Refuzimi për negociatat, Zaev paralajmëron konflikte në Ballkan

Bllokimi që Franca i bëri hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po rrit rrezikun që në Ballkan të rritet radikalizmi dhe nacionalizmi. Ky është mendimi i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pohuar në një intervistë për Neë York Times.

“Nacionalizmi dhe radikalizmi mund të ngrihen përsëri. Ekziston rreziku që të hapen përsëri konflikte brenda vendeve apo mes vendeve”, është shprehur Zaev. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tregon se vendimi refuzues i Francës dhe dy vendeve të tjera për negociatat, e ka shkatërruar personalisht dhe psikologjikisht.

“Një gjë e tillë më ka shkatërruar personalisht, dhe psikologjikisht”, ka thënë Zaev. Prestigjiozja amerikane përmend edhe rrezikun rus në rajon, ndërsa citon Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut që shprehet se deri para 18 tetorit Ballkani kishte shpresë nga “drita” e Europës, që tashmë u shua.

Mini-Shengeni Ballkanik, mbahet sot samiti i Ohrit

Këtë të diel do të mbahet samiti i Ohrit. Kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Sebisë do të diskutojnë për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik. Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç u takuan të shtunën në mbrëmje në Ohër, ndërsa këtë të diel ata do të zhvillojnë dhe takimin zyrtar mes tyre.

Në axhedën e takimit do të jetë diskutimi për katër liritë kryesore të Bashkimit Europian, ku përfshihet lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve. Pas takimit, rreth orës 12:00 të mesditës, të tre liderët do të dalin në një konferencë për shtyp.

Ndryshe nga takimi i muajit tetor në Novisad, në samitin e Ohrit do të ketë edhe përfaqësues nga vende të tjera të Ballkanit. I pranishëm do të jetë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës si dhe ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi të marrë pjesë në takim. Arsyetimi i refuzimit të pjesëmarrjes nga Thaçi ishte sipas tij fakti se në takim marrin pjesë shtete që nuk e njohin Kosovën e pavarur.

Mini-Schengen, Vuçiç telefonon Ramën e Zaev

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, sipas mediave serbe, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në prag të takimit të Ohrit për mini-Schengen Ballkanik.

“Një bisedë e shkëlqyer me Edi Rama dhe Zoran Zaev përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor”, është shprehur Vuçiç, që mësohet të ketë thënë gjithashtu se bisedimet do të vazhdojnë për krijimin e “Schengenit Ballkanik”.

Më herët gjatë të hënës, Aleksandër Vuçiç zhvilloi një takim me të dërguarin e Posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

Gjatë konferencës për shtyp, Vuçi përsëriti qëndrimin se bisedimet me “Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të vijojnë për krijimin e Schengen Ballkanik, dhe më pas me vendet e tjera për heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve”, citohet të ketë thënë kryeministri i Serbisë.

Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan një deklartë të përbashkët më 10 tetor me synim krijimin e “Schengenit Ballkanik”, deklaratë e firmosur në Novi Sad të Serbisë.

Zaev “reflekton”: Dorëheqja një mundësi

Mediat në Itali publikuan një lajm të premten, se pas refuzimit të BE-së për t`i hapur negociatat Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev kishte dhënë dorëheqjen. Megjithatë, lajmi nuk u konfirmua zyrtarisht në Maqedoni, por mësohet se Zoran Zaev nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.

Por vendimin do ta marrë pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, LSDM. Ndërkohë, gjatë pasdites të së premtes Zoran Zaev po zhvillon takime me liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, Kryeministri Zaev është takuar gjatë pasdites të së premtes. Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veritu bëri thirrje për unitet.

Europa, i kujt është faji?

“Jam i bindur se tani është koha për të treguar unitet rreth orientimit tonë strategjik, pavarësisht dallimeve legjitime politike për shumë çështje,” deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në fjalimin që mbajti të premten.

Ai njoftoi se të dielën do të zhvillojë një takim me të gjithë liderët e partive kryesore në Maqedoninë e Veriut, ku pritet që fokus të jetë situata e krijuar nga mospasja e një vendimi të Këshillit Europian për hapjen e negociatave.

