Tensionet në veri, Escobar e Lajçak: Draft i Ramës, ‘propozim serioz’

KOSOVA


I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.


Ndërkaq, Lajçak tha se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës, “t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe t’i kthehemi dialogut”.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, tha ai.

Sa i përket tre policëve të Kosovës, që gjenden në paraburgim në Serbi, Escobar tha edhe nëse ata janë rrëmbyer apo kanë hyrë gabimisht në territorin serb, ata duhet të lirohen menjëherë.

Këtë qëndrim e përkrahi edhe Lajçaku.

Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha ai, duke shtuar se takimi – që sipas tij do të mbahet shumë shpejt – do të fokusohet vetëm në menaxhimin e krizës aktuale.

Lajçak: Zgjedhjet e reja – përmes dorëheqjes së kryetarëve ose përmes referendumit

Duke folur për kërkesën për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, Lajçak tha se ka dy mënyra: ose përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë në veri të Kosovës, apo përmes referendumit. Ai tha se të dyja do të ndiqnin ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi ai.

Escobar u pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën. Por, zyrtari amerikan tha se për 15 vjet, çdo gjë që ka bërë Uashingtoni ka qenë në favor të Kosovës, duke filluar nga pranimi i pavarësisë, fushata për njohjet e Kosovës, pranimi i zgjedhjeve të fundit në veri.

“Sfidoj të gjithë të më tregojnë se kur kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë ndaj Serbisë. Çfarë po kërkojmë nga Kosova është koordinimi i ngushtë dhe të pranojë obligimet ndërkombëtare. Nuk mendoj se kjo mund të përkthehet se ne jemi të ashpër me Kosovën. Mendoj se është e kundërta”, tha ai.

Draft-statuti i Ramës, “propozim serioz”
Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dy zyrtarët perëndimorë thanë se themelimi i tij është obligim ndërkombëtar i Kosovës, që duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Ndërkaq, Escobar tha se SHBA-ja përkrah një asociacion që nuk shkakton probleme në funksionimin e shtetit.

Të pyetur se cila është mënyra përpara për të dyja palët, zyrtarët perëndimorë thanë se Kosova dhe Serbia duhet të respektojnë obligimet e tyre të dala nga dialogu.

Escobar tha se është e rëndësishme që të ketë zbatim të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve – të arritur në shkurt në Bruksel dhe më pas Aneksi për zbatimin e saj në mars në Ohër – përmes së cilit Serbia, veç tjerash, do të njihte simbolet e Kosovës dhe të drejtën e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ndërkaq, për Kosovën ai tha se është e rëndësishme që të nisë “menjëherë dhe urgjentisht bisedimet për themelimin e Asociacionit”. Që të dy zyrtarët e cilësuan si “propozim serioz” draft-statutin që kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin./rel




Skip to toolbar