Kreu i PD, Lulzim Basha duket se ka bërë një tërheqje të fortë, duke nënkuptuar se do të pranonte negociata me Ramën, nëse Gjermania do të ishte negociatore, një derë e hapur për kryeopozitarin pas ftohjes së marrëdhënieve të tij me SHBA për shkak të protestave të dhunshme para zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas një sërë takimesh me ndërkombëtarët, i pyetur nëse gjermanët do të luajnë rolin e negociatorit, apo do të jetë një faktor tjetër ndërkombëtar për t’u ulur në tryezë me Kryeministrin Rama, kreu i PD ka deklaruar se Partia Demokratike është në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe vlerëson rolin e Gjermanisë.
“PD dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorin ndërkombëtar. Ne vlerësojmë shumë rolin e tyre, vëmendjen e tyre, në këtë rast, pa dyshim vlerësojmë rolin dhe interesin dhe ndihmën që Gjermania dhe CDU/CSU, si pjesë e Bundestagut gjerman po japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet mbrapa, të mos mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në BE, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padyshim që vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt BE, duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si një shoqëri europiane, si një politikë europiane”, deklaroi ndër të tjera Basha.
Prishja e marrëdhënieve me SHBA pas protestave të dhunshme duket se kanë bërë që Basha të shikojë për të tjerë partnerë strategjikë të PD-së, Gjermaninë. Basha tha se PD ka bashkëpunim me Gjermaninë dhe faktorin ndërkombëtar, por çmon interesimin e Gjermanisë për të ndihmuar vendin të dalë nga kjo krizë duke lënë të kuptohej se mund të jetë edhe negociatore e tryezës Rama-Basha. Kthimi i syve nga Gjermania si shpresa për të nxjerrë vendin nga kriza dhe rifutur edhe njëherë në jetën politike PD-në, konfirmon se Basha nuk ka mbështetjen e SHBA dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. Realstory.al paralajmëroi më herët se lobimi që PD bëri pranë Kongresit Amerikan kundër emërimit të ambasadores Kavalec, si dhe qëndrimi ambig ndaj Reformës në Drejtësi dhe përplasjet e forta gjatë muajve të krizës, kur Basha injoroi hapur kërkesat e DASH, duket e kanë futur kreun e PD në ‘luftë të ftohtë’ me Departamentin Amerikan të Shtetit.