Të gjithë sytë në Munich/ Luhet finalja e Champions, Paris SG dhe Inter kërkojnë triumfin

Më të fundit


Numërimi mbrapsht ka nisur. Të gjithë sytë shohin nga Mynihu, ndërsa prozhektorët drejtohen në “Allianz Arena”, ku këtë të shtunë në orën 21:00 do të luhet sfida më e rëndësishme e futbollit Europian.

Paris SG dhe Inter zbresin në fushë për finalen e Champions League, ndërsa dy skuadrat kërkojnë trofeun që mbart jo vetëm triumfin sportiv, por edhe lavdinë.

Kupa me dy veshë do të shpëtonte sezonin e Inter. Pak muaj më parë zikaltërit pretendonin të përsërisnin “tripletën” e vitit 2010, por për të përdorur një shprehje të Mourinho, rrezikojnë të mbeten me “zero tituli”.

Një arsye më shumë për Simone Inzaghi dhe interistët për të hedhur poshtë edhe parashikimet që shohin Paris SG si favorit në këtë finale.

Këto pritshmëri bazohen mbi të gjitha te sezoni fantastik i skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique, që ka fituar gjithçka në Francë.

Parizienët triumfuan me titullin kampion, morën Kupën e Ligës dhe atë të Francës, ndërsa nëse fitojnë Champions do të hynin në histori si skuadra e dytë që arrin të mbyllë sezonin me katër trofe.

I vetmi që e ka bërë këtë është Sëlltik Gllasgoë në vitin e largët 1967.

Jo vetëm kaq. Triumfi në finalen e Mynih, do t’i lejonte Paris Sent Zhërmen të bënte kapërcimin e madh në Europë, duke e futur atë zyrtarisht në klubin e më të mëdhenjve në futbollit në kontinentin e vjetër.



Skip to toolbar