Xhaka, dëmtim muskulor apo “nervor”?

AKTUALITET


Trajneri Edy Reja është treguar i kujdeshëm në ekipin kombëtar. Më shumë se sa për të krijuar polemika, ai është munduar të krijojë frymë pozitive në grup. Megjithatë, rastet polemizuese nuk kanë munguar. Pas Eros Grezdës, një tjetër çështje ka lindur në kombëtare. Taulant Xhaka refuzoi të vinte në grumbullim. Sipas trajnerit Edy Reja, lojtari nuk ka ardhur në grumbullim për shkak të lëndimit. “Me Xhakën, kanë folur bashkëpunëtorët e mi në telefon. Ai na ka shpjeguar se në ndeshjen ne Zvicër kishte një dëmtim muskulor. Ai ka dashur që të qëndrojë në shtëpi. Nëse ai nuk është gati 100%, duhet të mos aktivizohet”.

Por, Panorama Sport raportoi se Taulant Xhaka refuzoi të grumbullohej me kombëtaren, pasi nuk ka pranuar të përdoret si “gomë rezervë”. Xhaka kishte kontaktuar me stafin e kombëtares, duke u shprehur se kishte një problem muskulor dhe s`mund të vinte në grumbullim. Por sipas të përditshmes sportive, Taulant Xhaka, fillimisht është programuar për listën në pritje.


Ky rast i përsëritur, mesfushorit të Bazelit duket se i ka sjellë një rritim, duke e konsideruar mungesë vlerësimi këtë trajtim nga Kombëtarja. Situata, duket se është përkeqësuar në momentin që është konfirmuar dëmtimi i Amir abrashit. Në këtë moment, mesfushori i Bazelit ka mësuar ndryshimin e situatës dhe ka kuptuar se nuk është më një zgjedhje e parë, dhe ka kthyer përgjigjen për stafin.

Ndonëse të dyja palët i qëndrojnë verisonit se problem janë “muskujt” dhe jo “nervat”, trajneri i Kombëtares Edy Reja, la të kuptohet gjatë konferencës për shtyp, se Xhaka mund të ketë një hatërmbetje. Në fakt, Reja iu referuar rastit të Eros Grezdës, i cili në qershor la grumbullimin në kombëtare, për shkak të pakënaqësive për çështjen e formacionit. Ndaj, të mërkurën Reja u shpreh se “ata që afrohen duhet të jenë të qetë dhe të lumtur”, por nga ana tjetër është “trajneri ai që vendos për formacionin”, ndërsa shtoi se në kombëtare është i rëndësishëm grupi, dhe jo individi.

“Dua që ata që afrohen të jenë të qetë dhe të lumtur që marrin pjesë pavarësisht se kush luan apo jo. Të gjithë mund të luajnë ose mund të ndodhë që nuk je në 11. E vendos trajneri kush luan dhe kush jo. Kemi një grup solid dhe nëse përmendim Grezdën, më vjen keq por nuk pranoi disa situata në grup dhe vendosi të mos pranojë ftesën tonë. Është Shqipëria që futet në fushë dhe kush mendon se është Mesi, për të nuk ka vend në fushë. Rëndësi ka grupi dhe pastaj ka individi”, përfundoi Reja.




Skip to toolbar