Stambollin e fitojnë rivalët e AK Parti, a paralajmërohet fundi i Erdogan?

AKTUALITET


Stambolli do të ndryshojë drejtim. Në bashkinë më të madhe në Turqi, Stamboll, u mbajtën të dielën e 23 qershorit zgjedhjet lokale për raundin e dytë, ku pas numërimit të 98.16% të votave, rezultati flet në favor të kandidatit Ekrem Imamoglu, me rreth 54% të votave.

Ky i fundit është kandidat i Aleancës Kombëtare të formuar nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia IYI, kundërshtar të AK Partisë së Presidentit Erdogan. Kandidati i këtij të fundit, Binali Ylidirim, ka fituar rreth 45.16% të votave, raporton media turke, TRT.


Pas ankesave të paraqitura nga AK Partia në lidhje me zgjedhjet e mbajtura më 31 mars, Këshilli i Lartë Zgjedhor vendosi më 6 maj që “të përsëriten zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Metropolitane të Stambollit dhe të anulohet mandati i kandidatit të CHP-së, Ekrem Imamoglu”. Në bazë të këtij vendimi, qytetarët e Stambollit iu drejtuan sërish kutive të votimit më datë 23 qershor.

Kjo është një goditje e madhe për partinë e Erdogan, pasi humbja e një bashkie si Stambolli, ku me zgjedhjet e kësaj të diele konfirmohet rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit, tregon se rënia e popullaritetit të AK Partisë dhe liderit të saj kryesr është në rënie.

A mos vallë, pas një sundimi të gjatë në Turqi, edhe Erdogan po i vjen fundi? Kjo s`mund të thuhet ende, pasi do të jenë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ato që do të përcaktonin këtë, por e qartë është se humbja e drejtimit të Stambollit, është një shenjë që të bën të kuptosh se dhe në Turqi po lind një erë e re ndryshimesh politike.

Humbjen në zgjedhje e ka pranuar edhe kandidati i partisë në pushtet, i cili i ka shprehur urimet e tij për fitoren kundërshtarit.

Krahas dy kandidatëve kryesorë – Yildirim dhe Imamoglu, në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Stambollit garuan gjithashtu kandidati i Partisë Lumturia (SP), Necdet Gokçinar dhe kandidati i Partisë Vatan (VP), Mustafa Ilker Yucel.




Skip to toolbar