arritur që mes tre vendeve të vendoset qarkullimi i lirë i njerëzve vetëm me Kartë Identiteti.

Ky vendim mund të vihet në zbatim para vitit të ri. “Këto janë ndryshime tektonike që do të ndikojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkt sepse investitorët duan stabilitet dhe një treg të madh”, citohet të ketë thënë Vuçiç. Gjithashtu, duket se vendet kanë rënë dakord që e njëjta leje pune të jetë e vlefshme në tre vendet, dhe njohja e kualifikimeve do të unifikohet. “Do të na sjellë dobi sepse kemi probleme me fuqinë punëtore, dhe në të njëjtën kohë të krijojmë mjedis të mirë për investime sepse ne dërgojmë mesazhe stabiliteti dhe lirisë së lëvizjes në një zonë ku jetojnë 12 milionë njerëz”, shprehet Vuçiç.

“Synimi”, tha Vuçiç, “është që nëse hyni në aeroportin e Beogradit të mos keni më nevojë për dokumente speciale për Shqipërinë, askush nuk do t`ju kërkojë dokumente, të kemi sa më pak shkresa dhe probleme kufitare. Kur shkoni në Shkup, nuk do ju pyesim më se si keni ardhur deri këtu”, është një ‘mini Shengen”, tha kryeministri i Serbisë. Megjithatë, pavarësisht vendimeve në Ohër, Aleksandër Vuçiç është i ndërgjegjshëm që pas kësaj marrëveshje të ketë reagime dhe presion. Ndërsa falenderon amerikanët që e kanë mbështetur këtë projekt të tre vendeve të Ballkanit.

Ja disa nga konkluzionet e takimit mes tre liderëve të vendeve të Ballkanit, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

KONKLUZIONE NGA TAKIMI

1.Objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian mbetet qëllim i Ballkanit Perëndimor, dhe asnjë alternativë tjetër për këtë synim nuk është e zbatueshme për rajonin.

2. Përderisa të gjithë ndajmë vlerat europiane, kemi punë për të bërë drejt sjelljes së standardeve europiane në shoqëritë tona respektive. Si përfundim, ne përsërisim përkushtimin tonë që të implementojmë të gjitha reformat e domosdoshme dhe të arrijmë gradualisht të kemi përafrim të plotë me këto standarde.

3. Ne konfirmojmë që procesi i pranimit është mjeti më i mirë transformues në dispozicion për të siguruar prosperitet dhe progres në shoqëritë tona, por po ashtu sigurues i një konvergjence më strukturore dhe efektive mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

4. Në të njëjtën kohë, ne theksojmë se bashkëpunimi rajonal, përfshirë integrimin ekonomik është pjesë integruese e të gjitha përpjekjeve tona për të siguruar progres, prosperitet ekonomik e luftimin e sfidave aktuale; duke kujtuar edhe rëndësinë e shtimit dhe lehtësimit të kontakteve mes njerëzve.

5. Kemi konfirmuar se këto përpjekje shkojnë dorë për dorë me ambiciet tona për anëtarësim në BE.

6. Kemi mirëpritur arritjet e bëra në fushën ekonomike rajonale përmes Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe punën që po bëhet aty, por edhe në iniciativat e rëndësishme rajonale, përfshirë RCC-në dhe Ceftan.

7. Kemi theksuar dhe mirëpritur rolin e Procesit të Berlinit si katalizator i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.

8. Prandaj, jemi pajtuar të përshpejtojmë integrimin rajonal përmes masave tashmë të vendosura në mënyrë që të arrijmë rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët tanë sa më shpejtë që të jetë e mundshme. Për më tepër, jemi të vendosur të sigurojmë se këto masa po implementohen në mirëbesim nga të gjithë ne, brenda strukturave aktuale (për shembull, MAP REA, Cefta, RCC etj).

9. Ne konfirmojmë që kontakti qytetar-qytetar është një hapësirë ku mund të kemi rezultate të shpejta dhe të shohim përfitime të dukshme për qytetarët tanë. Prandaj, ritheksojmë vullnetin tonë që të punojmë me prioritet në arritjen e Marrëveshjes për kalimin e kufijve në rajon me letërnjoftime, ashtu që kjo marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në verën 2020.

Zaev, BE-së: Anëtarësim, jo partneritet i privilegjuar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev hedh poshtë çdo dyshim në lidhje me pranimin e një ‘partneriteti të privilegjuar” për vendin, nëse do të heqë dorë nga anëtarësimi i plotë i BE. Zaev tha se kjo nuk është në objektivat e Maqedonisë së Veriut dhe nuk pranon asnjë ofertë përveç anëtarësimit në familjen Europiane.

