Të dënuar për vrasje, ekstradohen dy të kërkuarit nga drejtësia shqiptare

AKTUALITET


Gjatë ditës së premte, Intrepol Tirana ekstradoi nga Italia drejt vendit tonë një 40-vjeçar i akuzuar për vrasje. Festim Rusi alias Besim Rusi, 40 vjeç, u soll në Shqipëri pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 20 vite burg.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja e armëve të ftohta”. Ky shtetas akuzohet për një vrasje të kryer gjatë vitit 2001 në fshatin Metalliki në Greqi. Pas një debati për motive të dobëta, ai vrau me armë të ftohtë thikë, shtetasin me inicialet A.R.


Gjithashtu, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina i shtetasit shqiptar Sherif Gjini 58 vjeç, lindur në  Elbasan. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e ka dënuar me 8 vite burg për veprat penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së rëndë psiqike” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Në vitin 2005, në fshatin Linas të Komunës Mollas në Elbasan, shtetasi Sherif Gjini ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasin A. A. Të dy shtetasit e ekstraduar ju dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.




Skip to toolbar