Pas tensioneve dhe përplasjeve me policinë tek Bregu i Lumit, ka reaguar kryebashkiaku Erion Veliaj i cili akuzon “fëmijët e llastuar të politikës” si bllokues të projektit për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.
Veliaj ka marrë pjesë sot në konferencën “Smart City Solution”, ku edhe ka folur për domosdoshmërinë e zhvillimit jo vetëm të qendrës por edhe periferisë së kryeqytetit.
“Ju e dini fare mirë, ky është një qytet që ka vështirësitë e veta. Teksa flasim, po ecim me punimet per tek piazza e fundit e Bulevardit të Ri, por ka ende fëmijë teveqelë e te llastuar politikanesh dhe të fortësh të politikës shqiptare, që i bëjnë rezistencë ndryshimit, por ndryshimi do vijë. Edhe i paevitueshëm. Në mos do e sjellim ne, do e sjellë dikush që vjen pas nesh. Po më mirë ta sjellim ne që e kemi në dorë, sesa t’ia lëmë gjithmonë si gjobë një gjenerate tjetër”, tha Veliaj.
Më herët gjatë ditës, me policinë te bregu i lumit u përplas edhe ish deputeti i PD-së, Klevis Balliu.
Nderkaq, Kreu i Bashkisë u shpreh se kryeqyteti është i destinuar që të rritet. “Duam apo s’duam ne, në të gjithë botën, përfshirë dhe Hungarinë, dhe Shqipërinë, dhe Ballkanin, dhe Europën Qendore, dhe çdo vend tjetër, ka një tendencë nga periferia për në qendër. Pra njerëzit në periferi të Shqipëri duan të vijnë të gjithë në Tiranë, njerëzit në Ballkan që është periferi e Europës duan të shkojnë më në qendër të Europës. Kështu që kemi dy mundësi, ose na kaplon histeria për këto lëvizjet demografike, ose themi ky është një realitet të kohëve tona moderne të cilët ne duhet ta përballim, dhe hajde të mësojmë nga më të mirët.
Ne nuk i ndërtojmë dot mure qyteteve tona, siç ishte në kohët e lashta, ku qytetet rrethoheshin prej muresh. Muret tani janë financiare, muret janë mure të pamundësive, dhe kjo është arsyeja pse ne nuk ndërtojmë dot mure në Tiranë, se na vijnë 25 mijë veta çdo vit. Që nga koha kur jam zgjedhur kryetar bashkie kanë ardhur 100 mijë veta në Tiranë. Do të thotë që duhet të përgatitemi për apartamente që mund të përballojnë. Por për sa kohë që rritja është e qëndrueshme, është inteligjente me konceptet e “Smart Cityt” është e gjelbër me konceptet e pyllit orbital, apo xhepat e parqeve, apo mikro-hapësirave ku po ndërhyjmë, atëherë ky është një lajm i mirë. Nuk është një fatkeqësi, por është një privilegj, fakti që qytetet tona shtohen si në Budapest dhe në Tiranë me çuna dhe goca që vijnë nga rrethe të tjera, kanë talent”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.