Thaçi ‘ftohtë’ për Haradinajn: Keqardhje, do respektoj Kushtetutën

AKTUALITET


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar disa orë pas publikimit të lajmit, se Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqjen e parevokueshme si Kryeministër i Kosovës. Në një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se ka mësuar me keqardhje lajmin se Gjykata Speciale në Hagë, kishte ftuar për të dëshmuar këshilltarin e tij, Bislim Zyrapi, që dikur ka qenë shef shtabi në UÇK, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe disa ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij”, shkruan Thaçi.  Më tej, Presidenti i Kosovës shprehet se do të respektojë kompetencat e tij kushtetuese, lidhur me dekretimin e një date të re zgjedhjesh të parakohshme, e kërkuar nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, shkruan Thaçi.  Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë të ndarë në qëndrimet e tyre  lidhur me taksën mbi mallrat serbe. Presidenti ka qenë më liberalë në këtë drejtim, duke kërkuar nga kryeministri që të zbusë qëndrimin e tij, me qëllim që të rifillojë dialogun me Serbinë.

Por Haradinaj nga ana e tij e ka kritikuar Thaçin në publik për qëndrimet që ka mbajtur, madje duke e akuzuar edhe si një prej ideatorëve për ndarjen e Kosovës, gjë të cilën Haradinaj e përmendi dhe në emisionin “Rubikon”, ku u shpreh se ishte ai njeriu që ndali ndarjen e Kosovës, duke refuzuar dialogun nëse do të shtrohej një diskutim i tillë.

Gjithashtu, Hardinaj, u shpreh se përçarjet mes politikanëve në Kosovë, e kanë dobësuar rolin e saj në procesin e dialogut me Serbinë, duke u rikërkuar krerëve të lartë shtetëror të Kosovës, që të mbajnë një qëndrim të përbashkët, në mënyrë që Serbia të pranojë njohjen. Një detaj i deklaratës së Hashim Thaçit për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, është ftohtësia me të cilën shprehet në Presidenti i Kosovës për kryeministrin e vendit të tij.

Madje, deklaratën e tij, Thaçi e nis me këshilltarin personal, Bislim Zyrapi, dhe me një fjalë përmend dhe Haradinaj në rreshtin ku shprehet keqardhje për ftesën që Gjykata Speciale i dërgon disa ish-drejtuesve të UÇK-së për të dhënë sqarime për të njëjtën çështje, që të paktën Haradinaj ka fituar  dy herë pafajësinë nga Gjykata e Hagës.



Skip to toolbar