Fact Checking/ Mbi 12 raste, si u dogjën KZAZ-të me dekretin e Metës

#NËRADAR


Presidenti Ilir Meta në seancën dëgjimore përpara Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij deklaroi se dekreti për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor synonte të ndalonte gjakderdhjen dhe se fill pas firmosjes së tij u ndalën aktet e dhunës. Por pak javë kanë kaluar nga ajo kohë dhe kujtesa është ende e freskët për të mbajtur mend se ngjarjet nuk rrodhën pikërisht kështu sikurse thotë presidenti. E vërteta është se fill pas firmosje së dekretit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve në Shqipëri shpërtheu një valë protestash me zjarrvënie në mbarë vendin, që synonin djegien e KZAZ-ve dhe materialeve zgjedhore duke tundur si flamur dekretin e Metës.

Anulimi i zgjedhjeve nga Meta ndryshoi strategjinë e protestave të PD-së. Liderët e opozitës u tërhoqën nga protestat masive me molotov kundër kryeministrisë (pas apelit të SHBA-së dhe Palmer) dhe u shpërndanë nëpër qytetet e Shqipërisë veçanërisht aty ku ndodheshin bashkitë e djathta, ku sulmuan KZAZ-të dhe i vunë zjarrin materialeve zgjedhore. Argumenti që u përdor në të gjitha rastet si nga drejtuesit e bashkive, përfaqësuesit politikë, por edhe nga militantët dhe protestuesit e thjeshtë ishte se nuk kishte zgjedhje më 30 qershor, për shkak se presidenti i anuloi përmes dekretit.


Realstory ka bërë një kontroll të fakteve dhe ka zbuluar se pas firmosje së dekretit të Metës është paraqitur një situatë e tensionuar në qytetet të tilla, si Pogradec, Bilisht, Kukës, Çorovodë, Burrel, Kamëz, Berat, Klos, Gjirokastër, Dropull, Delvinë, Kavajë, Kamëz, Lezhë, dhe Dibër.

Më poshtë kemi përzgjedhur me data ngjarjet më të rënda:

12 qershor. Dy javë para zgjedhjeve të 30 qershorit, është sulmuar Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor të qytetit të Rrogozhinës. Militantët kanë thyer fishekun e derës se kësaj qendre, ndërkohë policia ka rrethuar qendrën e KZAZ-së.

18 qershor, zjarr në KZAZ-në nr. 3 në Shkodër. Digjet shkolla Shejnaze Juka. Militantët e PD-së i vënë flakën materialeve zgjedhore. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, Meta i anuloi.

18 qershor, incidente janë shënuar edhe në Tropojë, ku disa shtetas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ  tek Muzeu Historik.

19 qershor, zyrtarët e Bashkisë së Burrelit dhe militantët e PD-së kanë sulmuar KZAZ-në nr. 16 dhe i kanë vënë zjarrin materialeve zgjedhore duke zbatuar kështu dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.

19 qershor është sulmuar dhe është tentuar të hapet edhe KZAZ nr. 27 e Bashkisë Kamëz. Policia Bashkiake e Kamzës ka tentuar të lirojë ambientet e KZAZ-së që ndodhen në shkollën “Ibrahim Rugova”, por ka hasur me Policinë e Shtetit e cila është vënë në ruajtje të ambienteve të kësaj KZAZ-je.

19 qershor. Në KZAZ-në numër 11 në Kukës e cila është vendosur në ambientet e një palestre, militantë të PD-së në bashki, kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nxjerrë nga KZAZ materialet zgjedhore. Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kërcënojnë të hapin me dhunë derën e KZAZ-së.

19 qershor. Kanë vijuar në mbrëmje tensionet në Kavajë, në KZAZ nr. 42 kur disa militantë të PD janë konfrontuar me forcat e sigurisë. I pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i PD i cili ka nxjerrë në terren edhe forcat zjarrfikëse të bashkisë për të sulmuar forcat e policisë.

27 shtator, militantët e PD-së i vendosin zjarrin KZAZ-së nr.6 brenda shkollës në Vaun e Dejës. KZAZ-ja ndodhet në shkollën profesionale ‘Ndre Mjeda’ në Bushat.  KZAZ-ja u sulmua me molotv. Strukturat e PD-së janë mobilizuar në zbatim të skenarit të opozitës për të bllokuar zgjedhjet në 30 Qershor duke ndjekur modelin e Shkodrës pak ditë më parë me përplasjet që kulmuan me zjarrin që iu vendos po një KZAZ-je në shkollë.

27 qershor, incidente në KZAZ-të numër 12 dhe 13 në Lezhë. Materialet zgjedhore janë transportuar nga mjete të ushtrisë të shoqëruara nga forcat speciale të policisë. Nga ana tjetër policia bashkiake e Lezhës, e cila drejtohet nga PD ka kërkuar lirimin e ambienteve ku janë vendosur materialet zgjedhore.

28 qershor. PD tenton të futet në KZAZ-në nr. 19 në Dibër që ndodhet në palestrën e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. Rreth 300 militantë janë përplasur me policinë.

28 qershor. Incidente edhe në Pogradec. Dy punonjës bashkie janë arrestuar pasi kanë mbyllur me çelës 3 shkollat dhe kopshtin, të caktuar nga KQZ si qendra votimi.

28 qershor sulmohet KZAZ 19 në Dibër. Një numër i madh mbështetësish të Partisë Demokratike ku tentuan të hyjnë me forcë. Protestuesit u përplasën fort me policinë. Të paktën gjashtë policë dhe një gazetar kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Edhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit, dekreti i Metës u përdor nga kryebashkiakët e djathtë si pretekst për të mos liruar zyrat për të zgjedhurit e rinj vendorë që dolën fitues nga zgjedhjet. Trazira u shënuan në Devoll e Kavajë, ndërkohë që PD ishte përgatitur për skenar dhune në të gjitha bashkitë e djathta, por më pas u tërhoq. Pra faktet vërtetojnë të kundërtën e asaj që Presidenti deklaroi një ditë më parë në komision. Dekreti i tij i hodhi më tej benzinë zjarrit, dhe nuk ndali “gjakderdhjen”./realstory.al




Skip to toolbar