Veliaj: Kush prek zgjedhjet shkon në burg

Pas disa takimeve në zona të ndryshme rurale, Erion Veliaj ka zhvilluar pasditen e të dielës një takim elektoral edhe me banorët e Zall-Bastarit. Gjatë fjalës së tij, ku premtoi më shumë investime për fshatrat dhe ngritjen e një tregu agroushqimor publik, Veliaj u shpreh se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Madje, kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se kush do të cënojë zgjedhjet, do të përballet me ligjin dhe ndalimin e udhëtimit drejt SHBA-së dhe BE-së.

Ligji është i qartë: kush bllokon rrugë, kush bllokon zgjedhjet, kush gris listat, do të shkojë në burg, do dënohet, e jo vetëm kaq, por për herë të parë SHBA dhe BE thonë: Do t’ju heqim vizat! Pyetja ime është: a ja vlen të shkatërrosh jetën e familjes tënde, për të rregulluar jetën e familjes së atyre që në fakt i kanë punë vaj? Ja vlen mos me dal kurrë nga Shqipëria, me fis e farefis, për sa kohë që shkon dhe bllokon zgjedhjet? Ja vlen të prishesh me komunitetin tënd, ku shumica e njerëzve mezi pret që pas 4 vitesh të japë mendimin e tij, votën, se si do të vazhdojnë punët në këtë vend”, u shpreh Veliaj.

Sipas Erion Veliajt, data e zgjedhjeve nuk mund të shtyhet, pasi ajo është e paligjshme dhe e palogjikshme. “Jemi në kohë vere, është koha e korrjeve, imagjino dikujt t’i jetë bërë gruri ose misri për t’u korrur, a frutat për t’u vjelë, edhe thotë: po përtoj tani, a ta lej për nga Tetori, Nëntori se është një çik më freskët? Por, ka afat, duhet të bëhet tani. Çdo gjë ka afat në jetë, nuk mund të themi: ua sa shpejt ikën këto 4 vjet, a ta shtyjmë, t’i çojmë 5 vjet zgjedhjet? Nuk funksionon kështu, ka një kontratë, ka një marrëveshje, është lënë me date, me afat”, tha kandidati socialist.

Kryebashkiaku shtoi se pala tjetër ka zgjedhur vetë të mos konkurrojë dhe kjo nuk i bën zgjedhjet jo demokratike. Ai u shpreh se në garë në Tiranë ka edhe kandidat tjetër dhe 41 forca të tjera politike. “Fakti që jam numri 2, do të thotë që është edhe njëri me numrin 1, fakti që partia jonë është numri 30, do të thotë që janë edhe 30 parti të tjera të paktën, se në fakt në total janë 42. Do të thotë që në qoftë se disa parti nuk vijnë në fushën e betejës, nuk do të thotë se do lemë lojën. Edhe për një ndeshje futbolli, kush nuk vjen në fushë, fiton pala tjetër; edhe në një takim, kush nuk paraqitet për një intervistë, fiton ai që paraqitet. Për të gjitha këto arsye, të gjithë bashkë do të zbresim në fushë në datën 30, në fushën e kutive të votimit masivisht”, shtoi Veliaj.

Rama: Në 30 qershor nuk vendoset vetëm fati i bashkive, por i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe ditën e diel fushatën elektorale nga Maliqi, duke thënë se 30 qershori nuk janë më zgjedhje vendore, por fal kundërshtarëve tanë ato janë kthyer në politike dhe atdhetare që do të vendosin njëherë e mirë fatin e Shqipërisë.

Në këto zgjedhje punët u ngatërruan pak por për shkak të kundërshtarëve tanë janë kthyer nga zgjedhje vendore në zgjedhje politike, qytetare dhe atdhetare. Nuk do vendoset se kush do drejtojë bashkitë por si do jetë fati i Shqipërisë në 30 vitet e ardhshme. Sot ata kanë ikur nga parlamenti për të penguar Shqipërisë sepse vettingun nuk e bllokuan dot. Vettingu do shkojë para dhe ne do arrijmë që reforma në drejtësi të jetë e paprekshme. Duan të krijojnë idenë se Shqipëria është një vend ku nuk bëhen dot as zgjedhje jo më të hapen negociatat me BE. Kjo është baza, shtysa, motivi. Që ku kanë ikur nga parlamenti kërkojnë me çdo kusht të djegin zgjedhjet.” – tha Rama

Veliaj: Meta dhe Mona e kanë Kasharin transit për Rinas ose Gjirin e Lalëzit

Gjatë takimi me banorët në zonën e Kasharit, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk la pa përmendur edhe presidentin Meta dhe Monikën, duke iu drejtuar qytetarëve nëse i kishin parë ndonjëherë ato në këtë zonë për t’i ndihmuar apo dëgjuar hallet e tyre. “I keni parë ndonjëherë Ilirin në Kashar, Monikën në Kashar? E kanë tranzit, ikin o në Rinas, o në Gjirin e Lalëzit. Po, ndalojnë vetëm kur ndajnë lekët e fushatës.”

