Policia e Elbasanit realizoi një aksion, të ngjashëm si ata në filmat artistik, për kapjen e një 30-vjeçari që vidhte makina luksoze në këtë qytet. Policia njoftoi se ra në pranga një shtetas me inicialet A.P., 30 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas është arrestuar në flagrancë duke u kapur së bashku me mjetin e vjedhur në Elbasan gjatë natës të së shtunës. Konkretisht, Policia e Elbasanit ishte njoftuar se gjatë natës ishte vjedhur një mjet tip “Benz ML”, prdhim i viteve të fundit.
Menjëherë, patrullat e policisë janë organizuar duke ngritur pika kontrolli në akset rrugore. Në vendin e quajtur “Ura e Shkumbinit” në Elbasan, një patrullë policie ka vënë re se një mjet tip “Benz ML”, po lëvizte me shpejtësi në drejtim të Bradasheshit, për t`u larguar në drejtim të Durrësit. Patrulla e Policisë Rrugore dhe ajo e Përgjithshme janë vënë në ndjekje të mjetit, duke arritur ta ndalojnë vetëm pas 30 minutash.
Njëra nga patrullat bëri të mundur ndalimin e mjetit së bashku me personin që e kishte vjedhur. Më pas, shtetasi me inicialet A.P, 30 vjeç, banues në Durrës është arrestuar dhe dërguar në komisariatin e Policisë së Elbasanit. Mjetin, ky shtetas, e kishte vjedhur në lagjen “Shënkoll” në Elbasan, makinë e cila ishte në pronësi të shtetasit me inicialet E.Ç.
Ndërkohë, pas arrestimit të hajdutit të mjetit tip “Benz ML”, policia zbardhi edhe vjedhjen e një tjetër mjeti në Elbasan. 30-vjeçari nga Durrësi është autor edhe i vjedhjes së mjetit tjetër tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.M., banues në Elbasan. Kjo ngjarje kishte ndodhur gjatë ditëve të para të këtij viti, raporton Policia.
Megjithatë, Policia e Elbasanit dhe Durrësit po punojnë për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera makinash luksoze, autor i të cilave dyshohet se është 30-vjeçari i arrestuar në Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.