Arben Meçe, inxhinier ndërtimi ka qenë një ndër të parët që ka shkuar në Durrës pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, ndërsa është treguar shumë kritik, si për kolegët e tij, ashtu edhe për politikën, ndërsa ka kërkuar që tashmë nuk është koha të gjenden fajtorët, por të shërbehet ndaj qytetarëve. Në “Real Story” të Sokol Ballës, Meçe ka treguar se ka pasur detyrën për të bllokuar objektet që paraqisnin rrezikshmëri për jetën e qytetarëve, por nuk ka parë inxhinierë të tjerë nga Durrësi. Sipas tij, Shqipëria si vend i varfër nuk mundet të mbajë të konservuara kapacitet për t’i aktivizuar një ditë.
“Ditën që ra tërmeti shoqata e ndërtuesve bëri një kërkesë me celular. Nuk më thirri njeri, por duke ndjerë ndjenjën e përgjegjësisë, unë lëviza drejt Durrësit. U paraqita si ushtar pranë komitetit të emergjencës, mora detyrën atje. Nga një ushtar dola në terren vetëm me një detyrë, të bllokonim objektet që paraqisnin rrezikshmëri për jetën, të shpëtonim qytetarët. Zoti Oketa në krahun të tim nuk ishte asnjë inxhinier nga Durrësi, nuk ishit as ju. Unë vetëmobilizova. Për një javë kam qenë në Durrës. Nuk kam parë asnjë inxhinier nga Durrësi. Kam bërë një detyrë, iu kam thënë qytetarëve se çfarë është tërmeti dhe iu thosha inxhinierëve dilni dhe thojuni qytetarëve se çfarë është tërmeti. Duhet të kemi parasysh mesazhet që japim. Po jap mesazhin që duhet të japim të gjithë ne. Po shohim se kanë marrë shpatën. Në Durrës nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi. Është shumë e rëndë përgjegjësia jonë. Nuk jemi në lirinë e fjalës, por në përgjegjësinë e fjalës. Nuk kemi kapacitete për hir të vërtetës duke qenë vend i varfër, të mbajmë të konservuara gjithë këto kapacitete për t’i aktivizuar një ditë. Ka dëme që janë rrënjë”, u shpreh inxhinieri.
Gazetari Balla e pyeti në lidhje me kushtet në të cilat punojnë zjarrfikësit shqiptarë, duke i kujtuar fjalët e një nate më parë, të zjarrfikësit Matraku, i cili tha se ‘në rast se unë do kisha pasur një krik, ndoshta ajo zonja sot dhe vajza e saj do kishte qenë gjallë’. Meçe e preu shkurt se në këtë moment nuk jemi ende në nxjerrjen e përgjegjësive. “Nëse para 3 ditësh flisnin për njerëzit që s’kishin bukë, tani jemi në një fazë tjetër. Emergjenca ka kaluar në fazë të dytë. Problemi është si do mobilizohemi të fitojmë luftën me kohën. Procesi i rindërtimit është i gjatë. Mos t’ju duket e habitshme që të shkojë dhe 2 herë. Është fazë e kaluar, a do të diskutojmë kush ishte fajtori, kam plot akuza dhe fjalë për të thënë, por jemi akoma shpejt. Tani është koha që njerëzit të gjejnë qetësinë dhe njerëzve t’u jepet një strehë. Ndërtimi nuk është një fazë e shkurtër që mbaron në dy muaj, do të duhen shumë më shumë”, deklaroi inxhinieri Meçe.
Gjatë fjalës së tij, ai është shprehur edhe kundër Oketës për akuzat për mobilizim, duke mbrojtur strukturat shqiptare, pasi sipas tij një situatë e tillë nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Ai vuri në dukje se një situatë e tillë ka ndodhur edhe në Itali, dhe në Gjermani. Inxhinieri shpjegoi se situatat e emergjencave janë njësoj në të gjitha vendet e botës, pavarësisht infrastrukturës. “Unë ju siguroj se edhe sikur të kishim të gjitha mjetet, strukturat tona nuk mund të bënin më shumë, pasi një situatë e tillë kërkon njerëz”, deklaroi inxhinieri.