Zaev, BE-së: Nëse s’vlerësoni Shkupin, mos prisni zgjidhje të Kosovës

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se nëse BE nuk vlerëson marrëveshjen e Prespës dhe të hapë negociatat për vendin, atëherë nuk mund të pres që të gjejë zgjidhje përmes marrëveshjeve me vendet e tjera të rajoni si çështja mes Serbisë dhe Kosovës. Zaev tha se BE e ka vlerësuar me nota pozitive marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë,  por nëse ky vlerësim nuk reflektohet edhe në hapjen e negociatave, atëherë ky do cilësohet si “ndëshkim” nga maqedonasit.

Nëse BE nuk e merr vendimin për fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut, kjo praktikisht do të thotë se nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës. Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës tani është një nga marrëveshjet më të mira në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE-ja “ndëshkon” këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut duke shtyrë negociatat e pranimit, si mund të pritet që Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi të gjejnë zgjidhjen për çështjen e Kosovës, ose si do t’i motivojnë liderët e Bosnjës dhe Hercegovinës për të gjeni zgjidhjen për formimin e qeverisë? Unë shpresoj se BE do të na japin me motivimin për të vazhduar me punën e madhe për reformat dhe të ardhmen ”, tha Zaev në një intervistë për “Tanjug”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin vendimin që vendet e BE do të marrin në lidhje me negociatat. Liderët e vendeve anëtare pritet të mblidhen më 17 dhe 18 tetor, ku pritet të ketë diskutime të nxehta në lidhje me hapjen apo jo të negociatave, sidomos nga vendet skeptike si Franca, Holanda apo Danimarka.

Ditën e mërkurë, kryeministri Rama por edhe ai maqedonas Zaev udhëtuan drejt Brukselit për të lobuar për hapjen e tyre.

“Fshesa” e Zaev pastron 75 zyrtarë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka shkarkuar mbi 75 drejtorë të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, për shkak të mungesës së rezultateve me këto ndërmarrje. Shkarkimet do të prekin 31 drejtori, 40 borde dhe 3 agjenci inspektoratëve.

Këto shkarkime ishin paralajmëruar edhe më herët nga Zaev, i cili tha se këto institucione nuk kanë treguar rezultate pozitive në arritjen e objektivave të tyre. Institucionet e prekura nga shkarkimin, janë ndër më të rëndësishmet në vend, ndërsa drejtuesit e larguar ishin pjesë e thuajse të gjitha partive politike, përfshirë edhe shqiptarë.

Këto shkarkime vijonë si pjesë e riformatimit të qeverisë, pas akuzave që qeverisja Zaev ka marrë për mospërmbushje të premtimeve dhe mungesë të rezultateve.

Përgjimet e Zaev, nxirren në pah shkëmbimet territoriale Kosovë-Serbi

Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevit ra pre e një loje nga dy komedianë rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët imitonin ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenkon dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Përgjimet u bënë publike të hënën dhe Zaev vetëm atëherë e kuptoi që ishte vënë në lojë. Megjithatë ajo që u kuptua nga këto përgjimet ishte edhe shqetësimi real i tij për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjatë bisedës së Zaev me ish presidentin e rremë ukrainas, Petro Poroshenkon, kryeministri maqedonas shprehet se është kundër kësaj marrëveshjeje, pasi krijon një precedent dhe praktik ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë duke i hapur rrugë Rusisë për Abkazinë dhe Ukrainën si dhe Turqisë për pretendimet e saj mbi Qipron. Madje Zaev ka deklaruar e këtë shqetësim e ka ndare edhe me Merkel, SHBA dhe BE që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkarkojë një dëm të madh Ballkanit.

Kjo bisedë nxjerr në pah një çështje mjaft të diskutuar në politikën kosovare dhe atë shqiptare ku janë hedhur akuza të ndryshme lidhur me korrigjimin e kufijve të Kosovës.  Presidenti Hashim Thaçi sqaroi se kjo ide lindi si një bashkëbisedim në zyrën e tij, por ai kurrë nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë shkëmbimin e territoreve.

Biseda e zbardhur:

Zaev: Alo

Poroshenko (i rremë): Alo, përshëndetje zoti Kryeministër jam shumë i lumtur që ju dëgjoj

Zaev: Është kënaqësia ime, Zorani po ju flet! Zoti President ju jeni?

Poroshenko: Po unë jam. Shpresoj që koha të jetë e mirë në Maqedoni…

Zaev: Po e mirë, është verë si është koha në Ukrainë?

Poroshenko: Është pak ftohtë, por shpresoj të kemi mot të mirë ditët në vijim.

