Të dënuar për pengmarrje e trafik droge, OFL iu nis formular për deklarim pasurie 3 “të fortëve” në Berat

AKTUALITET


Operacioni Forca e Ligjit vazhdon që të  jetë  aktiv dhe këtë  herë  ka dërguar formularë të deklarimit të pasurisë tek 3 “të  fortë ” në  Berat.


OFL iu ka nisur formular për të deklaruar pasurinë që kanë  3 shtetasve, të  dënuar për vepra të  tilla si trafik droge dhe pengmarrje personi.

Njoftimi i OFL-së : 

OFL, 13 gusht

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

  1. Elsido Sani, banues në Berat, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike dhe mbajtje e paligjshme e lëndëve narkotike me qëllim shitjen”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë;
  2. Kujtim Xhufi banues në Fier, i dënuar në Itali për veprën penale “ Pjesëmarrja në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë;
  3.   Elidon Bendajaias (alias Erion Lamaj) , banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit” në rrethana lehtësuese.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.