Veliaj nuk la pa përmendur edhe ish kryeministrin Berisha dhe PetritVasili duke thënë se atyre iu është refuzuar viza për në SHBA dhe më 30 qershor do i hiqet viza njëherë e mirë të gjithë politikanëve që mbajnë peng vendin. “Në 30 qershor i heqim vizën Saliut, Vasilit dhe politikanëve që na mbajnë peng. I heqim vizën edhe protestës edhe prostatës.” 

Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe nuk do të ketë trazira tha Veliaj pasi “nuk besoj se ka ngelur njeri sot që të japë jetën për Berishën”, duke kujtuar se kush prek zgjedhjet dënohet me burg dhe hyn në listën e zezë të SHBA.

Rama: Zgjedhjet do jenë të çuditshme, por jo për fajin tonë

Ndërsa i cilësoi zgjedhjet e 30 qershorit të rralla dhe të çuditshme për shkak të mungesës së kundërshtarit kryesor, Rama tha se kjo nuk vinte për faj të qeverisë,por mendjes së opozitës dhe paaftësisë së saj për të paraqitur një dritare të re për qytetarët duke shmangur votën e tyre, për të justifikuar humbjen e garantuar. Edhe pse dogjën mandatet për t’u bashkuar me popullin tha Rama, në fakt opozita u fut mes tij duke e shtyrë të ushtrojë dhunë ndaj policisë dhe institucioneve.

“Ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë këtë vend dhe po nuk e bëmë ne, askush tjetër nuk ka për ta bërë. Për fat të keq ato që duhet të ishin sfiduesit tanë, për të krijuar një dritare të re mundësish për qytetarët, sot janë më keq nga ç’kanë qenë, pasi mirë nuk i kam parë ndonjëherë. Këto janë zgjedhje të çuditshëm për faktin se nuk kanë një kundërshtar kryesor dhe nuk janë gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi  Shqipërisë në një moment që pret hapjen e negociatave. Atyre jua ka fajin mendja e tyre. Por Shqipëria dhe demokratët që i votuan çfarë faji ju kanë? Ato dolën për të mos u kthyer më. Ato nuk u shkrinë me popullin, por u futën në mes të tyre duke i nxitur të shkaktojnë dhunë ndaj policisë dhe institucioneve.” – tha Rama

Gjatë prezantimit të kandidat për Kolonjën Erion Isaj, Rama kërkoi nga banorët mbështetjen e tij si dhe tha se kandidimi i tij ishte i mirëpritur pasi si rrallë herë dikush kërkoi që të ik nga Tirana në Kolonjë dhe jo e kundërta. “Erionit të “tretë” ne i dhamë mbështetjen tonë, ju do ja jepni më 30 qershor.”

Zguri distancohet nga KQZ: Nuk është qëndrimi im, njoh dekretin e Metës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, pas deklaratës së zëdhënëses së KQZ, Drilona Hoxhaj, e cila u bëri thirrje kryebashkiakëve të opozitës që mos të cenojnë KZAZ-të duke i cilësuar kërkesat e tyre të paligjshme dhe në shkelje të Kodit zgjedhor.

Zhuri, është distancuar nga kjo deklaratë duke thënë se ky nuk është qëndrimi i tij zyrta, por i 4 anëtarëve të KQZ,  ndërsa qëndrimin e tij e ka shprehur më herët kur ka deklaruar se njeh vendimin e presidentit Meta, për anulimin e datës së 30 qershorit.

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së nuk është qëndrim i kryetarit të institucionit, por i përket katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ. Unë si kryetari i institucionit e kam bërë të qartë qëndrimin tim në mbledhjen e zhvilluar pas dekretit të Presidentit Meta. Njoh dekretin e Presidentit Meta për anulimin e  zgjedhjeve më 30 qershor”, ka thënë Zguri në një deklaratë për mediat.