Zaev: Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancerlarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t’iu vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi pasur gjysëm ore bisedë telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën. Unë jam shumë i shqetësuar se këtoj lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh si rajonit tuaj ashtu edhe tonit. Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informur edhe vetë Zv/ Presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan Z. Pompeo. Por ne i kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos zonjës Mogherini që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkarkojë një dëm të madh Ballkanit.

Poroshenko i rremë: Po çfarë ka bërë Rusia në këtë drejtim?

Zaev: Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti. Por përtej kësaj. Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë.

Zaev vihet në lojë nga komedianët rusë, opozita i kërkon dorëheqjen

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka rënë në kurthin e dy komedianëve rusë, të cilët i kanë telefonuar duke u hequr si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Bisedat janë publikuar në Youtube dhe opozita maqedonase ka reaguar ashpër duke i kërkuar dorëheqjen kryeministrit Zaev për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Telefonatat janë bërë në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s, ndërsa Zaev e kuptoi që ishte vënë në lojë vetë të hënën kur u publikuan në Youtube.

Kjo lojë e komedianëve rusë ka bërë që kryeministri maqedonas, Zaev të dalë në një konferencë për shtyp dhe të kërkojë falje, por theksoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet të jap dorëheqjen.

“Isha viktimë e një shakaje të bërë nga një strukturë e mirëorganizuar e cila përfiton nga taktika, forma dhe mjetet e reja në një përpjekje për të diskredituar publikisht njerëzit dhe vendet me aspiratat euroatlantike. Kjo është një nga ato përpjekje për të dëmtuar drejtpërdrejt interesat tona strategjike për të përfunduar anëtarësimin tonë në NATO. Manipulimet vijnë nga media propaganduese me orientim anti-Nato për shtrirjen e ndikimit të palëve të treta.’ – tha Zaev, i cili shtoi se nuk  ishte viktima e parë e komedianëve mashtrues. Edhe politikanë të tjerë si Boris Johnson i Britanisë, Emmanuel Macron i Francës dhe Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë kanë rënë pre e tyre.

Drejtuesit e rinj të BE, Zaev: Interes për ne e Shqipërinë

Institucionet e Maqedonisë së Veriut besojnë se udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian do të angazhohen për realizimin e synimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e BE-së.

Kryeministri Zoran Zaev tha se Shkupi është optimist, se edhe me drejtues të rinj të BE-së, nuk do ta humb perspektivën dhe gjasat për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Besoj se të gjitha këto emërime mund të jenë në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjitha vendet kandidate, sa i përket perspektivës së ardhshme të BE-së”, ka theksuar Zaev.

“Ne kemi kryer detyrat tona dhe presim që kjo të shpërblehet. Maqedonia e Veriut në tetor pret të merr datën e nisjes së bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Edhe opozita nuk pret ndonjë ndryshim të kursit të BE-së me drejtuesit e saj të rinj.

“Udhëheqësit e rinj në krye të institucioneve evropiane kanë kompetenca për çështjet evropiane. Ata janë njerëz që me vite janë aktiv në politikën evropiane”, ka deklaruar Vllatko Gjorçev nga VMRO DPMNE-ja.

Zëvendëskryeministri për çështje evropian dhe zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani gjithashtu tha se pret zhvillime pozitive nga drejtuesit e rinj të BE-së.

Këshilli e Bashkimit Evropian në takimin e qershorit, nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit./Radio Evropa e Lirë/

Zaev: Maqedonia kërkon datën, jo anëtarësimin e menjëhershëm në BE

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka kërkuar nga BE që të caktojnë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e vendit, në mënyrë që të vlerësojnë angazhimin që është bërë në gjithë këtë kohë. Zaev e cilëson caktimin e datës si një motivim për qeverinë që të punojë edhe më shumë me reformat e ndërmarra.

Ne kërkojmë datën e bisedimeve dhe jo anëtarësim të menjëhershëm. Ne kërkojmë që të vlerësohet angazhimi që kemi bërë. BE-ja është tërheqëse për ne dhe kjo na motivon. Deri tani, kemi bërë shumë dhe kemi besim në Evropën. Ne ndryshuam emrin dhe ruajtëm identitetin. Marrja e datës për fillimin e negociatave do të jetë e rëndësishme për vendin, sepse do të jetë motiv shtesë për vazhdimin e zbatimit të reformave në të gjitha fushat me rritëm më të shpejtuar.” – ka thënë Zaev gjatë një forumi ndërkombëtar në Austri

Skip to toolbar