Italia njeh 30 qershorin si datë zgjedhjesh

Vetëm pak çaste nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor për dekretin e Ilir Metës për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i parë në nivel ndërkombëtar. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Italisë, Enxo Moavero Milanesi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Për të dy, ministri italian ka theksuar “rëndësinë ekstreme të pajtueshmërisë absolute me rregullat themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit”., thuhet në deklaratën Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

Më tej, në lidhje me çështjen e shumë diskutuar të zgjedhjeve të 30 qershorit, Ministri ka përsëritur se “pavarësisht ndasive dhe pikëpamjeve midis forcave politike shqiptare, është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe të shprehime mendimet dhe qëndrimet përkatëse në mënyrë demokratike”, ka deklaruara Moavero.

Më tej, po në këtë linjë, ministri italian ka shtuar: “Siguria dhe korrektësia e procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të sigurohet”, i cili do të monitorohet edhe nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, vëzhgues nga shumë vende të tjera, përfshirë Italinë.

Kryesia e PS, Rama: Fushata mbyllet në Vlorë, më 30 qershor proces me standarde

Fushata elektorale është futur në javën e fundit, teksa na ndajnë pesë ditë nga mbyllja e saj. Mëngjesin e kësaj të hëne, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një mbledhje të kryesisës së Partisë Socialiste. Nga sa mësohet, kryesocialisti u ka lënë porosi anëtarëve të kryesisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që për qeverinë mbetet i konfirmuar se do të zhvillohet më 30 qershor.

Gjithashtu në mbledhjen e kryesisë është vendosur edhe vendi i mbajtjes së mitingut përmbyllës të fushatës elektorale. Kryeministri ka zgjedhur qytetin e Vlorës për të thënë fjalën e fundit për këto zgjedhje, para se vendi të shkojë në heshtje elektorale dhe më pas në procesin e votimit.

Rama mësohet tu ketë thënë deputetëve dhe drejtuesve politikë në qarqe se procesi i votimit në 30 qershor do të jetë me standarde, ndërkohë, për garantimin e tij, kreu i qeverisë ka kërkuar që të respektohet Kodi Zgjedhor. Në mbledhjen e kryesisë është diskutuar edhe paralajmërimi i opozitës jo parlamentare, që është shprehur se nuk do të lejojë mbajtjen e procesit zgjedhor.

Edhe në këtë pikë, mësohet se Rama është shprehur se do ketë ndëshkime ligjore, nga burgu deri te përjashtimi përjetë nga puna në administratën publike, gjë të cilën, shefi i qeverisë e ka përsëritur edhe në takimet elektorale që ka mbajtur gjatë fushatës.

Stambollin e fitojnë rivalët e AK Parti, a paralajmërohet fundi i Erdogan?

Stambolli do të ndryshojë drejtim. Në bashkinë më të madhe në Turqi, Stamboll, u mbajtën të dielën e 23 qershorit zgjedhjet lokale për raundin e dytë, ku pas numërimit të 98.16% të votave, rezultati flet në favor të kandidatit Ekrem Imamoglu, me rreth 54% të votave.

Ky i fundit është kandidat i Aleancës Kombëtare të formuar nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI, kundërshtar të AK Partisë së Presidentit Erdogan. Kandidati i këtij të fundit, Binali Ylidirim, ka fituar rreth 45.16% të votave, raporton media turke, TRT.

Pas ankesave të paraqitura nga AK Partia në lidhje me zgjedhjet e mbajtura më 31 mars, Këshilli i Lartë Zgjedhor vendosi më 6 maj që “të përsëriten zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe të anulohet mandati i kandidatit të CHP-së, Ekrem Imamoglu”. Në bazë të këtij vendimi, qytetarët e Stambollit iu drejtuan sërish kutive të votimit më datë 23 qershor.

Kjo është një goditje e madhe për partinë e Erdogan, pasi humbja e një bashkie si Stambolli, ku me zgjedhjet e kësaj të diele konfirmohet rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit, tregon se rënia e popullaritetit të AK Partisë dhe liderit të saj kryesr është në rënie.