Glover: Raportin për zgjedhjet, 1 ditë pas 30 qershorit (pra zgjedhje ka)

Ambasadorja Audrey Glover që udhëheq grupin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR deklaron se të nesërmen e zgjedhjeve do të bëjnë publik raportin e përfundimtar, duke konfirmuar kështu se zgjedhjet do të ketë  pavarësisht vendimit të presidentit Meta, i cili është shprehur se nuk do të ketë një datë zgjedhjesh deri sa palët të bien dakord. “Është një situatë që ne po e shohim dhe po e vëzhgojmë. Dhe siç thashë, ne  e shohim të gjithë procesin zgjedhor si një të tërë dhe nuk mund të komentojnë në asnjë moment, sepse na duhet të shohim tablonë e plotë. Kështu që, kur të jenë bërë zgjedhjet dhe kur të kemi dhënë edhe një konferencë për shtyp, të nesërmen përgatisim raportin tonë përfundimtar dhe pikërisht aty do të jetë edhe vlerësimi ynë dhe i situatës këtu” është shprehu ambasadorja Glover për gazetarin Thimi Samarxhiu në Vizion Plus.

Në lidhje me bashkëpunimin e institucioneve për rakordimin e zgjedhjeve, Glover tha se administrimi  i tyre po ecën shumë mirë, por që pritet të shihet se çfarë do të ndodh ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit, ndërsa shtoi se misioni i OSBE/ODIHR ndodhet këtu për të vëzhguar zgjedhjet dhe se këtë do të bëjë. E pyetur nëse ka pasur takime me anëtarë të PD, Glover tha se ka pasur takime me to dhe ka kërkuar edhe një takim me Bashën, por për shkak të axhendës së zënë pritet të kjo të ndodh në një të ardhme të afërt.

Lexoni intervistën e plotë:

Thimi Samarxhiu: Zonja ambasadore që gjetët kohë për këtë intervistë në këtë moment të rëndësishëm jo vetëm për Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR, por edhe për klimën politike në Shqipëri. Pyetja ime e parë në fakt lidhet me historinë tuaj në Shqipëri dhe faktin që kjo është hera e katërt, mos gaboj, që ju vini për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. Cilat kanë qenë specifikat e këtij procesi në monitorimin që keni bërë deri tani?

Ambasadore Audrey Glover: Në fakt, është vetëm hera e tretë që vij në Shqipëri dhe kësaj here është mjaft interesante, është pak më e ndryshme nga herët e tjera që kam qenë këtu, por ne zakonisht nuk i krahasojmë zgjedhjet me njëra-tjetrën. Është tjetër atmosferë, atmosferë e polarizuar politikisht, gjë që është shumë e dukshme, jo vetëm këtu në Tiranë, por në të gjithë vendin në përgjithësi.

Thimi Samarxhiu: Çfarë keni konstatuar ju në dy javët e para të kësaj fushate?

Amb. Glover: Ne jemi këtu prej dy apo tre javësh, siç e thatë edhe ju,  dhe me ne janë bashkuar edhe vëzhguesit afatgjatë, të cilët janë dërguar në grupe dyshe në të gjithë vendin, të cilët na raportojnë gjatë gjithë kohës se çfarë shikojnë, çfarë bëjnë. Sigurisht që ata po shohin aspekte të ndryshme të ët gjithë procesit zgjedhor. Ne duam të sigurohemi se po e shohim të gjithë procesin nga fillimi deri në fund dhe jo që të kemi thjesht një fotografim të procesit në mes të tij. Ata po shohin gjëra si regjistrimi i zgjedhësve, regjistrimi i kandidatëve, si funksionojnë organet e administrimit të zgjedhjeve, KZAZ-të, nëse e kanë numrin e duhur të njerëzve. Ne po shohim gjithashtu situatën edhe sa i përket financimit të fushatës, median, kemi një seksion që monitoron median. Kështu që po përpiqemi të shohim gjithçka që i përket të gjithë procesit zgjedhor.

Thimi Samarxhiu: Një pyetje që ka tërhequr vëmendje është pse nuk jeni takuar me përfaqësues të Partisë Demokratike?

Amb. Glover: Në fakt, jemi takuar. Unë e kam takuar një prej përfaqësuesve këtu në Tiranë, dhe në Shkodër, ku isha pardje. Kemi kërkuar për një takim me kreun e Partisë Demokratike, por ai ka qenë shumë i zënë me udhëtime, por besoj se do të arrijë të gjejë kohë për ne në të ardhmen e afërt, por patjetër që jemi takuar me anëtarë të PD-së, si dhe me anëtarë të partive të tjera. Madje, jemi takuar në fakt edhe me kryetaren e bashkisë Shkodër. Ajo ishte nisur për në jug, ndërkohë që ne ishim nisur për në veri, kështu që u takuam, pimë kafe e patëm edhe një bisedë shumë interesante. 

