Telashe për Boeing. Një tjetër model avioni me probleme

AKTUALITET


Linja ajrore australiane Qantas, nxori nga flota e saj një Boeing 737 NG, pasi zbuloi një plasaritje në një seksion të tij. Linja ajrore po inspekton avionët e flotës së saj model 737 NG, pasi zbuloi në njërin prej avionëve se një zonë afër krahut ishte e prirur të plasaritej. Megjithatë, Qantas tha se: “Edhe kur një çarje ndodh, ajo nuk rrezikon menjëherë sigurinë e avionit. Ne kurrë nuk do të përdorim një aeroplan nëse ai nuk është plotësisht i sigurt”.

Plasaritja është konfirmuar dhe nga kompania Boeign, që konstatoi se çarja ishte në vendin ku bashkohet krahu me pjesën tjetër të trupit të avionit. Muajin e kaluar, institucionet e aviacionit në SHBA urdhëruan kontrolle në të gjithë avionët që kishin bërë më shumë se 30 mijë fluturime.

Pas këtij incidenti, kompania Boeing ndodhet nën presion. Ngjarja ndodh vetëm pak kohë pasi dy avionë Boeing 737 Max pësuan aksidente fatale, për shkak të problemeve në sistemin elektronik.

346 njerëz vdiqën në Indonezi dhe Etiopi brenda pak muajve, për shkak të rrëzimit të 737 Max. Të mërkurën, shefi ekzekutiv i Boeing Dennis Muilenburg u tha ligjënëvësve amerikanë se kompania kishte gabuar në lidhje me flotën e avionëve 737 Max.

Modeli 737 NG është pararendës i 737 Max. Qantas u shpreh se do të inspektojë të 33 aeroplanët në flotën e saj për të njëjtin problem. Ndërkohë Shoqata e Inxhinierëve të Avionëve në Australi, bëri thirrje që Qantas të largojë nga flota e saj modelet 737 NG, por kompania e ka refuzuar këtë. Ndërkohë, kompania amerikane Southwest Airlines kohët e fundit zbuloi një çarje në një nga aeroplanët e saj 737 NB.



Skip to toolbar