A mos vallë, pas një sundimi të gjatë në Turqi, edhe Erdogan po i vjen fundi? Kjo s`mund të thuhet ende, pasi do të jenë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ato që do të përcaktonin këtë, por e qartë është se humbja e drejtimit të Stambollit, është një shenjë që të bën të kuptosh se dhe në Turqi po lind një erë e re ndryshimesh politike.

Humbjen në zgjedhje e ka pranuar edhe kandidati i partisë në pushtet, i cili i ka shprehur urimet e tij për fitoren kundërshtarit.

Krahas dy kandidatëve kryesorë – Yildirim dhe Imamoglu, në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Stambollit garuan gjithashtu kandidati i Partisë Lumturia (SP), Necdet Gokçinar dhe kandidati i Partisë Vatan (VP), Mustafa Ilker Yucel.

Ftesa e Astrit Patozit: Të votojmë më 30 qershor për të marrë hak ndaj sistemit

Astrit Patozi u është drejtuar shqiptarëve me një letër publike, ku u kërkon që të dalin për të votuar më 30 qershor. Sipas Patozit, e vetmja mënyrë për ndëshkuar qeverinë, që sipas tij ka treguar që është e korruptuar, është vota. Ndaj, kreu i Bindjes Demokratike kërkon hakmarrje, jo vetëm ndaj qeverisë, por gjithë sistemit, që sipas tij, të gjithë e kemi pranuar prej vitit 1990.

“Por është po kaq e vërtetë se e vetmja mënyrë për të “marrë hak” në këtë sistem, që vetë e kemi pranuar prej vitit 1990, është vota juaj. Natyrisht edhe drejtësia, por atë nuk e kemi ne në dorë, dhe jemi ende larg ditës kur ajo mund të veprojë edhe mbi mëkatarët e gjithëpushtetshëm, të cilët deri më sot nuk janë ndëshkuar asnjëherë”, shprehet Patozi.

Duke u kërkuar qytetarëve që të zgjedhin Bindjen Demokratike, si alternativë kundër “Rilindjes”, Astrit Patozi shprehet se më 30 qershor  shqiptarët duhet të dalin për të votuar, pavarësisht se në fushë mund të mos jetë “fanella” e ekipit të zemrës.

“Askush prej jush nuk duhet të mbetet peng i një keqkuptimi apo sedre, për shkak se mund të mos e gjejë në fushë fanellën e ekipit të vet të zemrës. Sepse gabime në vendimmarrje të rëndësishme janë bërë edhe në të shkuarën, por jeta politike ka vijuar normalisht dhe ata që i kanë kryer janë përpjekur që t’i korrigjojnë rrugës dhe të marrin sa më pak kosto prej tyre”, thekson ai.

Sipas Astrit Patozit, vetëm duke votuar më 30 qershor, është shansi për të ndëshkuar qeverinë  me votë, duke matur njëkohësisht pakënaqësinë ndaj saj. “Do të ishte e vetmja mënyrë për ta matur pakënaqësinë e madhe të shqiptarëve ndaj kësaj qeverie në këto zgjedhje, të cilat me gjithë defektet e tyre serioze, sipas të gjitha gjasave, do të mbahen. Ndaj i drejtohemi me përulësi çdo zgjedhësi shqiptar, që është kundër kësaj qeverie, pavarësisht partisë që përfaqëson apo simpatizon, se nuk duhet ta humbë këtë shans. Kjo qeveri duhet ndëshkuar me votë dhe rrëzimi i saj duhet të fillojë më 30 qershor”, është shprehur Patozi.

Meta: Klima nuk pengon zgjedhjet lokale (por atëherë nuk ishte president)

Fatkeqësisht, situata politike aktuale ka dy anë të medaljes; e para sepse vendi është futur në spirale të rrezikshme të krizës politike, që po degradon drejt një konflikt civil, dhe e dyta, fatmirësisht (por jo në kontekstin parësor), klasa politike aktuale është ajo që “sundon” këtë vend prej tre dekadash këtë vend, ndaj në kujtesën e gjithsecilit nuk mund të fshihen disa deklarata të bërë nga këta politikanë, që aktualisht kanë futur vendin në këtë labirint.