 “Vendi ynë është në BE dhe nuk do të pranojmë asnjë ofertë tjetër. E gjithë bota flet për ne për atë që kemi bërë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe e kemi merituar hapjen e bisedimeve. Ne duam atë që meritojnë dhe asgjë tjetër. Nuk pranojmë asnjë alternativë tjerë, pakte, partneriteti, projekte ekonomike. Ne jemi për anëtarësim të plotë në BE. Na premtuan, na thanë bëni punën dhe ne do t’ju japim datën. Diskutuan deri në orën 2:30 të mëngjesit dhe për fat të keq ndodhi padrejtësia. Kjo padrejtësi ndaj vendit tonë të vogël do ngritët si feniksi pasi të gjithë po flasin për padrejtësinë e bërë”, tha Zaev gjatë një takimi me simpatizantë të LSDM.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën datën e hapjes së negociatave pasi Franca vuri veton e saj për bllokim të procesit të zgjerimit të BE, që hasi kritika e sulme të ashpra. Pas kritikave, sipas mediave serbe, u tha se Macron po përgatit një plan për krijimin e një “partneriteti të privilegjuar” ku përfshihet mbështetje financiare e përfitime të tjera, në këmbën të tërheqjes së këtyre vendeve për anëtarësim të plotë në BE.

“Shtyrja e negociatave nxit nacionalistët”

Forcat nacionaliste do të forcohen më shumë në Ballkan, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të marrin dritën e gjelbër për të nisur bisedimet e pranimit në BE deri në vjeshtë, thonë kryetarët e të dy vendeve në Financial Times.

Të dy udhëheqësit lëshuan paralajmërimin e tyre ndërsa ministrat e jashtëm të BE-së shtynë sërish  vendimin për hapjen e negociata deri në tetor. Të dy vendet kanë ndërmarrë reforma të gjera për të përmbushur standardet e BE-së, por opozita në Francë dhe në Holandë doli kundër nisjes së bisedimeve zyrtare, pavarësisht nga rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian.

“Ne nuk kemi nevojë për një radikalizëm të ri, nacionalizëm dhe populizëm në vendin tonë”, tha Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë Veriore. “Nuk është shumë e rëndësishme nëse ne kemi një vendim nga Këshilli Evropian në qershor apo tetor, por nëse është tetor, le të jetë në fund të tetorit, sepse ka pasur shumë shtyrje”.

Edi Rama, kryeministri shqiptar, tha se mund të dëmtojë BE-në nëse rajoni i Ballkanit, i rrethuar nga vendet e BE, nuk ishte plotësisht i integruar në bllok. “Ballkani Perëndimor është si një organ i trupit që zvarritet dhe gjakoset. Nuk është e mundur të mbahet kështu: mund të infektohet, mund të jetë shqetësuese për gjithë trupin”, tha ai.

Ai tha se nëse vlerësimi pozitiv i komisionit do të shpërfillet nga shtetet skeptike për zgjerimin, do të destabilizonte më tej rajonin.

Kjo nuk është vetëm për politikën e zgjerimit, por për BE-në. . . Në thelb thotë se BE është e paaftë të marrë vendime në një fushë thelbësore të politikës së saj

“Ne nuk kemi nevojë për gjëra të reja të këqija për të kuptuar se çdo pengesë në këtë proces i hedh karburant nacionalizmin, i hedh karburant ëndrrave të dëmshme”, tha zoti Rama.

Të dy udhëheqësit folën në Forumin për Ballkanin Perëndimor të FT në Londër.

Maqedonia e Veriut, u bë një histori e rrallë suksesi për rajonin vitin e kaluar kur përfundoi një mosmarrëveshje me Greqinë mbi emrin e saj, megjithëse vendimi u kundërshtua ashpër brenda vendit.

Zaev tha se mbështetja publike ishte e kushtëzuar nga përparimi drejt BE dhe se një refuzim nga vendet anëtare të BE do të forcojë thirrjet për të shfuqizuar marrëveshjen me Greqinë.

Qershorin e kaluar, pasi u nënshkrua marrëveshja, por përpara se vendi të mbajë një referendum, krerët e BE premtuan të “përcaktojnë rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit në qershor të vitit 2019”. Komisioni ka rekomanduar fillimin e bisedimeve me Shkupin për 15 vitet e fundit, dhe me Tiranën që nga viti 2014.

“Ekziston një premtim nga Evropa se është një sistem me bazë meritash dhe ata duhet të marrin vendime mbi argumentet e asaj që meritojmë dhe çfarë përmbushëm. Pas 15 vitesh, ne me të vërtetë meritojmë këtë dhe Evropa duhet të japë”, tha Zaev.

Rama pranoi deklaratat e bëra nga Emmanuel Macron për reformimin e BE, por tha se bisedimet e pranimit do të duhen vite dhe reformat brenda BE dhe në Ballkan mund të bëhen “paralelisht”.

“Jam plotësisht dakord se Evropa duhet të reformojë veten përpara se të zgjerohet. . . Për Ballkanin Perëndimor, procesi i reformave kalon përmes procesit të integrimit në BE. Tani nuk po flasim për anëtarësim, po flasim për diçka ndryshe “, tha zoti Rama.

Afati i tetorit do të testonte kredibilitetin e Brukselit, tha Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it, i cili vuri në dukje se do të ishte “e paqëndrueshme” që të dy krerët e Ballkanit të mbeten në pushtet nëse vendimi do të shtyhet përsëri.

Skip to toolbar