Të paktën 12 persona, mes tyre gjashtë të mitur, mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri pranë stadiumit të Universitetit Florida A&M, në Tallahassee të Floridës, gjatë mbrëmjes së së shtunës, më 24 tetor.
Ngjarja ndodhi gjatë fundjavës së festimeve të rikthimit të studentëve dhe ish-studentëve në universitet. (Foto: CNN, Alicia Devine/USA Today Network/Images).
Sipas autoriteteve, 11 prej të plagosurve u qëlluan me armë zjarri, ndërsa personi i dymbëdhjetë pësoi lëndime teksa po largohej nga vendngjarja. Mes të plagosurve janë gjashtë të rritur dhe gjashtë të mitur, ndërsa viktima më e re është 11 vjeç.
Policia bëri të ditur se gjashtë persona mbetën të shtruar në spital, njëri prej të cilëve në gjendje kritike, ndërsa pesë të tjerë ishin larguar nga spitali. Më herët, autoritetet kishin raportuar se të paktën tre persona kishin pësuar lëndime të rënda.
Sipas hetimeve paraprake, para të shtënave kishte shpërthyer një konflikt mes disa personave në një zonë të mbushur me njerëz, pas përfundimit të një ndeshjeje futbolli. Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Deri në përditësimin e fundit të policisë, asnjë person nuk ishte arrestuar. Hetuesit po punojnë për identifikimin e autorëve dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion, fotografi apo video nga momenti i ngjarjes, t’i vënë ato në dispozicion të autoriteteve.
Shefi i Policisë së Tallahassee-s, Lawrence Revell, kërkoi bashkëpunimin e komunitetit, duke theksuar se edhe detajet më të vogla mund të ndihmojnë në zbardhjen e asaj që ndodhi.