E tillë është një deklaratë e bërë nga Ilir Meta menjëherë pas 21 janarit 2011, pikërisht, në datën 13.02.2011, kur fliste para simpatizantëve të LSI-së. Atë periudhë, kur sapo ishte mbajtur protesta e 21 janarit, ku për shkak të publikimit të videopërgjimeve, ku Meta shihej së bashku me ish-ministrin e LSI, Dritan Prifti (tashmë i ndarë nga jeta), katër qytetarë humbën jetën para kryeministrisë në protestën e organizuar asokohe nga opizta socialiste.

Meta, i cili më pas u largua nga posti i ministrit në kabinetin e qeverisë Berisha, deklaronte se tre muaj para se zgjedhjet e majit 2011 për pushtetin lokal do të mbaheshin, pavarësisht klimës së tensionuar politike në vend dhe vrasjes së katër protestuesve të pafajshëm, të cilët dolën për të protestuar pikërisht për shkak të një videopërgjimi. Për më tepër, ndiqni dhe gjykoni vetë deklaratën e Ilir Metës, kur zotohej se klima politike nuk do të ndikonte në zgjedhjet lokale, por, kjo deklaratë bëhej në një kohë kur Meta nuk ishte president.

Ilir Meta dhe dhuna shtyjnë ndërkombëtarët të grupohen rreth 30 Qershorit

Nga Ardit Rada

Teksa 10 ditë na ndajnë nga data kushtetuese e zgjedhjeve lokale, opozita joparlamentare ka vënë në zbatim një plan të njoftuar më parë prej saj.

Edhe pse dhunimi i ambienteve të votimit ishte parashikuar për ditën e votimit, PD dhe LSI kanë nxitur kryebashkiakët e tyre të vënë në zbatim planin për shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe gjithçka tjetër që ka lidhje me 30 qershorin.

Ditën e sotme, disa zhvillime të zbehura nga sulmet ndaj KZAZ-ve, kanë nxjerrë në pah një qëndrim të ndërkombëtareve ndaj asaj që po ndodh. Praktikisht, misioni i OSBE-ODIHR ka ngritur zërin për realizimin e zgjedhjeve më 30 Qershor teksa ka dënuar dhunimin e logjistikës.

Reagimi i OSBE, ku kërkohet dërgimi i organizatorëve dhe autorëve para ligjit, vjen pak minuta pasi Presidenti dërgoi një letër Miroslav Lajçakut. Kjo letër është pjesë e arsenalit që PD, LSI dhe Presidenti kanë në dispozicion për t’i rrëzuar zgjedhjet.

Duke i shkruar kreut të OSBE-së, Meta zbuloi kështu faktin se institucioni i Presidentit është gati të përdorë çdo hapësirë që ta frenojë 30 Qershorin. Jo vetëm më ç’dekretime të panjohura, por edhe me letra me vulë me shqiponjë. Por ndryshe nga OSBE, Presidenti ende nuk ka bërë thirrje për ndalim të dhunës, e aq më pak të kërkojë angazhim të agjencive ligjzbatuese.

Kreu aktual i shtetit nuk e ka lënë të mbetet unik rasti i Presidentit Sali Berisha 23 vite më parë. Për herë të parë ambasadorja e OSBE, Glover erdhi në vendin tonë në zgjedhjet më të vështira të historisë së pluralizmit shqiptar, ato të 26 majit të vitit 1996, ku në fund ajo firmosi një raport që i cilësonte zgjedhjet, si jo të lira dhe të ndershme. Ka qenë një vendim që do ta vendoste prej atij momenti, në kurs përplasjeje me presidentin e kohës Sali Berisha.

