Me mbylljen e votimeve është bërë edhe një llogaritje paraprake sipas shifrave të raportuar nga çdo qendër votimi. Deri tani mendohet se mbi 800 mijë persona kanë marrë pjesë në votime për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj të 61 bashkive të vendit. Ndërkohë që pritet që të ketë një shifër zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pas mbylljes së votimin në orën 19:00 në të gjithë vendin, ka nisur edhe transportimi i materialeve dhe kutive të votimit në KZAZ-të përkatëse për të nisur procesin e numërimit. Më herët anëtari i KQZ, Bledar Skëndëri tha se procesi i numërimit mund të nis pak para mesnate. Duhet theksuar se si asnjëherë tjetër, pavarësisht natyrës të pazakontë të këtyre zgjedhjeve, procesi ka shkuar i qetë dhe nuk ka pasur incidente.