Shehu e quan “eveniment” fitoren, por Mitsotakis: Veto integrimit të Shqipërisë

Tritan Shehu ka nxituar për të bërë urimin e tij si ish-lider i PD-së, për fitoren e pritshme të së djathtës në zgjedhjet e parlamentare të parakohshme në Greqi. Partia konservatore Demokracia e Re, e Kyriakos Mitsotakis, pritet të shpallet fituese në këto zgjedhje, pasi sipas  sondazheve ka marrë rreth 38% të votave. Për këtë arsye, Tritan Shehu, reagon i pari nga e djathta shqiptare, dhe i shpreh urimet Mitsotakis për fitoren. “Urimet më të mira për ND e Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i ri i Greqisë, tashmë përsëri pilastër e europianizmit”, shkruan ndër të tjera Shehu.

Me tej, në urimin e tij shpërndarë në rrjetet sociale, Tritan Shehu e cilëson lajm pozitiv zgjedhjen e Mitostakisit në krye të qeverisë greke, jo vetëm për Europën, por edhe për integrimin e Shqipërisë në union. “Një mesazh ky shumë i rëndësishëm nga populli grek, në mbrojtje të vlerave të mëdha, bashkjetesës, paqes e forcave zhvilluese të BE. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për Rajonin tonë, që aspiron veçse rrugën e integrimit, ku padyshim roli pozitiv i Greqisë tashmë do të forcohet. Fitorja e ND ësht ënjë eveniment pozitiv edhe për Shqipërinë, qoftë në planin bilateral, qoftë dhe në mbështetjen ndaj procesit tonë të integrimit në tërësi”, shkruan ndër të tjera ish-deputeti i PD-së.

Por a është gjithç kaq mirë sa thotë Tritan Shehu? A do të jetë Mitsotakis mbështetës i integrimit të Shqipërisë në BE? Këtë nuk e dim ta themi akoma, pasi është ende herët. Por në një deklaratë të kreut të Demokracisë së Re, bërë gjatë fushatës për zgjedhjet në Parlamentin Europian, Kyriako Mitsotakis u shpreh se do të vendoste “veton” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian” deklaroi ai gjatë një fjalimi në Selanik gjatë muajit maj, Kyriakos Mitsotakis.

Votimet në Greqi, Mitsotakis pritet të shpallet fitues

Janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, me sondazhet që i japin fitoren Demokracisë së Re, të drejtuar nga Kyriakos Mitsotakis. Sipas “Kathimerinit”, partia e Mitsotakis ka marrë rreth 38-42% të votave. Ndërsa partia e kryeministrit në detyrë, Alexis Tsipras, mendohet të ketë marrë nga 26.5% deri në 30.5%. Në vendin e tretë sipas sondazheve, pritet të jetë partia Lëvizja për Ndryshim, me rreth 6-8%, ndërsa SPG, shkon në rreth 5-7%.

Ekstremistët e Agimit të Artë nuk mendohet se do të shkojnë më shumë se 2.8-4.8%, ndërsa pjesa tjetër e votave shkon për partitë e vogla, gjithsej 20 parti pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas Exit Poll-ve, Demokracia e Re pritet të ketë 155-167 vende në parlamentin e ardhshëm, ndërsa SYRIZA e Alexis Tsipras, do të ketë rreth 82 deputet. Lëvizja për Ndryshim pritet të ketë 22 deputet, ndërsa 19 vende në parlamentin e ardhshëm grek, do të shkojnë  për Partinë Komuniste.

Pjesa e mbetur do të ndahet për partitë e tjera, që kanë kaluar pragun elektoral. Zgjedhjet e parakohshme në Greqi u thirrën nga kryeministri Alexis Tsipras, pasi partia e tij humbi në zgjedhjet e Parlamentit Europian në muajin maj. Grekët mesaduket nuk janë të kënaqur me masat shtrënugese për të kapërcyer krizën financiare, ndërkohë që Kyriakos Mitsotakis, ka premtuar se do të ketë ulje taksash për qytetarët grek.

Skip to toolbar