Takimi “100 minutësh” mes Ramës dhe zyrtarit të DASH

POLITIKË


I dërguari i DASH në Tiranë ka mbyllur sagën e takimeve zyrtare në vendin tonë me kryeministrin e vendit, Edi Rama, me të cilin ka qëndruar për rreth 100 minuta, ndërsa tema e diskutimit, ashtu siç është përmendur edhe nga protagonistët e tjerë gjatë ditës mendohet se ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi.

Takimi i kryeministrit Rama me drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, i cili nisi në orën 17:00, ku zyrtari amerikan ishte i shoqëruar me të ngarkuarën e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones. Ata kanë biseduar me kryeministrin Rama për rreth 1 orë e 40 minuta.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në vendin tonë vjen vetëm pak ditë pas delegimit të Palmer për Ballkanin Perëndimor, i cili u shpreh një ditë më herët se një nga çështjet e ngutshme për SHBA është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE.

Po ashtu, SHBA po investohet edhe kundër lobimit rus në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Shqipëri, vend i njohur për përkrahjen amerikane, ndërsa një politikë e tillë kundër lobimit rus po ndiqet gjerësisht edhe nga vendet anëtare të BE. Gjithsesi zhvillimet akute për Shqipërinë mbeten reforma në drejtësi dhe hapja e negociatave, ndërsa kërkohet që në një kohë të shpejtë të realizohet edhe reforma zgjedhore.



Skip to toolbar