Një familje në kushte të vështira ekonomike është bërë me shtëpi të re në fshatin Spathar të Librazhdit. Familja me disa anëtar, ku pjesë ishte dhe një e moshuar 94-vjeçare, prej kohësh jetonte në kushte të vështira.
Banesa ishte pothuajse e rrënuar ku anëtarët e familjes flinin në qiell të hapur. Deputeti i zonës së Librazhdit, Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë Kastriot Gurra, ishin të dielën në këtë familje duke i dorëzuar çelësat e shtëpisë së re. Lajmin e ndau dhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
“Në fshatin Spathar të Librazhdit, ku falë iniciativës dhe angazhimit të Taulantit, një dritë e re shprese ka lindur në familjen e nënë Bejazes, shtëpia e së cilës ishte shkatërruar. Këto ditë festash e kanë gjetur 94 vjeçaren dhe familjen e saj me gëzimin e një shtëpie të re, të ndërtuar nga e para me kushte dinjitoze të banimit”, shkruan Rama.