Sot OSBE-së i duhet të përballet për herë të dytë me një president shqiptar, këtë herë duke përkrahur 30 Qershorin dhe duke kërkuar që përgjegjësit të gjykohen. Dhuna ndaj KZAZ-ve duket se po jep efektin e kundërt që kishte parashikuar opozita joparlamentare dhe ajo “presidenciale”. Po e legjitimon akoma edhe më shumë 30 Qershorin para ndërkombëtarëve.

Voltana “Schwarzenneger”, sfidon sërish, mbyll shkollat me dhunë. Ishin qendra votimi.

Nuk ndalet kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila mesaduket kërkon të jetë në rreshtin e parë me Bashën, ndoshta dhe një hap para tij për të penguar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.  Me çdo mënyrë dhe formë, kryebashkiakja e Shkodrës, që duhet të ketë detyrë parësore shërbimin ndaj qytetarëve pa dallime politike, kërkon të bëhet pengesë pë të ndaluar po qytetarët e saj të shprehin vullnetin më 30 qershor, me justifikimin e dekretit të çdekretimit të zgjedhjeve.

Voltana Ademi, ka ndërmarrë një tjetër iniciativë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve. Me anë të një shkrese, që është firmosur nga znj.Ademi, bashkia Shkodër u kërkon shkollave të qytetit dhe të njësive administrative të mos hapin dyert më 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Në zbatim të ligjit Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Udhëzimi Nr.30 Datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiviteteve në Njësitë e Sektorit Publik, të ligjit nr 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, kërkojmë: Meqensë objektet shkollore janë asete në pronësi të Bashkisë Shkodër dhe administrohen si territore nga Bashkia Shkodër, këto objekte nuk duhet të aksesoren nga persona dhe institucione të pa autorizuar nga Bashkia Shkodër për të hyrë në këto objekte. Nënvizojmë që përgjegjësia juaj është administrimi dhe mirë organizimin i procesit mësior dhe jo administrimi i objektit”, shkruhet në shkresën e firmosur nga Voltana Ademi drejtuar shkollave të qytetit.

Ky është një tjetër veprim që synon të pengojë zhvillimin normal të procesit zgjedhor për zgjedhjet e pushtetit vendor më 30 qershor, Voltana Ademi është një nga kryebashkiaket më aktive të PD-së, që ka ndërmarrë disa hapa për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.

Balla: Presidenti mund të ketë dhe probleme mendore, do shkarkohet!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, deklaroi në ‘Real Story’ se mazhoranca do ti shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit të Repbulikës Ilir Meta.

Unë jam një prej firmëtarëve që kam kërkuar shkarkimin e Metës. Ai ka humbur besimin e Kuvendit, të të gjithë grupit Parlamentar të PS. Unë besoj se Kuvendi do ti bindet me 94 anëtar për ta çuar deri në fund këtë gjë. Unë kam dëgjuar një deklaratë lajthitëse të Presidentit të Republikës ndaj Kuvendit. Presidenti i Republikës po çon ndërmend edhe shpërndarjen e Parlamentit. Presidenti i Republikës mund të ketë probleme edhe të shëndetit mendor”, tha Balla.

Balla konfirmoi dhe njëherë qëndrimin dhe këndvështrimin e Partisë Socialiste se Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kompetenca për çdekretim, kreut të shtetit i është hequr me ndryshimet kushtetuese, ndërsa e ka cilësuar datën e dekretimit të zgjedhjeve, si një kompetencë ceremoniale.

Me ndryshimet kushtetuese Presidenti i Republikës ka thjesht e vetëm një kompetence ceremoniale për dekretuar datën e zgjedhjeve. Unë kam qenë përfaqësues i PS në presidencës për konsultën, teksa presidenti thirri palët, dhe jo pa qëllim kam bërë një diskutim ndoshta më të gjatë se kolegët e tjerë të opozitës. I kam thënë presidentit: ‘si mendoni ju, se ju e keni këtë kompetencë? Janë vetëm dy data më tha, nëse ne biem dakord, të lutem, më tha, opozita kërkon datën 30 dhe më dueht të vendos datën 30”.

