Një ditë pasi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mblodhi “Task Forcën” për turizmin në Himarë, ku bëri për ujë të ftohtë drejtuesit në këtë zonë bregdetare, ai bashkë me dy ministrat e tjerë të kabinetit Rama, Klosi dhe Manastirliu, dhe zëvendësministren e Financave u mblodhën në Vlorë në kuadër të sigurisë dhe menaxhimit për sezonin turistik.
“Nga 139 subjekte të kontrolluara në zonën e bregdetit në të gjithë qarkun e Vlorës, vetëm 11 prej tyre kanë kontrata me bashkitë, ndërkohë që vetëm këtu ku jemi ka më shumë se 11 që e ushtrojnë këtë aktivitet, madje një numër i konsiderueshëm i këtyre aktiviteteve nuk ka NIPT financiar”, tha ministri Klosi. Ai foli edhe për sigurinë në plazhe, detyrimin që kanë subjektet për tu pajisur me kulla vrojtimi dhe ruajtës plazhesh të certifikuar, që sipas ministrit lë për të dëshiruar.
Në këtë mbledhje strukturat vendore raportuan problematikat ndërsa nga ana e ministrave u la afat për të rregulluar gjendjen dhe problemet që hasin pushuesit. “Ne patëm 0 jetë të humbura në plazhet e Vlorës vitin e kaluar, ndërkohë që sivjet nuk është po i njëjti rezultat sepse edhe shifrat flasin që kemi më pak roje plazhi sesa vitin e kaluar. Vrojtues të certifikuar kemi vetëm 84, ndërkohë që duhet të kishim më shumë. Vjet patëm përsëri një arritje të madhe në të gjithë zonën e bregdetit me 0 aksidente me jetë të humbura. Ndërsa parvjet mungesa e këtyre vijëzimeve na bëri që vetë në Vlorë të kishim 3 aksidente disa edhe me jetë të humbura të turistëve të huaj në qarkun e Vlorës”, tha ministri Klosi.
Për ministrin Lleshaj, mos zbatimi i legjislacionit në fuqi për menaxhimin e stacioneve të plazhit duhet zgjidhur në mënyrë immediate, përndryshe do të nisin ndëshkimet. “Java tjetër është afati i fundit për nënshkrimin e kontratave për dhënien me qira të stacioneve të plazhit. Nga e hëna, ekipe të bashkisë të shkojnë në çdo subjekt që të firmosin kontratat për marrjen në dorëzim të plazheve ose të ikin përfundimisht, përndryshe do të ketë penalizime dhe procedime penale. Kontrata të jenë me efekt prapaveprues që nga koha kur subjektet kanë filluar të ushtrojnë aktivitetin”, tha ministri Lleshaj. Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat për të garantuar shërbim shëndetësor në çdo pikë turistike. “Kemi përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor në 28 qendrat shëndetësore verore që funksionojnë në të gjithë zonat turistike, me trajnimin e vazhdueshëm të ekipeve mjekësore dhe koordinimin e punës nga urgjenca kombëtare në territor. Nga 1 Qershori kanë marrë shërbim mjekësor rreth 20 mijë pushues”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Për zëvendësministren e Financave, Belinda Ikonomi, turizmi është një nga sektorët prioritar dhe strategjik që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit. “Paketa fiskale që ne kemi sot për një kategori të madhe biznesesh deri në 5 milion lekë është me taskë 0, gjithashtu në ndryshimet e fundit të paketës fiskale, të gjithë subjektet në qarkullim nga 5-4 milionë lekë kanë reduktim me 5% të tatimit nga 15%, që ka qenë më parë. Shumë incentiva janë bërë edhe në fushën e akomodimit dhe shërbimeve në funksion të agrobiznesit, duke nxitur edhe agroturizmin. Por, të gjitha këto lehtësi, duhen shoqëruar edhe me masa ndëshkuese për subjektet që shkelin ligjin dhe ministria e Financës është padyshim pjesë integrale e Task Forcave për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe strukturat e saj kanë nisur kontrollet në terren për të identifikuar subjektet turistike, që veprojnë në shkelje të ligjit, duke cenuar mbarëvajtjen e sezonit turistik”, tha Ikonomi.