Tatimet, presion kompanive: Rrisni deklarimet për pagat e punonjësve

AKTUALITET


Tatimet kanë rritur presionin ndaj kompanive të ndryshme në mënyrë që të rrisin më shumë deklarimet për pagat e punonjësve. Kohët e fundit tatimet i kanë dërguar njoftim bizneseve ku i bëjnë të ditur se ata janë në monitorim të aktivitetit të tyre dhe se shumica e bizneseve në vend deklarojnë paga më të ulëta se niveli mesatar i tregut.

“Pas një procesi të vazhdueshëm verifikimi për pagat e punonjësve në tregun e punës, është konstatuar që paga e deklaruar nga ju për pozicionin e punës X, është ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut. Përveçse në shkelje të ligjit, ju sjellim në kujtesë se deklarimi më i ulët i pagave nga ato që realisht paguhen, sjell pasoja për punëmarrësit, duke i privuar ata nga të drejta përfitimi sidomos në të ardhmen. Me synimin së pari të ndërtimit të një marrëdhënie bashkëpunimi, Ju ftojmë të reflektoni në deklarimin real të pagave për punonjësit tuaj. Ju bëjmë me dije se Administrata Tatimore do vazhdojë të monitorojë aktivitetin tuaj dhe për çdo parregullsi për të cilën ju nuk keni ndërmarrë veprime vetëkorrigjuese, do të vijojë me masat që parashikon ligji”, njoftojnë Tatimet.


Një njoftim të ngjashëm morën zyrat e kontabilitetit, klinikat mjekësore dhe dentare, por edhe biznese të tjera, ku njoftoheshin për rregullimin e pagave të ekonomistëve, gjinekologëve, kardiologëve, dentistëve etj.

Tatimet kishin lajmëruar më herët një aksion për të formalizuar tregun e punës, pasi në shumë vëzhgime dhe anketa është vërtetuar se ka nën deklarim të pagës sidomos në profesionet e lira në mënyrë që të shmangen tatimet. Për të shmangur këtë formë informalitetit qeveria Berisha në mandatin e parë nisi aplikimin e pagave të referencës, por kjo politikë binte ndesh me parimet e funksionimit të tregut të lirë dhe u shfuqizua në vitin 2012.




Skip to toolbar