“A e ka shkelur presidenti kushtetutën? Mendoj se në disa pika. Së pari, presidenti i republikës në saj të asaj “zhveshje” kompetencash, nuk ja njeh Kushtetuta të drejtën e dekretimit. Presidenti i Republikës ka sjell si kazus, në argumentin që i ka sjellë Kuvendit, ka sjellë si referencë rastine  vitit 2007, kur president ishte Z.Moisiu. ky i fundit tha se unë nuk e bëj dot dekretimin pa më dhënë mundësinë një dispozitë tranzitore”, u shpreh Taulant Balla.  

Veliaj: Opozita si talebanët, të vetmit që nuk duan zgjedhje

Erion Veliaj e krahasoi sjelljen e opozitës me atë të talebanëve në Afganistan, të cilët nuk lejojnë procese të rregullta zgjedhore dhe dalin kundër amerikanëve. Ashtu si forcat talebane në Afganistan, edhe opozita kërkon që të intimidojnë zgjedhësit dhe të kundërshtoj influencën amerikane tha Veliaj para banorëve të njësisë 3 në Tiranë

Bëhet fjalë për partitë e opozitës që kundërshtojnë influencën amerikane në proceset demokratizuese si reforma në drejtësi, bëhet fjalë për parti të opozitës që kërcënojnë me dhunë, bëhet fjalë për parti të opozitës që i bëjnë thirrje bllokimit të procesit zgjedhor, përveç një detaji: Në fakt, partia që flitet ose forca politike që flitet është talebani nga Afganistani. I vetmi rast sot në botë ku ka forca, lëvizje, angazhime politike, që kërcënojnë me dhunë zgjedhjet, që anulojnë votimet, që intimidojnë të zgjedhurit, që duan të ndalojnë fushatën, që pengojnë tubimet, ndodh vetëm tek talebanët, rasti i dytë është opozita jonë. Nuk ka sot një vend tjetër në botë ku opozita nuk do zgjedhjet”,  – tha Veliaj

Meta kapet pas dekretit: Juncker e ka gabim, zgjedhje s’mund të ketë

Presidenti i Repbulikës Ilir Meta ka folur në një intervistë për transmetuesin “Al Jazeera”, ku ka shprehur bindjen se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. “Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, ka thënë ndër të tjera Meta. Për gazetarin John T. Psaropoulos, Ilir Meta ka thënë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve ka hyrë në fuqi dhe duhet të zbatohet nga të gjitha palët. Ndërsa, lëvizjen e tij, e ka argumentuar si të nevojshme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në vend.

Ky vendim i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Partia për Unitet Kombëtar e Idajet Beqirit, pritet të dërgojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për mos çregjistrimin si parti politike nga zgjedhjet e 30 qershorit. Në këtë mënyrë, në rast se Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e marrë nga KQZ pak ditë më parë, atëherë merr miratimin e parë ligjor mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor, dhe rrëzohet dekreti i kreut të shtetit. Por, Ilir Meta shprehet se dekretin e anulimit të zgjedhjeve, në kushtet aktuale, nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend, veç Gjykatës Kushtetuese.

I vetmi autoritet suprem që mund të shqyrtojë këtë dekret është Gjykata Kushtetuese, por ajo për të cilën dëshiroj t’ju siguroj është se ky diskutim dhe ky debat është humbje kohe, pasi ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare. Tani në këto kushte ky dekret nuk mund të kontestohet nga asnjë gjykatë tjetër në vend. Dhe sigurisht, është një dekret që unë e kam firmosur para qytetarëve shqiptarë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë për atë veprim”, ka thënë Meta.

Zhvillimi i zgjedhjeve më 30 qershor ka pasur miratimin e faktorit ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, Meta, në intervistën për “Al Jazeera” është shprehur se Juncker nuk është informuar siç duhet për zgjedhjet e 30 qershorit.

Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”, ka thënë ndër të tjera Meta.

Intervistën e plotë te Ilir Metës e lexoni KËTU

Skip to toolbar