Thimi Samarxhiu: Si ju është dukur bashkëpunimi i institucioneve që po merren me rakordimin e zgjedhjeve?

Amb. Glover: Mendoj se përgatitjet po shkojnë mirë. KQZ-ja ka qenë duke punuar dhe po ashtu edhe KZAZ-të. Hera-herës mendoj se po hasin vështirësi dhe probleme sa i takon stafit, por baza e administrimit të zgjedhjeve po ecën mirë, por me kalimin e kohës, mbetet për t’u parë se çfarë ndodh në ditën e zgjedhjeve në qendrat e votimit dhe sa i takon numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve 

Thimi Samarxhiu: Ambasadorja Glover, është një pyetje që unë në fakt nuk mund ta shmang. Presidenti i Republikës ka anuluar me dekret zgjedhjet e 30 qershorit, çfarë do të bëjë misioni i ODIHR, do të vazhdojë të qëndrojë për vëzhgimin e zgjedhjeve?

Amb. Glover: Për momentin ne jemi këtu me kërkesë të autoriteteve të këtij vendi për të vëzhguar zgjedhjet dhe pikërisht kjo është ajo që ne po bëjmë me ekipin tonë bërthamë këtu dhe me vëzhguesit tanë afatgjatë dhe po përgatitemi edhe për ardhjen e vëzhguesve afatshkurtër. Kështu që deri tani kjo është ajo për të cilën po përgatitemi dhe po bëjmë. 

Thimi Samarxhiu: Edhe një pyetje të fundit. Në daljen tuaj të parë ju thatë se nuk ju kishte ndodhur ndonjëherë të monitoronit zgjedhje pa opozitën. Si e shikoni gjithë skenën politike në Shqipëri? Si njohëse e zhvillimeve politike dhe zgjedhore në Shqipëri, jo si kryesuese e misionit të OSBE/ODIHR

Amb. Glover: Është një situatë që ne po e shohim dhe po e vëzhgojmë. Dhe siç thashë, ne  e shohim të gjithë procesin zgjedhor si një të tërë dhe nuk mund të komentojnë në asnjë moment, sepse na duhet të shohim tablonë e plotë. Kështu që, kur të jenë bërë zgjedhjet dhe kur të kemi dhënë edhe një konferencë për shtyp, të nesërmen përgatisim raportin tonë përfundimtar dhe pikërisht aty do të jetë edhe vlerësimi ynë dhe i situatës këtu dhe, siç thashë, ne do të bëjmë një vlerësim të asaj çfarë ka ndodhur, duke e parë në dritën e angazhimeve të Kopenhagenit që ky vend është zotuar t’u përmbahet. Sidoqoftë, sido që të jetë vlerësimi ynë, u takon të tjerëve të vendosin se çfarë duhet bërë. U takon autoriteteve, politikanëve, shoqërisë civile. U takon të tjerëve të vendosin se çfarë duhet të bëjnë me vlerësimin tonë. Pra, ne bëjmë një vlerësim dhe janë të tjerët ata që vendosin se çfarë duhet bërë me të.

PD-Ramës: Kur Presidenti të shpallë zgjedhjet e reja, do zbatojmë ligjin

Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Rama ku ka kërkuar zbatimin e ligjit nga kryetarët demokrat të bashkive, duke e cilësuar se në fakt ‘është vetë kryeministri në paligjshmëri të plotë.

Paraditen e së premtes, 5 bashki që udhëhiqen nga opozita, i drejtuan një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të tërhequr KZAZ-të dhe listat emërore, pasi zgjedhjet nuk do të mbahen më 30 qershor sipas dekretit të presidentit Meta.

Në deklaratën e saj, Partia Demokratike kërkon që Rama të zbatojë ligjin, pasi vendimi i presidentit Meta është botuar në Fletoren Zyrtare.”Kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.” thotë PD-ja.

“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!

Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse,  për sa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë.. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!

Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.

Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!

Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!” – thuhet në deklaratën e PD.

Rama vazhdon fushatën: Mos ndiqni katër të marrët!

