Meta shpall vakancën, njeh shkarkimin e Besnik Muçit

POLITIKË


Kreu i shtetit ka shpallur menjëherë vakancën e krijuar pas shkarkimit nga vettingu të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, i cili u zgjodh rreth një muaj më parë nga vetë Presidenti dhe që rezulton të jetë gjyqtari më “jetëshkurtër” në Gjykatën Kushtetuese.

Përballë vendimit të KPA, i cili rezulton se i ka shkuar të premten kreut të shtetit, Ilir Meta ka shpallur menjëherë vakancën, ashtu siç është përcaktuar në ligj. Publikimi i vakancës nga ana e Metës është bërë menjëherë, pasi Gjykata Kushtetuese, hoqi në heshtje emrin e Besnik Muçit nga lista e anëtarëve të saj.


“Në bazë të ligjit dekretoj shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar nga përfundimi përpara të mandatit të ish-gjyqtarit, Besnik Muçi”, deklaroi kreu i shtetit.

Njohja e vendimit të KPA nga ana e Presidentit të Republikës u njoftua që një ditë më herët, pavarësisht se e sulmoi këtë institucion për ndikime politike. Gjithsesi, “djegia” e Muçit nga vettingu ishte paralajmëruar si një skenar i kreut të shtetit për të vonuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese që në momentin e zgjedhjes së tij, për arsye se ndaj tij ishin shfaqur problematika në deklarimin e pasurisë.




Skip to toolbar