“Marrëveshja për qeverinë në janar”, Kurti: Datën e cakton Mustafa, jo Thaçi

AKTUALITET


Albin Kurti konfirmoi të dielën se qeveria e re e Kosovës do të formohet në janar. Gjatë punimeve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti tha se marrëveshja me LDK-në pritet të arrihet në janar.  “Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në. 80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh. Ne kemi ofruar njërin nga dy postet që qytetarët na ofruan neve. E ofruam pozitën e kryeparlamentarit por ajo u refuzua”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se nuk ka kohë për të humbur, duke i drejtuar një apel edhe drejtuesve të LDK. “Unë pres që pas konstituimit të Kuvendit të fokusohemi në bërjen e koalicionit qeverisës sepse pengesat e panevojshme nuk i duam. Ne nuk do të ishim VV nëse nuk punojmë e kërkojmë ashtu siç duan qytetarët. Kohë për të humbur nuk kemi sepse s’kemi ekonomi të zhvilluar, nuk kemi shërbime të mira shëndetësore dhe pothuajse të gjithë sektorëve iu duhet ndërhyrje”, ka thënë ai.


Më tej, Albin Kurti, duke ulur tonet me ata që pritet të bashkëqeverisë Kosovën, reagoi ndaj Presidentit Hashim Thaçi, duke u shprehur se datën për caktimin e qeverisë e përcakton LDK dhe jo Presidenti. “Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjertërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”, tha Kurti.




Skip to toolbar