Kryeministri Rama ka vijuar fushatën elektorale në qytetin e Patosit, ku nuk ka hezituar të përmend edhe faktin se bashkitë opozitare kanë vendosur të ndjekin dhe zbatojnë dekretin e presidentit Meta për shfuqizimin  e zgjedhjeve më 30 qershor, duke ju drejtuar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për largimin e KZAZ-ve dhe listave emërore.

Pra qytetarëve Rama tha se “kryebashkiakëve demokratë nuk duhet të ndiqni pas katërshen e marrosur, por ti referoheshin ligjit, përndryshe do të bëheshin viktima të tij. Akti i Metës për të bërë në marrëzi në mes të fushatës elektorale, për të fshirë firmën e tij me firmën e tij është si t’i frysh konfliktit civil dhe jo ta qetësosh atë.”

Kryeministri argumentoi edh enjë herë se pse zgjedhjet nuk mund të shtyhen duke e cilësuar këtë fakt si një të keqe më të madhe se mbajtja e tyre pasi “ në këtë mënyrë do të futej në fuqi rregulli që prish të gjitha rregullat se një parti mund të kërkojë të shtyjë zgjedhjet sa herë që t’i teket.”

“Kushtetuta nuk mund te argumentohet sikur po lexon filxhan apo sikur po lexon gazetën” tha Rama, i cili u ndal edhe në reformën në drejtësi, duke e cilësuar si frikën më të madhe të Metës, Saliut, Monikës dhe Lulit. “Katërshja kërkon të mbjell frikë, për të fshehur frikën e tyre më të madhe. Ato janë futur në errësirë dhe nuk mund të dalin dot më.’

Takimi me Metën, Idrizi: Duhet pakt kombëtar, i takon Ramës të ulet

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar të enjten me presidentin Ilir Meta për të diskutuar për një datë të re të zgjedhjeve. Idrizi vlerësoi aktin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa tha se gjatë takimit “I bëmë të qartë se sot nuk është dita për të diktuar për një datë të re, por për të ikur nga spiralja ku jemi futur, që po e nxjerr vendin jashtë shinave institucionale. Kokat e nxehta t’i thërrasin arsyes dhe kauza e opozitës janë zgjedhjet e lira.”

Idrizi shtoi se i takon kryeministrit Rama të ulet dhe të jap zgjidhje, pasi duhet “një pakt kombëtar me të gjitha forcat, duhet një reflektim, i bëj thirrje arsyes së kryeministrit Rama.”

I pyetur për vendimin e KQZ për të injoruar dekretin e Metës, ai tha se “Kemi parë çudira nga më të mëdhatë, e bënë KQZ si gjykatë. Për të gjithë ata që duan të kuptojnë, akti i presidentit ka natyrë individuale, por për të gjithë data e dekretimit të zgjedhjeve është e drejtë e presidentit”.

“Puthu me Milon”. Aleati i Ramës pro shtyrjes së zgjedhjeve.

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo , aleat i Partisë Socialiste në zgjedhje, është takuar me presidenti Meta të mërkurën mbi diskutimin e një datë të re për zgjedhjet lokale. PDS është në aleat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit, e cila kundërshton me forcë aktin e Metës për shfuqëzimin e tyre. Milo ka thënë se nuk është në kundërshtim me shtyrjen e zgjedhjeve, rëndësi kanë standardet mbi të cilat do të mbahen.

S’ka rëndësi se kur bëhen zgjedhje, rëndësi ka që të bëhen sipas standardeve të plotësojnë kriteret demokratike, të jenë të lira dhe në mënyrë të veçantë të jenë gjithëpërfshirëse.” tha Milo për mediat, ndërsa shprehu gatishmërinë e tij për t’u takuar me çdo parti politike në mënyrë që të gjendet zgjidhja e krizës. ” Ne do vijojmë të takohemi jo vetëm me presidentin. Shprehim gatishmërinë tonë për t’u takuar me të gjitha subjektet politike për ta trajtuar me përgjegjshmëri krizën politike në të cilën ndodhet Shqipëria që të gjejmë zgjidhjen më të përshtatshme më të domosdoshme. Në këto momente të vështira duhet të dëshmojmë urtësi dhe klasës politike përgjegjshmëri që interesi kombëtar të mbizotërojë mbi interesat politike.”

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

PDS është pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, por kjo thotë Milo nuk e pengon të jetë i lirë të shpreh pikëpamjet e tij. “Subjekti politik që përfaqësoj vendos interesin kombëtar. Duam stabilitet dhe që Shqipëria të shmangë përplasjet politike dhe sociale.” /realstory.al

Skip to toolbar